Konkurse të pasukseshme, UP-së i teproi buxheti i 2019-tës për afër 300 punëtorë

Dështimi i konkurseve në vitin 2019 dhe problemet që solli pandemia në vitin 2020 kanë bërë që Universiteti i Prishtinës të mos arrijë të plotësojë numrin e stafit (akademik dhe administrativ) sa ishte paraparë me buxhetin e këtij institucioni arsimor,

Më saktësisht, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, UP harxhoi në total buxhetin e vet për paga dhe meditje për 91 për qind dhe numri i pozitave që mbesin të paplotësuara është 295.

Mungesa e stafit akademik përveç problemeve të zhvillimit të studimeve në shumë programe të Universitetit të Prishtinës, shpesh ka çuar edhe në rrezikimin e akreditimit të disa fakulteteve për shkak të kritereve që kërkojnë numër të caktuar të bartësve të programit.

Në anën tjetër, konkurset në Universitetin e Prishtinës, sidomos ato për staf akademik janë bërë vatër e pakënaqësive nga kandidatët që pretendojnë se po diskriminohen duke hedhur dyshime edhe nepotizëm brenda katedrave.

Gjetja e Auditorit dhe arsyetimi i Universitetit “Hasan Prishtina”

“Raportin Vjetor të Auditimit për Vitin 2019” të  Zyrës Kombëtare të Auditimit theksohet mosplotësimi i pozitave të lira brenda universitetit

“Universiteti i Prishtinës, arsyeja për mosplotësimin e 295 pozitave ishte dështimi në konkurset e shpallura si dhe mos shpallja e konkurseve.”, thuhet në raportin e ZKA-së.

KALLXO.com ka kontaktuar me ZKA-në dhe Universitetin e Prishtinës për të kuptuar se për cilat konkurse saktësisht bëhet fjalë.

Sipas Zyrës së Auditorit, kjo nuk është një e gjetur, por një përshkrim ku prezantohet diferenca e numrit të punonjësve sipas buxhetit (i planifikuar) dhe numrit aktual sipas Pasqyrave Financiare.

“Gjatë auditimit të vitit 2019, ne kemi kërkuar shkakun e mos shpenzimit të buxhetit në paga dhe mëditje (91%), dhe sipas përgjigjes së marrë nga UP kjo ka ndodhur si rezultat se nuk kishte të punësuar të rinj ne këtë vit (pasojë e anulimeve të konkurseve në mungesë të kandidatëve të suksesshëm). Pra, çështja eshët trajtuar nga perspektiva e shpenzimit të buxhetit të pagave, dhe se nuk ishte objektiv e auditimit anulimi i konkurseve.”, ka thënë Saranda Husaj Baraliu, Drejtoreshë e Departamentit për Komunikim dhe Zhvillim Profesional, në ZKA.

Ndërsa, sipas UP-së disa nga pozitat kanë mbetur të pa plotësuara si pasojë e pensionimit të stafit dhe pamundësisë së marrjes së stafit të ri.

“Vitin e kaluar një numër i pozitave kanë mbetur vakante si pasojë e pensionimit të një pjese të stafit, ndërkaq disa nga pozitat ekzistuese nuk kanë arritur të plotësohen gjatë asaj periudhe”, thuhet në përgjigjen e UP-së.

Sipas tyre, menaxhmenti është duke e trajtuar këtë çështje dhe është në proces të pranimit të analizave dhe raporteve me nevojat e njësive akademike për staf akademik dhe administrativ, për të vazhduar më pastaj me procedurat vijuese.

Ata nuk kanë dhënë detaje se sa nga pozitat vakante janë staf akademik e sa janë staf administrativ.

Sfidat ekzistuese

Përveç se mungesa e stafit të paraparë me buxhet ishte gjetje brenda raportit për vitin 2019, sipas UP-së kjo problematikë është shfaqur dhe mund të jetë përkeqësuar gjatë 2020-tës.

Kjo për shkak se pas situatës me COVID-19 janë vendosur kufizime sa i përket punësimit të stafit.

Gjithashtu ata përmendim edhe pezullimin e Ligjit për Zyrtarët Publik.

“Vlen të përmendet që, si pasojë e pandemisë Covid-19, nga data 12/03/2020 janë vendosur kufizime duke kërkuar nga të gjitha institucionet që të punohet me personel esencial. Përveç kësaj, meqë Ligji për zyrtarët publik ka qenë i pezulluar dhe në vlerësim kushtetues, UP-ja nuk ka pasur mundësi të procedojë me konkurse për rekrutim të personelit, për arsye se sipas Ligjit në fjalë, zyrtarët administrativ nuk bëjnë pjesë në kuadër të nëpunësve civilë por kanë status të nëpunësve të shërbimeve publike.”, thuhet tutje.

Sipas Ligjit NR. 06/L – 114, për Zyrtarët Publik, Nënpunës i Shërbimit Publik është: “Personeli i nivelit të lartë drejtues, drejtues, profesional dhe i shërbimeve të brendshme në administratën e shërbimeve publike, pjesë e administratës shtetërore apo në administratën e shërbimeve publike, pjesë e një komune të cilët ofrojnë shërbime publike të drejtëpërdrejta për qytetarët në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës, artit si dhe shërbime tjera të ngjashme publike.”.

Kujtojmë se në korrik, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim kishte publikuar një raport që thotë se 55 për qind e profesorëve tashmë të punësuar e avancuar në UP, nuk i justifikojnë titujt e tyre.