Problemet e Rahovecit me regjistrimin e pasurisë

Edhe 20 vite pas përfundimit të luftës, institucionet e Kosovës vazhdojnë të mos kenë një regjistër të plotë të pasurive të tyre. Një problem i tillë është evidentuar edhe nga Auditori i përgjithshëm në Komunën e Rahovecit.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka analizuar dhe krahasuar gjetjet e Auditorit të përgjithshëm në Komunën e Rahovecit në katër vitet e fundit. Gjetjet kryesore të BIRN janë prezantuar nga Visar Prebreza, redaktor i BIRN, në një debat të organizuar në Kuvendin Komunal para asamblistëve, drejtorëve komunalë dhe shoqërisë civile në Rahovec.

Zëvendës auditori i përgjithshëm, Ilir Salihu në debatin e organizuar në Rahovec theksoi se ende nuk ka një regjistër të plotë të pasurisë së institucioneve lokale e qendrore të Kosovës.

“Regjistrimi dhe vlerësimi i pasurisë komunale, këtu duhet të filloj puna për rritjen e transparencës, nëse nuk e kemi një regjistër të pasurisë nuk mund të ecim tutje, duhet t’ia dimë vlerën e kësaj pasurie. 20 vite pas lufte të mos kemi një regjistër të plotë të pasurisë që e kanë institucionet publike”, theksoi Ilir Salihu.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi theksoi se regjistrimi ka qenë një sfidë për ta, sidomos regjistrimi i pasurisë të shumë viteve më parë.

“Regjistrimi i pasurisë ka qenë sfidë dhe qëllim, 6 muaj iu kanë dashtë me hi në vlerësim në vitin 2018. Por është një punë e madhe që duhet bërë në drejtorinë për Ekonomi. Do të punojmë që të kemi një regjistër të plotë mundësisht sa më të saktë jo vetëm si obligim ligjor por është kënaqësi se ne duhet me ditë se çka kemi në Komunën e Rahovecit”, shtoi Latifi.

KALLXO.com vazhdimisht ka publikuar analiza sa i përket raporteve të auditimit të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Në këto analiza kanë shpërfaqur mangësitë, shkeljet dhe çështjet që janë identifikuar ndër vite nga ZKA.

Debati në Komunën e Rahovecit është organizuar nga BIRN me mbështetjen e Ambasadës britanike.

Analizën për Komunën e Rahovecit mund ta lexoni KËTU.

Pas Komunës së Rahovecit, debatet sa i përket raporteve të auditimit do të mbahen edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Debati në Komunën e Rahovecit është transmetuar live në platformën e KALLXO.com në Facebook.

Debat në Komunën e Rahovecit për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 20 septembre 2019