Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ministria e Drejtësisë me vonesa në shlyerjen e borxheve

Nga viti 2016 e këndej, Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Drejtësisë paraqitën një pamje të drejtë në të gjitha aspektet materiale. Gjatë katër viteve të fundit, 2016-2019 nga auditimi i pasqyrave vjetore financiare nga Auditori i Përgjithshëm kanë rezultuar gjithsej 44 dobësi e shkelje për të cilat Auditori ka dhënë rekomandime. Një pjesë e këtyre rekomandime janë përsëritur disa herë nga Auditori, meqë ministria nuk i ka zbatuar ato me kohë.

Në periudhën 2016-2018, nga gjithsej 36 rekomandime 22 nuk ishin adresuar plotësisht, që i bie më shumë se gjysma respektivisht 61 për qind nuk kishin marrë adresimin e plotë.

Dobësi dhe mangësi janë evidentuar në realizimin e buxhetit, vonesa në realizimin e pagesave, mbajtja e pozitave me ushtrues detyrë përtej afatit të paraparë ligjor, diskriminim me kontrata të disa punëtorëve, shërbime më kontratë të skaduar nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve. Ministria nuk mori shumë parasysh rekomandimet nga raportet e auditimit të brendshëm.

Tre ministra për 4 vjet

Në vitin 2016, dikasteri ministror i drejtësisë në Kosovë njeh dy udhëheqës të saj. Deri në muajin korrik të po atij viti, në krye të saj ishte ministër Hajredin Kuçi ndërsa në muajin korrik me dorëzim-pranimit të detyrës, emërohet si ministre Dhurata Hoxha. Përgjatë këtij viti, të dy ministrat njëri profesor universitar i drejtësisë dhe tjetri e diplomuar në marrëdhënie ndërkombëtare, nuk kishin arritur të rregullonin me akte të veçanta organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK), siç kërkohet me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Sipas Auditorit, për këtë çështje është rekomanduar vitin paraprakë, mirëpo përkundër përfshirjes në planin e veprimit ende nuk është zbatuar. Më tej thuhet se mungesa e aprovimit të akteve ligjore reflektohet në paga dhe mëditje.

Ministrit iu pat rekomanduar të ndërmarrë veprime për të nxjerrë aktet nënligjore.

“Ministri duhet të sigurohet se janë ndërmarrë veprime të menjëhershme për të adresuar rekomandimin e dhënë, për të nxjerrë akte nënligjore të cilat e rregullojnë organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në SHKK”, kishte rekomanduar Auditori. Ndërsa edhe në kohën e ministrit Abelard Tahiri kishte vonesa në kryerjen e pagesave, mosharmonizim të inventarit të pasurisë.

Disa të burgosur lanë “peshqeshe” kur u liruan

Në vitin 2016-të, nga auditori ishte evidentuar mjete në vlerë prej 25 mijë e 644 euro që nuk u janë kthyer të burgosurve pas lirimit të tyre. Vetëm nga Qendra e Paraburgimit në Dubravë, vlera e mjeteve të pa kthyera ishte 13 mijë e 644 euro. Zyrtarët përkatës kishin thënë se disa prej zyrtarëve nuk ishin interesuar për mjetet e tyre, të cilat u janë mbetur vite me radhë. Në raport thuhet se kthimi i mjeteve në llogari të burgosurve është përgjegjësi e ShKK-së. E njëjta situatë është përsëritë në vitin vijues përkundër rekomandimit për të përmirësuar këtë çështje. Vlera e parave të mbledhura ishte 32 mijë e 647 euro ku vetëm në qendrën e sipërpërmendur vlera kishte arritur në 17 mijë e 553 euro. Ky rekomandim ishte adresuar gjatë vitit 2018, mirëpo rihapet si problem në 2019-ën.

Në raportin për vitin 2019 thuhet se të burgosurit që u liruan nuk u kthyen t’i merrnin mjetet e tyre.

“MD, respektivisht Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK), nuk kishte arritur që t’i kthej të gjitha depozitat e të burgosurve të liruar. Vlera e depozitave të pakthyera për të burgosurit e liruar në fund të vitit 2019 ishte 27,814€. Sipas zyrtarëve përgjegjës, këto mjete nuk janë kthyer, për arsye se disa nga të burgosurit pas lirimit, nuk janë interesuar për mjetet të cilat ju kanë mbetur si depozita”, thuhet në raportin e Auditorit.

Tutje thuhet se neni 131, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 04/L-149 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale parasheh se “pas lirimit, personit të dënuar i jepen të gjitha gjërat dhe sendet personale të cilat atij i janë ruajtur nga institucioni korrektues, kursimet e tij dhe paratë që i ka pranuar gjatë kohës së mbajtjes së dënimit”.

Sipas Auditorit, mos kthimi i mjeteve të burgosurve të cilët i përfundojnë dënimet apo lirohen, ka ndikuar në dëmtim financiar të personave të liruar. Prandaj ministri respektivisht drejtori i ShKK-së duhet të siguroj që zyrtarët përkatës të cilët janë të ngarkuar me menaxhimin e parave të të burgosurve, me rastin e përfundimit të dënimeve, secilit person të liruar nga burgu t’ia kthejnë mjetet që ka në depozitë.

Në vitet paraprake, në fushën e prokurimit ishin evidentuar dobësie dhe veprime që ishin në kundërshtim me rregullën dhe udhëzuesin operativ për prokurimi publik në ndarjen e detyrave, ku menaxher i kontratë ishte caktuar zyrtari i njëjtë i cili kishte marrë pjesë në vlerësimin e tenderëve. Gjithashtu, auditori ka gjetur se në një rast tjetër menaxheri i kontratës nuk kishte mbajtur evidencat e furnizimeve si duhet. Në raportin e vitit 2018, Auditori nuk kishte gjetur dobësi në prokurim, mirëpo shkeljet ishin rikthyer në vitin pasues. Sipas Auditorit, ShKK-ja kishte marrë shërbime nga biznesi përkundër skadimit të kontratës.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte nënshkruar kontratë publike kornizë me 19.07.2016 për ‘’Shërbime veterinere për fermën e bagëtive në Qendrën Korrektuese Dubravë’’ në kohëzgjatje prej 36 muaj. Ne kemi vërejtur se ShKK kishte marrë shërbime nga kjo kontratë edhe dy muaj pas përfundimit të kontratës. Vlera e shërbimeve pas skadimit të kontratës ishte 958€. Sipas zyrtarëve të ShKK-së kjo kishte ndodhur për shkak se gjendja e bagëtive ishte e keqe, nevojat për shërbime veterinere ishin urgjente dhe për këtë arsye kishin kërkuar shërbime nga operatori i njëjtë”, thuhet të të gjeturën e raportit.

Sipas raportit, pagesat e bëra pas përfundimit të kontratës ndikojnë që organizata buxhetore të hyjë në obligime financiare të pa planifikuara dhe rrjedhimisht të shfaqet nevoja për rialokim të buxhetit të ministrisë nga kategoritë tjera ekonomike.

ShKK-ja merr shërbime me afat të skaduar të kontratës

Prandaj, Ministrit dhe drejtorit të ShKK-së iu rekomandua se duhet të sigurojnë respektimin e kohëzgjatjes së kontratës kornizë, me qëllim që mos të kryhen shërbime mbi bazën e kontratave të skaduara.

Që nga viti 2016 e këndej, Ministria nuk arriti t’i harmonizoj raportet e inventarizimit të pasurisë me programin “e-pasuria”, një numër i konsiderueshëm i aseteve nuk kishin barkode. Por, Auditori ka gjetur se mos-harmonizimi i raporteve të inventarizimit të pasurive me të dhënat e programit “E-pasuria” pati edhe në vitin 2019. Auditori ka evidentuar se pasuri në vlerë mbi 322 mijë euro nuk kishin barkode.

Por, Auditori thotë se në vitin 2019, ministria e Drejtësisë dhe agjencitë vartëse të saj kanë bërë në punë të mirë duke invevertarizuar pasurinë. Madje, Auditori thotë se komisioni në ShKK ka identifikuar pasuri pa barkode me vlerë 322,265€, të cilat nuk ishin migruar në sistemin E-pasuria, gjë që ka bërë që pasuritë nën 1,000€, të raportuara në RVF të jenë të nënvlerësuara.

Por, fajtor për këtë Auditori e ka bërë ministrin e Administratës Publike.

“Kjo ka ndodhur për shkak se Ministria e Administratës Publike (MAP) e cila është përgjegjëse për funksionimin e mirëfilltë të programit E-pasuria, nuk ka bërë aranzhimet e duhura me kompaninë përkatëse për mirëmbajtjen programit, dhe si rrjedhojë E-pasuria nuk ka funksionuar si duhet për të bërë migrimin e këtyre pasurive në sistem. Po ashtu edhe ShKK nuk kishte bërë përpjekjet e duhura për të bërë barkodimin e të gjitha pasurive”, thuhet në të gjeturën e raportit.

Auditori ka identifikuar një dobësi që është përseritur nëpër vite, e që ka të bëjë me gjen se nga vit në vit kishte vonesa ne pagesën e faturave.

“Nga 9 mostrat e testuara për faturat e papaguara kemi vërejtur se 4 fatura në vlerë 1,468€, nuk ishin paguar brenda afatit të paraparë ligjor. Vonesat ishin mbi 30 ditë. Kjo çështje po përsëritet nga viti në vit sidomos tek ShKK, për shkak të mungesës se mjeteve dhe vonesave në alokimin e buxhetit”, thuhet në raportin e Auditorit për ministrin e Drejtësisë për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2019.

Në raport përmendet se Ligji Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë neni 39, paragrafi 1, parasheh që: “Zyrtari Kryesor Financiar (ZKF) i organizatës buxhetore është përgjegjës për të siguruar që çdo faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagesë për mallrat dhe shërbimet e furnizuara dhe/ose punët e realizuara për organizatën buxhetore, të paguhet brenda tridhjetë (30) ditëve kalendarike pas pranimit të faturës ose kërkesës për pagesë nga organizata përkatëse buxhetore”.

Sipas raportit, mos kryerja e obligimeve brenda afatit të paraparë ligjor ndikon në rritjen e borxheve si dhe në rritjen e mundësisë së padive gjyqësore ndaj Ministrisë. Prandaj ministrit iu rekomandua se duhet të siguroj se të gjitha obligimet e papaguara do të paguhen brenda afatit të përcaktuar ligjor në mënyrë që të shmangen pagesat përmes procedurave përmbarimore.

Si në vitin 2018 ashtu edhe në vitin 2019 u evidentuan mangësi në realizimin e pagesave. Në 2019-ën, Auditori gjeti 16 pagesa ku ishin bërë gabime në hapa. Auditori, në vitin 2019, ka identifikuar 16 pagesa, me vlerë 504,531 për të cilat fillimisht ishte pranuar fatura e pastaj ishte bërë zotimi i mjeteve dhe urdhër blerja.

Sipas ShKK, kjo ka ndodhur për shkak se edhe gjatë vitit 2019 janë përballur me vështirësi në alokimin e mjeteve me kohë, dhe me probleme në sistemin e thesarit për të realizuar pagesat.

Auditori tregon se hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme ka ndikuar në krijimin e obligimeve të cilat e rëndojnë buxhetin e vitit pasues dhe Ministrit iu rekomandua që fillimisht të bëhet zotimi i mjeteve.

“Ministri duhet të siguroj se respektohen hapat e përcaktuar me rregullat në fuqi sa i përket realizimit të pagesave në mënyrë që gjatë procedimit të pagesave, të bëhet fillimisht zotimi i mjeteve, pastaj të nxirret urdhërblerja dhe në fund të pranohet malli/shërbimi dhe të kryhet pagesa”, rekomandon Auditori.

Auditori sqaron se Rregulla financiare Nr.01/2013 përcakton që fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, më pas zotimi i mjeteve, të procedohet urdhër-blerja, pastaj të pranohet malli apo shërbimi, dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa.

Zyra Kombëtare e Auaditimit ka konstatuar se në ministrin e Drejtësisë nuk janë marrë parasysh rekomandimet e bëra nga auditori i brendshëm.

Nga 29 rekomandime të dhëna nga auditori i brendshëm, sipas ZKA-së, vetëm 14 janë zbatuar, kurse 11 janë në proces dhe katër (4) të pa zbatuara.

“Shkaku i mos zbatimit të rekomandimeve është mungesa e një procesi formal të monitorimit të tyre nga menaxhmenti, si dhe mungesa e pro-aktivitetit të komitetit të auditimit për të shtyrë përpara këtë proces”, thuhet në raportin e Auditorit të Jashtëm. Zbatim jo të kënaqshme të këtyre rekomandimeve pati edhe në vitet e kaluara.

Një dobësi tjetër e identifikuar nga Auditori i Jashtëm ka të bëjë me kontratat e punëtorëve.

“Në dy raste kemi vërejtur se kontratat ishin ripërtërirë më gjatë se 10 vite mirëpo të punësuarve nuk ju kishte dhënë kontrata me afat të pacaktuar. Kjo situatë është rezultat i neglizhencës së menaxhmentit për të ju dhënë kontrata të punësuarve ashtu siç e parasheh ligji”, thotë Auditori.[

Sipas Auditorit, mosdhënia e kontratave të punës punonjësve në pajtim me ligjin e punës, ndikon në diskriminim e të punësuarve dhe në trajtimin e tyre në kundërshtim me kërkesat ligjore. Prandaj u rekomanduar që Ministri, respektivisht drejtori i ShKK-së duhet të siguroj se pas përfundimit me sukses të periudhës provuese, punëtorëve do të ju rregullohet kontrata e punës në pajtim me kërkesat ligjore.