ILUSTRIM

Komuna e Skenderajt nënshkroi një kontratë pa pasur buxhet të mjaftueshëm

Zyra e Auditorit ka gjetur se Komuna e Skenderajt ka nënshkruar një kontratë në vitin e kaluar pa pasur mjete financiare të mjaftueshme.

Auditori ka gjetur se me datën 14 nëntor 2019, Komuna që udhëhiqet nga Bekim Jashari kishte nënshkruar kontratën për “Ndërtimin e poligoneve sportive” me vlerë 54,528 euro, e që sipas kontratës për vitin 2019 janë paraparë 35,000 euro, ndërsa për këtë vit 19,528 euro.

“Mirëpo sipas ligjit të buxhetit për vitin 2019, për ketë projekt janë paraparë 35,000€, ndërsa për vitin 2020 nuk ka mjete të planifikuara për shpenzim. Pra, komuna ka hyrë në obligime kontraktuale në kundërshtim kërkesat e nenit 12.6 të ligjit të buxhetit 2019”, thuhet në raportin e vitit 2019.

Sipas Auditorit, kjo gjendje ishte për shkak të mungesës së njohurive lidhur me kërkesat specifike të ligjit të buxhetit.

“Nënshkrimi i kontratës në mungesë të mjeteve të mjaftueshme mund të pengojë realizimin e kontratës si dhe mund të ndikojë në prolongimin e realizimit të projekteve të planifikuara”, vijon tutje raporti.

Auditori ka rekomanduar se kryetari duhet të sigurojë që kontratat tё nënshkruhen vetëm atëherë kur ekzistojnë fonde të mjaftueshme që sigurojnë ekzekutimin e tyre, pa marrë parasysh nëse financimi i tyre është nga të hyrat vetanake apo fonde tjera të financimit.