Ilustrim

MTI kishte të punësuar 68 persona me kontrata mbi vepër gjatë 2019-tës

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte mbuluar pozita të përhershme  me kontrata për shërbime të veçanta më gjatë se gjashtë muaj.

Kjo ishte njëra ndër gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin për vitin 2019.

Sipas raportit, krahasuar me vitet paraprake numri i kontratave mbi vepër është rritur pasi në vitin 2019 ishin raportuar 68 të punësuar, krahasuar me 52 sa ishin në vitin 2018.

“Duke pasur parasysh periudhën e angazhimit, 45 prej tyre ishin të angazhuar për më shumë se gjashtë muaj. Për më tepër, në tre nga katër raste të testuara është vërejtur se nuk ka raport pune si dëshmi të pagesës për angazhimin në punë”, ka gjetur Auditori.

Në raport tutje thuhet se moskujdesi për të plotësuar pozitat e lira të aprovuara me buxhet, ka shkaktuar vazhdimin e këtyre kontratave.

Por sipas Auditorit, shfrytëzimi i kësaj forme të angazhimit të personelit kufizon konkurrencën dhe si pasojë mund të angazhohet personel me kompetencë të ulët që ka ndikim në cilësinë e shërbimeve si dhe mund të ndikoj që objektivat e përcaktuara të mos realizohen sipas programit vjetor të punës.

“Ministri duhet të siguroj që të plotësohen të gjitha vendet e lira të punës të aprovuara me buxhet dhe të siguroj se angazhimet e tilla iu përmbahen kërkesave ligjore”, rekomandon ZKA-ja në këtë raport.

Ndërkaq, sipas Ligjit për Shërbyes Civilë organizatat buxhetore mund të angazhojnë punëtorë me afat të caktuar në bazë të kontratave “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, për më pak se gjashtë muaj.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë aktualisht udhëhiqet nga ministri Vesel Krasniqi , i cili vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate.

Në Qeverinë Haradinaj 2017-2020 MTI-ja është drejtuar nga Endrit Shala, po ashtu nga Nisma, ndërkaq në Qeverinë Kurti, për 50 ditë, ky dikaster është udhëhequr nga Rozeta Hajdari e cila ishte përcaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje.