Podujevë - Mbi 300 mijë euro projekte, por vetëm rreth 50 mijë euro për to
Në katër raste gjatë vitit 2023, Komuna e Podujevës nënshkroi kontrata pa pasur para të mjaftueshme për to – tregojnë gjetjet e auditorit për këtë komunë.
Vlera e të katër kontratave ishte 334 mijë e 131 euro, kurse mjete të zotuara për to ishin vetëm 52 mijë e 764 euro.
“Furnizim me material për mirëmbajtjen e objekteve komunale-vlera e zotimit ishte 20,000€, ndërsa vlera e kontratës 119,131€; Hartimi i projekteve- vlera e zotimit ishte 3,000€, ndërsa vlera e kontratës 140,000€; Rrënimi dhe largimi i objekteve-vlera e zotimit ishte 25,764€, ndërsa vlera e kontratës 35,000€; dhe Ekzaminimi i materialeve ndërtimore- vlera e zotimit ishte 4,000€, ndërsa vlera e parashikuar e kontratës 40,000€” – thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).
Kjo sipas ZKA-së ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve me ç’rast u iniciuan procedura të prokurimit pa pasur mjaftueshëm mjete të zotuara.
“Hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme, ndikon në rritjen e obligimeve të papaguara, apo implikime buxhetore për vitin aktual si dhe të jenë ngarkesë për buxhetin e vitit vijues” – thuhet tutje në raportin e auditmit.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi rekomandohet që “të forcojë kontrollet dhe procedurat për të siguruar që para inicimit të procedurave të prokurimit, të gjitha zotimet për projekte janë të vlerësuara dhe të miratuara në përputhje me fondet e disponueshme”.
Komuna e Podujevës u pajtua me këtë gjetje të ZKA-së.
Kjo komunë ka pranuar opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore. Ky opinion jepet kur janë zbuluar keq-deklarime dhe/ose mos-pajtueshmëri, qoftë një i vetëm apo një grumbull, që janë të barabartë me ose e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare si tërësi; ose kur keq-deklarimi dhe/ose mos-pajtueshmëria e zbuluar brenda një klase të caktuar transaksionesh është i barabartë me ose tejkalon nivelin e materialitetit më të ulët të vendosur për këtë klasë të transaksioneve. Formulohet gjithashtu nëse ka kufizim të fushëveprimit, i cili mund të mos shpie në shmangie të keq-deklarimit(eve) material(e).
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i ka dërguar ZKA-së letër konfirmimi për pranimin e raportit të auditimit me ç’rast është pajtuar me gjetjet dhe i ka thënë ZKA-së që brenda 30 ditëve do të dorëzojë një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve.
Raporti i auditimit për vitin 2022 përmbante 14 rekomandime për Komunën e Podujevës, nga to pesë janë zbatuar, një është i mbyllur dhe tetë nuk janë zbatuar.
Raportin e plotë të Auditimit për Komunën e Podujevës mund ta gjeni KËTU.