Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prishtinës nuk i ka të evidentuara si pasuri 43 banesa dhe disa ish objekte të gjykatave

Komuna e Prishtinës në regjistrin e pasurisë kontabël nuk kishte evidentuar ende 43 banesa komunale të dhëna në shfrytëzim, ish-objektin e Gjykatës së Apelit, ish objektin e Gjykatës Komunale, ndërtesat ku ndodhen Drejtoria e Inspeksionit dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit. Po ashtu, edhe toka e shpronësuar për interes publik, nuk ishte regjistruar si pasuri e Komunës.

Kështu thuhet në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të kësaj komune.

Sipas ZKA-së, Komuna nuk përdorë sistemin e-Pasuria, ky sistem është jofunksional për shkak të problemeve në mirëmbajtjen e tij (përgjegjësi e MAP-it)

Ndërsa, sipas zyrtarëve komunal pritet që gjatë vitit 2021 të rregullohet kjo çështje, duke integruar tabelën me të dhënat e plotësuara (edhe për vitin 2020). Ndërsa për regjistrimin e objekteve të cilat janë në pronësi të Komunës theksojnë se duhet të formohet një komision profesional për t`i vlerësuar fillimisht, pastaj të evidentohen në regjistrat përkatës.

Raporti i Auditimit potencon se, mosfunksionimi i sistemit e-Pasuria pamundëson menaxhimin dhe kontrollin efektiv të pasurisë nën 1,000 euro.

Po ashtu, mbajtja dhe evidentimi manual i të dhënave paraqet rrezik për lëshimin e gabimeve dhe ofron mundësi edhe të keqpërdorimit të këtyre pasurive. Mos regjistrimi i të gjitha pasurive, ndikon në informimin e pasaktë të palëve të interesit.

Sipas ZKA-së, Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prishtinës, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme.