Në 11 pozicione të një kontrate, Komuna e Podujevës pranoi më shumë mallra se që lejohej

Në një kontratë për furnizim me barna dhe reagensa, saktësisht në 11 pozicione të kësaj kontrate Komuna e Podujevës tejkaloi sasinë e lejuar prej 30% për kontrata kornizë.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, vlera e kontratës ishtë 541 mijë e 956 euro kurse tejkalimet shkojnë në 3 mijë e 838 euro edhe pse vlera totale e kontratës nuk është tejkaluar.

Tejkalimet ndodhën në: Pozicioni 16 Methylergometrin amp, sasia e realizuar ishte 1000 copë, ndërsa sasia e kontraktuar ishte 300 copë; Pozicioni 35 Kanila 24 G, sasia e realizuar ishte 3500 copë, ndërsa sasia e kontraktuar ishte 2000 copë; Pozicioni 46 Paraffin 10cm x10 cm, sasia e realizuar ishte 4300 copë, ndërsa sasia e kontraktuar ishte 2400 copë; Pozicioni 48 Shpatulla druri 1x100copë sasia e realizuar ishte 800 copë, ndërsa sasia e kontraktuar ishte 200 copë; Pozicioni 158 Mikroveta EDTA K3 200uL, sasia e realizuar ishte 3000 copë, ndërsa sasia e kontraktuar ishte 2000 copë; dhe Pozicioni 204 Llanceta, sasia e realizuar ishte 3500 copë, ndërsa sasia e kontraktuar ishte 2000 copë.

“Tejkalimi i sasive të kontraktuara ka ndodhur si rezultat i menaxhimit jo të mirë të kontratës nga menaxheri i kontratës” – thuhet në raportin e auditimit.

Tejkalimi i limitit prej plus/minus tridhjetë përqind është në kundërshtim me rregullat për kontratat kornizë si dhe sipas ZKA-së mund të rezultojë me pagesa përtej buxhetit të planifikuar për ato projekte dhe vështirëson realizmin e projekteve të tjera të planifikuara.

Kryetari i Komunës rekomandohet që “të sigurojë se menaxherët e kontratës ushtrojnë kontrolle të rregullta për furnizime të çdo artikulli sipas kontratës kornizë dhe të sigurojë se nuk bëhen tejkalime të sasive të kontraktuara”.

Komuna e Podujevës u pajtua me këtë gjetje të ZKA-së.

Kjo Komunë ka pranuar opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore. Ky opinion jepet kur janë zbuluar keq-deklarime dhe/ose mos-pajtueshmëri, qoftë një i vetëm apo një grumbull, që janë të barabartë me ose e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare si tërësi; ose kur keq-deklarimi dhe/ose mos-pajtueshmëria e zbuluar brenda një klase të caktuar transaksionesh është i barabartë me ose tejkalon nivelin e materialitetit më të ulët të vendosur për këtë klasë të transaksioneve. Formulohet gjithashtu nëse ka kufizim të fushëveprimit, i cili mund të mos shpie në shmangie të keq-deklarimit(eve) material(e).

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i ka dërguar ZKA-së letër konfirmimi për pranimin e raportit të auditimit me ç’rast është pajtuar me gjetjet dhe i ka thënë ZKA-së që brenda 30 ditëve do të dorëzoj një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

Raporti i auditimit për vitin 2022 përmbante 14 rekomandime për Komunën e Podujevës, nga to pesë janë zbatuar, një është i mbyllur dhe tetë nuk janë zbatuar.

Raporti i plotë i Auditimit për Komunën e Podujevës mund ta qasni në këtë VEGËZ.