Arkiv - Vërshimet në Vushtrri - Janar 2021 - Foto: KALLXO.com

Për parandalimin e situatave emergjente ende reagohet me planin e vitit 2010

Këshilli i Sigurisë së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë arritur të përditësojnë dokumentet strategjike për reagim dhe menaxhim të situatave emergjente.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për parandalim dhe reagim në situata emergjente potencohet se, këto dokumente nuk janë përditësuar që nga viti 2010 dhe të njëjtat vazhdojnë të përdoren edhe sot.

Sipas auditorit, në Analizën e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë të vitit 2014, është rekomanduar të bëhet rishikimi dhe hartimi i Strategjisë së re të Sigurisë në po të njëjtin vit, por hartimi i Strategjisë së re është iniciuar vetëm gjatë vitit 2017.

Deri në muajin maj 2021 Strategjia nuk ka arritur të kompletohet dhe të miratohet si dokument final.

ZKA potencon se, fusha e emergjencave deri në miratimin e dokumentit të ri, mbetet me dokumentin e vitit 2010 i cili mund të mos pasqyrojë rrethanat e reja në fushën e menaxhimit të emergjencave, sidomos duke marrë parasysh paqartësitë që ekzistojnë në ndarjen e përgjegjësive të palëve kryesore pjesëmarrëse.

Edhe pse PRK-ja (Plani për reagim kombëtar) duhet të rishikohet dhe publikohet së paku çdo katër vjet, sipas vet PRK-së, ndërsa sipas rregullores duhet të rishikohet një herë në çdo dy vjet.

Sipas përfaqësuesve të AME-së, një kërkesë e tillë nuk ka ardhur deri në muajin janar 2021 nga institucionet përkatëse as në AME dhe as në MPB dhe nuk e kanë konsideruar të nevojshëm rishikimin e PRK-së.

Në raport tutje theksohet se, plani i reagimit kombëtar nuk ka gjetur zbatueshmëri në shumë intervenime që janë bërë gjatë ndodhjes së fatkeqësisë, sipas vlerësimeve që janë bërë nga Qendra e Situatave drejtuar kryeministrit.

AME nuk ka ripërtërirë të dhënat historike për fatkeqësitë në nivel vendi që nga viti 2016