Agim Aliu, Foto:Agim Aliu, Facebook

Kryetari i Ferizajt s'ka raportuar për kontratat e dhënies në shfrytëzim të pronave komunale

Kryetari i Komunës së Ferizajt nuk ka raportuar në Kuvendin Komunal lidhur me monitorimin e realizimit të kontratave dhe përmbushjes së qëllimit të dhënies në shfrytëzim të pronave të paluajtshme, kjo sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, edhe pse kryetari kishte formuar një komision në vitet 2021 dhe 2022 për të monitoruar kontratat.

Kryetari obligohet sipas ligjit që në raportet gjashtë mujore t’i paraqes Kuvendit Komunal raportimin e veçantë për monitorimin e realizimit të këtyre kontratave.

Komisioni i viteve 2021 dhe 2022 kishte hartuar raporte, në të cilat janë gjetjet e moszbatimit të kontratave, por komuna nuk kishte ndërmarr veprime apo masa për t’i obliguar përfituesit t’i zbatojnë kontratat.

Mosraportimi i kryetarit ka bërë që Kuvendi të mos jetë i informuar lidhur me realizmin e kontratave dhe përmbushjes së qëllimit të dhënies në shfrytëzim të pronave të paluejtshme, “dhe në këtë mënyrë të mos ndërmerr asnjë veprim në funksion të zbatimit të kontratave”.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu rekomandohet që të siguroj raportime të rregullta, që Kuvendi Komunal të jetë i informuar dhe të ndërmerr veprimet e nevojshme në funksion të zbatimit të kontratave.

Më 19.07.2024, kryetari i Komunës ka konfirmuar se ka pranuar draft-raportin e ZKA-së dhe se brenda 30 ditëve do të dërgojë planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

Raportin e plotë të auditimit për Komunën e Ferizajt mund ta lexoni në këtë VEGËZ.