Ministria e Bujqësisë pagoi mbi 176 mijë euro për analiza që mund t'i kryente vetë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Bujqësisë kishte nënshkruar një kontratë në vlerë 176,199 euro me një operator ekonomik, për të kryer shërbime që mund të realizoheshin nga vetë Instituti Bujqësor i Kosovës që operon në kuadër të ministrisë.

Auditori ka gjetur se kontrata me titullin “Përkrahja e Fermerëve për analiza të tokës, trajnime, këshillime dhe rekomandime për rezultatin e analizave të tokës” ishte nënshkruar me datë 22 qershor 2018, përkundër faktit që analizat e tilla mund të realizohen nga IBK.

Kjo, sipas Auditorit kishte ndodhur për shkak të vendimit të gabuar të menaxhmentit të MBPZHR-së për kontraktimin e kryerjes së këtyre shërbimeve.

“Mos shfrytëzimi i resurseve njerëzore dhe teknologjike të cilat posedon Instituti Bujqësor dhe lidhja e kontratave me operator ekonomik privat ndikon në shpenzimin e pa arsyeshëm të fondeve buxhetore”, theksohet në raport.

Auditori rekomandon se ministri duhet të shqyrtoj arsyet dhe nevojën për prokurimin e shërbimeve të cilat ka mund t’i kryej vet IBK-ja, “Si dhe të siguroj se para inicimit të çdo aktiviteti të prokurimit, merret parasysh neni 9.4 i LPP-së në mënyrë që të mos kontraktohen jashtë shërbimet të cilat mund t’i kryejnë organet/institutet që operojnë brenda vet ministrisë”.