Ministria e Kulturës jashtëligjshëm angazhoi zyrtarë për shërbime të veçanta

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit gjatë vitit 2019 ka angazhuar 147 punëtorë me marrëveshjeve (kontrata) për shërbime të veçanta (MSHV).

Shumë prej tyre të angazhuar nga vitet paraprake për të cilët nuk ishte zbatuar ndonjë procedurë rekrutimi, gjatë vitit 2019 u ishte vazhduar kontrata.

Ndërsa 101 zyrtarë të angazhuar me MSHV kishin vazhduar nga vitet paraprake, por gjatë vitit 2018-2019 ata i janë nënshtruar procedurës së thjeshtësuar të rekrutimit.

Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e Pasqyrave Vjetor Financiare të MKRS-së për 2019 ka konstatuar se periudha e angazhimit të këtyre zyrtarëve është më e gjatë se sa afati i përcaktuar me rregulla, mbi gjashtë muaj pa ndërprerje.

Sipas ZKA-së, MKRS (përfshirë institucionet vartëse) gjatë vitit 2019 ka angazhuar 147 zyrtarë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta (MSHV). Prej tyre, 12 janë të punësuar në Rezidencën Presidenciale ‘’Dr. Ibrahim Rugova’’ në pozita: Ciceron, roje, mirëmbajtës, zyrtar për protokoll, 7 në Bibliotekën Kombëtare, 22 në Agjencinë e Arkivit Shtetëror të Kosovës dhe pjesa tjetër prej 106 në MKRS.

Mirëpo, sipas Auditorit, në fund të vitit 2019 numri i të punësuarve me MSHV kishte rënë në 75, prej tyre 59 në MKRS dhe 16 në ASHAK.

“Lidhur me këto, janë identifikuar dobësi si në vijim: 37 zyrtarë të angazhuar me MSHV (prej tyre 16 në MKRS, 1 në BKK dhe 20 në ASHAK) në vitet paraprake për të cilët nuk ishte zbatuar ndonjë procedurë rekrutimi, gjatë vitit 2019 u ishte vazhduar kontrata vetëm  vendim ; dhe 101 zyrtarë të angazhuar me MSHV kishin vazhduar nga vitet paraprake, vetëm se gjatë vitit 2018-2019 i janë nënshtruar procedurës së thjeshtësuar të rekrutimit. Pra, Sipas zyrtarëve të MKRS, kjo kishte ndodhur për shkak të nevojës për staf shtesë, sidomos sa i përket pozitave të nivelit mbështetës tek institucionet vartëse dhe mos aprovimit të buxhetit për staf shtesë”, thuhet në raportin e Auditorit për 2019 për MKRS-ën.

Auditori i ka rekomanduar që MKRS të respektoj ligjin për anagazhimin e zyrtarëve me MSHV.

“Ministri duhet të sigurojë se janë marrë masa për të ndërprerë praktikën e lidhjes së kontratave pa procedura të rekrutimit dhe kohëzgjatja e këtyre marrëveshjeve të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës. Në rast se ka nevojë për të punësuar shtesë në Ministri (pozita të rregullta), të sigurojë se në buxhetin e viteve në vijim në kategorinë paga dhe mëditje përfshihen pagat e të gjithë të punësuarve të nevojshëm, duke kaluar përmes sistemit të pagave”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi rreth parregullsive sa ai përket angazhimit të zyrtarëve me kontrata MSHV nga  MKRS-ja.

Vitin e kaluar Kallxo.com pat raportuar se MKRS kishe nisur ndërprerjen e kontaratve MSHV,  po zyrtarë të kësaj ministrie nuk kishin treguar numrin e saktë të punëtorëve të cilëve nuk u ishin vazhduar kontrata MSHV.  Sipas zyrtarëve të MKRS deri në tetor të 2019 numri i përgjithshëm i punëtorëve me kontrata MSHV ishte 56 punëtorë.