Në kundërshtim me ligjin, në Ferizaj jepen prona komunale në shfrytëzim për 15 vjet
Në një ankand publik të vitit 2023 për dhënien në shfrytëzim për 15 vjet të pronave/lokaleve afariste të Komunës së Ferizajt, si kritere ishin edhe dëshmitë mbi numrin e të punësuarve dhe që duhej të kryhej pagesa për tre muaj paraprakisht.
Komuna e Ferizajt kishte shpërblyer me kontratë përfituesit që nuk kishin përmbushur kriteret.
Në një rast kur kontratë u dha për sipërfaqe 101.62 metër katrorë, edhe pse ofertuesi nuk kishe dorëzuar dëshminë për numrin e të punësuarve, nuk kishte bërë pagesën për tre muaj paraprakisht, nuk kishte dorëzuar polisën e sigurimit.
Për këtë rast, ZKA ka gjet se “pas procesit të vlerësimit ishte shpallur përfituesi i ankandit me ofertën me vlerën prej 1,051€. Në të njëjtën ditë përkundër që mundësia e tërheqjes sipas rregullores në fuqi ishte e pa mundur, fituesi i thirrjes së bashku me (3) tre ofertues tjerë bëjnë kërkesë për tërheqje e cila edhe i aprovohet nga ana e komisionit”. Pas tërheqjes së tyre, Komuna i dha kontratën ofertuesit më të lirë, me vlerë 540 euro në muaj.
Edhe në një rast tjetër, Kryetari sipas ZKA-së lejoji nënshkrimin e kontratës për një ofertues në një lokal në rrugën ‘Uran Tinova’ me sipërfaqe 22.88 metra katrorë edhe pse nuk ishte paguar qiraja për tre muaj paraprakisht dhe nuk ishte dorëzuar polisa e sigurimit.
“Shkaku i mos përmbushjes së kritereve të përcaktuara në kontratë dhe shkeljet procedural ishte mungesa e vendosjes së kritereve kufizuese me rastin e shpalljes së njoftimin për dhënie në shfrytëzim të pronave publike e cila do të pamundësonte tërheqjen e ofertuesve nga procesi i ankandit pasi të bëhet vlerësimi i ofertave” – thuhet në raport.
Po ashtu në raport përmendet pakujdesia e komisionit vlerësues duke bërë rekomandime jo në harmoni me ligjin.
Sipas ZKA-së, dhënia e kontratave për ofertuesit që nuk i përmbushin kushtet e ankandit, rrit rrezikun që të mos përmbushet qëllimi për të cilin prona është dhënë.
“Tërheqja e ofertuesve më të shtrenjtë nga ankandi duke shkelur procedurat ligjore përkatësisht pas procedurës së vlerësimit dhe njoftimit për përfituesin përbënë rrezik që komuna të humb vlerën për paranë sikur ka ndodhur në rastin specifik” – thuhet tutje në Raportin e Auditimit.
Kryetari i Komunës, Agim Aliu rekomandohet që të sigurohet që procedura e vlerësimit të jetë në pajtueshmëri me ligjin dhe kontratat të nënshkruhen vetëm pasi të jenë plotësuar kërkesat e thirrjes.
Më 19.07.2024, Kryetari i Komunës ka konfirmuar se ka pranuar draft-raportin e ZKA-së dhe se Brenda 30 ditëve do të dërgojë planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.
Këtë raport të auditimit mund ta qasni në këtë VEGËZ.