Nuk përmbushen investimet nga qiramarrësit e pronës komunale në Komunën e Ferizajt
Në gjashtë raste në Ferizaj Zyra Kombëtare e Auditimit gjeti se nuk u përmbushën zotimet për investime sipas kushteve të kontratës për dhënie në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale.
Një rast për një pronë 5 mijë e 700 metra katrorë, ishte paraparë të investohej në zgjerimin e kapacitetit të prodhimit. Qiramarrësi ishte zotuar se në vitin 2023 do të realizonte investim me vlerë prej 85 mijë euro për asfaltimin e gjithë hapësirës së fabrikës. Në shkurt 2024, ZKA gjeti se investimi nuk kishte filluar të realizohej ende.
Për një pronë prej 2 mijë metrave katrorë parashikohej investimi në zgjerimin e kapacitetit të prodhimit, me ç’rast qiramarrësi ishte zotuar që gjatë vitit 2023 do të investonte në vlerë prej 50 mijë eurove “Makinë CNC2”. ZKA, në shkurt 2024 gjeti se investimi nuk kishte filluar të realizohej. Po ashtu, ky institucion nuk ka pranuar ndonjë dëshmi që lidhet me zotimin e angazhimit të stafit shtesë.
Gjatë vitit 2023, për pronën me 2 mijë metra katrorë, qiramarrësi parashihej që të investonte në blerjen e makinerive për montimin e kiperave dhe mekanizmave në vlerë prej 22 mijë eurove. ZKA gjeti në shkurt 2024 se investimi nuk kishte filluar të realizohej.
Për një pronë tjetër, me sipërfaqe prej 4 mijë metrave katrorë, parashihej investim prej 58 mijë eurove gjatë vitit 2023. ZKA në pronë ka gjetur se ishin investuar vetëm 5 mije euro, rrjedhimisht nuk ishte realizuar plani investiv.
Një pronë prej 80 mijë e 63 metrave katrorë, ishte dhënë në shfrytëzim më 29.06.2017. Sipas planit të biznesit ishin paraparë investime prej 128 mijë e 500 euro dhe punësimi i katër punëtorëve. Në shkurt 2024, ZKA gjeti se investimi nuk kishte filluar ende. Sipas tyre, komisioni i monitorimit kishte bërë vërejtjet e veta në raportin e vitit 2022 por komuna nuk kishte ndërmarrë veprime për t’i marr pronën shfrytëzuesit.
Në vitin 2016 ishte dhënë në shfrytëzim afatgjatë një pronë prej 21 mijë e 361 metrave katrorë. Investimi aty parashihej të kaptë vlerën prej 1 milionë e 945 mijë e 646 eurove. Investitori, sipas ZKA, ishte zotuar që investimet do i realizonte brenda 18 muajve nga nënshkrimi i kontratës. Parashiheshin punë dheu, punë hekuri, konstruksion metalik, instalime elektrike, zyre e pajisje dhe makineri. Edhe pse me vonesë, ZKA thotë se ende nuk janë përmbyllur punët e vrazhda të objektit. Derisa komuna nuk ka marrë masa për të identifikuar shkaktarët dhe marrjen e masave ligjore sipas kontratës.
ZKA thotë se shkak i mos përmbushjes së zotimeve ishte pakujdesia nga ana e zyrtarëve për monitorim dhe raportim efektiv të zbatimit të kontratave, si dhe mos marrja e masave nga Komuna.
“Mos përmbushja e zotimeve të përcaktuara në kontratë përmes planit të biznesit të dorëzuar nga qiramarrësi, rrit rrezikun që investimet të mos realizohen sipas planit dinamik dhe si pasojë prona e dhënë në shfrytëzim të mos e përmbush qëllimin për çka është dhënë në shfrytëzim” – thuhet mes tjerash në raport.
Kryetari i Komunës, Agim Aliu, rekomandohet që për të gjitha kontratat të zbatohen kushtet e përcaktuara për to dhe se e domosdoshme është monitorimi i progresit të investimeve dhe të merrem masa të menjëhershme në rast se qiramarrësit nuk përmbushin detyrimet. Rekomandohet kryetari që të zbatoj masa ndëshkimore, duke përfshirë kthimin e pronës në shfrytëzimin e komunës.
Më 19.07.2024, Kryetari i Komunës ka konfirmuar se ka pranuar draft-raportin e ZKA-së dhe se Brenda 30 ditëve do të dërgojë planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.
Këtë raport të auditimit mund ta qasni në këtë VEGËZ.
Në kundërshtim me ligjin, në Ferizaj jepen prona komunale në shfrytëzim për 15 vjet