Përsëritja e shkeljeve nga Komuna e Malishevës shqetësim për Auditorin

Udhëheqësi i Departamentit të Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Faruk Rrahmani ka thënë se në Komunën e Malishevës në vitin 2018 ka përsëritje të rekomandimeve që janë dhënë edhe viteve të kaluara nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Sipas Rrahmanit, në raportin e vitit 2018 nga 23 rekomandime, 10 janë rekoamndime të reja kurse të tjerat janë të pazbatuara ose në proces të zbatimit.

“Në raportin e auditimit për vitin 2018 kemi një numër të madh të rekomandimeve që janë përsëritur nga vitet e mëhershme e kjo është një shqetësim sepse po përsëriten mangësitë nëpër vite. Kemi një numër të madh të përsëritjes të rekomandimeve të mëhershme. Prej 23 rekomandimeve, 10 janë rekomandime të reja, të tjerat janë ose në proces të zbatimit ose të pazbatuara”, ka deklaruar Rrahmani.

Më tej, Rrahmani ka numëruar rekomandimet që janë përsëritur.

“Ato që janë përsëritur janë keq klasifikimi i shpenzimeve, kontratat, subvencionet, prokurimi, menaxhimi i kontratave, pagesat përmes vendimeve gjyqësore”, ka numëruar Rrahmani.

Gjithashtu ai ka thënë se Komuna e Malishevës ka nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve

“Përqindja e zbatimit të rekomandimeve në vitin 2017 në Komunën e Malishevës ka qenë 33%, përqindje afër mesatares së zbatimit të rekomandimeve nga komunave të tjera që është 31%, që tregon një përqindje mjaft të ulët të zbatimit të rekomandimeve. Në vendet e zhvilluara zbatimi sillet diku në 80%, që tregon një nivel të ulët të zbatimit posaçërisht në nivelin komunal”, ka shpjeguar ai.

Rrahmani ka treguar se ZKA ka nxjerrë një rregullore me qëllim që të ketë monitorim më të mirë të zbatimit të rekomandimit dhe zbatim më të lartë të rekomandimeve të Auditorit.

“Duke parë këtë zbatim të ulët, ZKA ka nxjerrë një rregullore të punës këtë vit dhe e ka shpërndarë te të gjitha organizatat buxhetore me qëllim që të rritet monitorimi ndaj zbatimit të rekomandimeve nga organizatat buxhetore. Organizatat buxhetore janë të obliguara dy herë në vit me përgatit raport për progresin e zbatimit të rekomandimeve”, ka përfunduar ai.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka realizuar një analizë duke u bazuar në raportet e auditimit të Komunës së Rahovecit në katër vitet e fundit. Gjetjet kryesore të BIRN janë prezantuar nga Visar Prebreza, redaktor i BIRN, në një debat të organizuar në Kuvendin Komunal të Malishevës para asamblistëve, drejtorëve komunalë dhe shoqërisë civile në Malishevë.

KALLXO.com vazhdimisht ka publikuar analiza sa i përket raporteve të auditimit të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Në këto analiza kanë shpërfaqur mangësitë, shkeljet dhe çështjet që janë identifikuar ndër vite nga ZKA.

Debati në Komunën e Malishevës është organizuar nga BIRN me mbështetjen e Ambasadës britanike.

Analizën për Komunën e Malishevës mund ta lexoni KËTU.

Pas Komunës së Malishevës, debatet sa i përket raporteve të auditimit do të mbahen edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Debati në Komunën e Malishevës është transmetuar live në platformën e KALLXO.com në Facebook.

Debat për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit në Komunën e Malishevës

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 29 novembre 2019