KPMM-së i rikthehen rekomandimet në disa fusha nga ana e Auditorit

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) kishte arritur t’i zbatojë të gjitha rekomandimet e auditorit gjatë vitit 2018 si dhe nuk pati pranuar asnjë tjetër në raportin e atij viti.

Por në raportin e fundit për vitin 2019, ZKA-ja i ka dhënë këtij institucioni pesë rekomandime për disa fusha, si për të hyrat, borxhet, lidhur me paga dhe mëditje si dhe për detyrimet e papaguara.

Ndërkaq, edhe në raportin për 2019-ën, Auditori ka gjetur sërish telashe në KPMM sa i përket operimeve ilegale në mjedis.

Sipas Auditorit, KPMM-ja gjatë vitit 2019 kishte identifikuar 194 raste (biznese/individë) që merren me pasurimin e lëndës minerale: si separacion i rërës dhe zhavorrit, separacion me gurëthyes, shfrytëzimi i bazës së betonit, të cilët nuk janë hasur duke zhvilluar aktivitete minerare, mirëpo ekzistojnë makineritë e gatshme për punë për të cilat bizneset nuk kanë leje të lëshuar nga KPMM për zhvillimin e aktiviteteve të veçanta.

Këtyre bizneseve/individëve Inspektorati u kishte vendosur shirita në hapësirat e mineraleve me masën e mos lejimit të ushtrimit të veprimtarisë minerare.

“Me rastin e kryerjes së ri-inspektimit ndaj këtyre bizneseve, inspektorati kishte identifikuar se në 31 raste (biznese/individë) kishin zhvilluar aktivitetin e tyre në mungesë të lejes për aktivitete të veçanta”, thuhet në raport.

Rekomandimet në raportin e vitit 2019 për KPMM-në, Burimi: Zyra Kombëtare e Auditimit

Auditori tutje ka theksuar se në 10 mostra kanë vërejtur se KPMM për të gjitha këto raste kishte aplikuar ndëshkimet konform kërkesave ligjore.

Ndërkaq, deri në fund të vitit 2019, 60 biznese apo operatorë ilegal kanë aplikuar për t’u pajisur me leje për aktivitete të veçanta. Bordi kishte aprovuar gjithsej 53 leje, për bizneset/individët, kurse pjesa tjetër edhe më tutje vazhdon të mos jetë pajisur me leje pune.

Sipas kryeinspektorit, arsyet e mos pajisjes me leje për këto biznese/individë janë: mos dhënia e pëlqimeve komunale nga ana e komunave, mungesa e pëlqimeve mjedisore, nuk kanë fusha të shfrytëzimit si dhe borxhet e mëdha të grumbulluara ndër vite ndaj KPMM-së dhe në pamundësi për t’i paguar.

Auditori thekson se mos pajisja e bizneseve me leje për ushtrimin e aktiviteteve të veçanta, mund të ndikoj që këto biznese të operojnë ilegalisht, ku për pasojë mund të ketë përdorim jo të drejt të vendburimeve, pasurive minerale dhe shkatërrimin e tyre, si dhe dështim në grumbullimin e të hyrave si dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

Menaxhimi joefikas i operimeve ilegale ka qenë ndër problemet më të theksuara për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale për 4 vjet me radhë (2014, 2015, 2016, 2017).

Për këtë periudhë kohore, Komisioni kishte identifikuar gjithsej 256 raste të operimeve ilegale në sektorin minerar dhe atë të mineraleve.

KALLXO.com, pak ditë më parë ka raportuar për një aksion të KPMM-së në rajonin e Gjakovës kundër krimit mjedisor.

Nxjerrja e kundërligjshme e zhavorrit në rajonin e Gjakovës, Foto: KPMM

Ndërkaq, edhe problemet me borxhet KPMM-ja nuk ka arritur t’i mënjanojë as në vitin 2019.

Sipas Auditorit, KPMM-ja nuk kishte vendosur një proces efektiv në menaxhimin e llogarive të arkëtueshme (borxheve) duke qenë se rritja e tyre vazhdon për vite me radhë.

Borxhet në fund të vitit 2019 ishin 28,099,676 euro, që krahasuar me vitin paraprak janë rritur për 2,231,530 euro apo 8%.

“Me synim të menaxhimit më efikas dhe zvogëlimit të vlerës së llogarive të arkëtueshme, KPMM në vitin 2019 kishte arritur marrëveshje me 63 kompani për programimin e borxhit (pagesë e borxhit me këste). Prej tyre, në 12 raste kompanitë nuk i janë përmbajtur kushteve të marrëveshjes dhe në këto raste KPMM ka aplikuar interesin në mënyrë retroaktive për tërë vitin”, thuhet në raport.

Më tej, Zyra Ligjore kishte ndërmarrë veprime dhe kishte ngritur kallëzime penale në Gjykatat Themelore ndaj 47 bizneseve/individëve.

Sipas raportit, një ndër shkaktarët e rritjes së borxheve kishte të bënte me një subjekt (ndërmarrje publike) e cila ushtronte veprimtarinë e saj dhe raportonte në baza tremujore për zhvillimin e aktivitetit minerar dhe shfrytëzimin e xeheve, mirëpo nuk i kishte paguar obligimet e raportuara deri në fund të vitit 2019. “Shuma e borxhit nga ky subjekt arrin në vlerë prej 15,504,457€ apo 55% e totalit”.

Në raportin për vitin 2018 se thuhet se vlera totale e llogarive të arkëtueshme kishte arritur në 25 milionë e 868 mijë e 147 euro.

Kurse, vetëm për vitin 2018 llogaritë e arkëtueshme (borxhet) kapnin shumën prej 2 milionë e 846 mijë e 105 euro. “Llogaritë e arkëtueshme përbëhen kryesisht nga renta minerare (73%), gjobat e ndryshme (23%) dhe taksat administrative (3.7%)”, thuhet në raportin e Auditorit.

Tutje auditori ka thënë se rritje e borxheve kishte ndodhur përkundër që menaxhmenti i KPMM-së kishte ndërmarrë të gjitha veprimet e kërkuara.

Tutje në raportin për vitin 2019, në KPMM është gjetur se ka pasur avancim të brendshëm të stafit pa plan paraprak të rekrutimit.

Gjatë vitit 2019, KPMM kishte realizuar tetë procedura të brendshme të rekrutimit apo avancim të stafit. “Këto pozita të reja nuk ishin planifikuar në planin vjetor të personelit dhe njëkohësisht nuk kishte konfirmim të disponueshmërisë së mjeteve për pozitat përkatëse. Po ashtu, as në Strukturën Organizative të organizatës nuk janë të parapara këto pozita”, thuhet në raport.

Kjo kishte ndodhur me arsyetimin se kishte mjete të lira në kategorinë ekonomike të pagave, dhe se MAP kishte bërë aprovimin e këtyre pozitave gjatë muajit shtator 2019.

KALLXO.com ka raportuar për gjetjet e Auditorit në vitin 2018, si dhe për sfidat në katër vite të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).