Kryetari i Rahovecit zotohet për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi është zotuar që deri në fund të vitit 2019 do t’i zbatojë të gjitha rekomandimet që kanë dalë nga raporti i fundit i Auditorit të përgjithshëm.

Komuna e Rahovecit në vitin e fundit ka marrë 13 rekomandime nga Auditori. Prej tyre, 4 janë zbatuar nga Komuna e Rahovecit, 5 kanë qenë në proces të zbatimit, 2 kanë mbetur të pa zbatuara kurse 2 janë mbyllur nga Auditori.

Por kryetari Latifi ka thënë se deri tani nga 13 rekomandime, Komuna e Rahovecit ka zbatuar plotësisht 9 rekomandime ndërsa 4 të tjerët janë zbatuar pjesërisht. Po ashtu Latifi është zotuar që deri në fund të vitit 2019 do t’i adresojnë të gjitha rekomandimet e Auditorit.

“Kemi filluar me hartimin e planit për adresimin e rekomandimeve të Auditorit. Për vitin 2018 kemi pas një sërë rekomandimeve, në këtë vit 9 rekomandime janë plotësisht të zbatuara, të tjerat janë pjesërisht, deri në fund të 2019 konsiderojmë që do t’i adresojmë të gjitha”, ka premtuar Latifi.

Zëvendës auditori i përgjithshëm, Ilir Salihu bëri thirrje që auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit mos të shihen si inspektorë.

“Jemi institucion në shërbim të menaxhmentit të institucioneve publike, nuk duhet të shihemi si kontrollues e inspektorë se nuk e kemi atë rol por ne jemi që të identifikojmë çështjet që janë me interes”, është shprehur Salihu.

Më tej Salihu tha se rekomandimet e ZKA-së vijnë si rezultat i bashkëpunimit me zyrtarët komunal jo nga zyra qendrore.

“Ju duhet me qenë bashkëpunues në identifikimin e çështjeve në mënyrë që me pas përmirësim, bashkëpunimi ndihmon në ngritjen e cilësisë”, tha Salihu.

Kryetari Latifi ka deklaruar se nga rekomandimet që janë marrë në vitin 2018 duhet të hiqet ajo sa i përket zjarrfikësve se sipas tij nuk është në kompetencë të Komunës por të Ministrisë së Financave përkatësisht Departamentit për Emergjenca.

“Hiq një rekomandim që nuk është vendimmarrje e Komunës, kur kemi të bëjmë me zjarrfikësit. Shpresojmë që në 2021 të merr zgjidhje. I lutem Auditorit që t’i drejtohet Ministrisë së Financave që e kanë një departament për këtë çështje”, ka shtuar Latifi.

Ndërsa zëvendës auditori i përgjithshëm, Ilir Salihu ka thënë se do të bisedojë me Ministrinë e Financave për të adresuar këtë çështje.

Salihu ka kërkuar që Planet e Veprimit për zbatimet e rekomandimeve të Auditorit të mos hartohen sa për të kryer obligimin ligjor por të jenë reale dhe të mund të zbatohen në praktikë.

“Nuk po më pëlqen fakti që kur bëhen planet e veprimit bëhen me atë qasjen se po kryhet një obligim ligjor por nuk bëhen planet sipas një analize të mirëfilltë e realiste dhe ajo që shohim është një planifikim jorealist. Kam kërkesë për Komunën që të jenë realist në mundësinë që i kanë dhe resurset që i kanë”, ka parashtruar Salihu kërkesën për kryetarin Latifi.

Si përgjigje ndaj kësaj kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se është i vetëdijshëm që disa rekomandime nuk mund të adresohen për një kohë shumë të shkurtë.

“Jemi të vetëdijshëm që planet e veprimit nuk duhet me qenë mekanik. Kemi rekomandime që nuk kryhen as për një muaj as për 6 muaj”, shtoi Smajl Latifi.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka realizuar një analizë duke u bazuar në raportet e auditimit të Komunës së Rahovecit në katër vitet e fundit. Gjetjet kryesore të BIRN janë prezantuar nga Visar Prebreza, redaktor i BIRN, në një debat të organizuar në Kuvendin Komunal të Rahovecit para asamblistëve, drejtorëve komunalë dhe shoqërisë civile në Rahovec.

KALLXO.com vazhdimisht ka publikuar analiza sa i përket raporteve të auditimit të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Në këto analiza kanë shpërfaqur mangësitë, shkeljet dhe çështjet që janë identifikuar ndër vite nga ZKA.

Debati në Komunën e Rahovecit është organizuar nga BIRN me mbështetjen e Ambasadës britanike.

Analizën për Komunën e Rahovecit mund ta lexoni KËTU.

Pas Komunës së Rahovecit, debatet sa i përket raporteve të auditimit do të mbahen edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Debati në Komunën e Rahovecit është transmetuar live në platformën e KALLXO.com në Facebook.

Debat në Komunën e Rahovecit për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 20 septembre 2019