Në vitin 2021, Posta e Kosovës pati humbje rreth 2 milionë euro

Ndërmarrja Publike “Posta e Kosovës” vetëm në vitin 2021 ka pasur humbje financiare në vlerë 1 milion e 929 mijë e 490 eurove.

Kjo është gjetje e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin e vitit 2021, të publikuar për këtë ndërmarrje.

Vlera e humbjeve të akumuluara nga viti 2012 nga “Posta e Kosovës” ka arritur vlerën e 22 milionë e 534 mijë e 762 euro.

Në tetor të vitit 2021, bordi i ndërmarrjes “Postëa e Kosovës” kishte miratuar Raportin Strategjik të Vijimësisë Financiare. Në të parashihej që në rast të humbjes së klientit kryesor – Telekomi i Kosovës, hapësirat e njëjta të objekteve do t’iu lëshohen me qira institucioneve tjera publike dhe bizneseve private me çmime të tregut.

Në këtë dokument parashihej zëvendësimi i të hyrave të krijuara nga shitja e produkteve dhe shërbimeve të tjera të klientit kryesor, përmes kontratave të mundshme me operatorë të tjerë mobil të licencuar.

“Edhe pse ndërmarrja kishte hartuar këtë raport, shpalosjet e menaxhmentit lidhur me hipotezën e vijimësisë nuk përshkruajnë në mënyrë të mjaftueshme ngjarjet apo kushtet kryesore që mund të hedhin dyshime të rëndësishme mbi aftësinë e ndërmarrjes për të vazhduar biznesin edhe në të ardhmen”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Prej të hyrave totale të ndërmarrjes, 40 për qind e tyre janë nga klienti kryesor – Telekomi i Kosovës, ku vlera e painkasuar e tyre në fund të vitit ishte 1 milion e 399 mijë e 969 euro.

Humbja e mundshme e këtij klienti dhe e një tregu të rëndësishëm, për të cilin ekzistojnë pasiguri materiale, mund të hedh dyshime të konsiderueshme në aftësinë për të realizuar të hyrat e mjaftueshme dhe të kryejë detyrimet e saj në rrjedhën normale të biznesit, thuhet në raportin e auditimit.

Sipas Auditorit, kjo ndikon në prezantim jo të drejtë të pasqyrave financiare.

“Bordi i drejtorëve të sigurojë, që shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare të përmbajnë informata të detajuara për çështjen e vijimësisë, si dhe në planin e tyre për të ardhmen, të përfshin huazimin e mjeteve, ristrukturimin e borxheve, reduktimin e shpenzimeve apo rritjen e kapitalit”, ka qenë rekomandimi i Auditorit.