Mitrovica pagoi mbi 19 mijë euro mësuesit pa kontrata pune

Komuna e Mitrovicës ka mbajtur në marrëdhënie pune disa mësimdhënës të cilëve u kishte skaduar kontrata.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në 5 raste për të punësuarit në arsim, komuna e udhëhequr nga Agim Bahtiri kishte lidhur kontrata me afat të caktuar, por me mundësi vazhdimi.

Megjithatë, pas skadimit të kontratave komuna nuk kishte bërë ripërtëritjen e tyre, ndërsa kishte vazhduar t’i kompensonte pa kontrata.

Vlera e paguar për të punësuarit të cilëve iu kishte skaduar kontrata ishte 19,510 euro.

Si dhe në 4 raste tjera në përmbajtjen e kontratës nuk ishte përcaktuar paga mujore e të punësuarve.

Kjo sipas raportit, kishte ndodhur si pasojë e kontrollit dhe komunikimit jo të duhur të Drejtorisë së Arsimit me drejtorët e shkollave, duke mos i kontrolluar dhe azhurnuar kontratat sipas kërkesave ligjore.

ZKA thekson se pagesa e mësimdhënësve pa ripërtëritjen e kontratave përpos që konsiderohen pagesa të parregullta, paraqet dhe cenim të së drejtës së marrëdhënies në punë.

“Po ashtu mungesa e informatave për pagat në kontratat e mësimdhënësve rrezikon që pagesa të kryhet jo në përputhje me punët/orët e mbajtura….kontrata e punës së mësimdhënësve mund të jetë kontratë me kohë të pacaktuar dhe kontratë me kohë të caktuar, ndërsa Shtojca I e kontratës së punës, gjegjësisht Neni 2, specifikon se në përmbajtje të kontratës duhet të ceket paga mujore e të punësuarit”, thekson Auditori në raportin vjetor.