Komuna e Podujevës nënshkroi tri kontrata mbi 200 mijë euro pa pasur fare projektin ekzekutiv

Në tri raste, Komuna e Podujevës nënshkroi kontrata pa hartuar projekt ekzekutiv.

Përmes projektit ekzekutiv shihet në detaje se si do të duket projekti për të cilin po nënshkruhet kontrata.

“Rastet ishin te projekti “Asfaltimi i rrugëve në qytet Lot I” me vlerë 143,954€, “Asfaltimi i rrugëve në qytet Lot III” në vlerë 117,843€, dhe “Rrethojat e oborreve të shkollave” në vlerë 46,800€” – thuhet në raportin e Auditimit për vitin 2023.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo ndodhi për shkak se kishte mungesë të planifikimit të duhur para fillimit të tenderimit.

“Mungesa e projektit ekzekutues mund të shkaktoj vështirësi në realizimin e projekteve gjatë fazës së ekzekutimit, dhe rritë rrezikun që gjatë procesit të ekzekutimit të projekteve të paraqiten pengesa të ndryshme si në aspektin profesional, ashtu edhe në vonesat e punimeve apo edhe në rritjen e kostove të projekteve” – thuhet tutje në raport.

Shpejtim Bulliqi, si kryetar i Podujevës rekomandohet që të sigurojë forcimin e kontrolleve dhe monitoroj zbatimin e kërkesave ligjore, që me rastin e inicimit të procedurave të prokurimit për kontraktimin e punëve të sigurohet paraprakisht hartimi i projekteve në përputhje me nevojat dhe kërkesat e parashikuara.

Komuna e Podujevës u pajtua me këtë gjetje të ZKA-së.

Kjo Komunë ka pranuar opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore. Ky opinion jepet kur janë zbuluar keq-deklarime dhe/ose mos-pajtueshmëri, qoftë një i vetëm apo një grumbull, që janë të barabartë me ose e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare si tërësi; ose kur keq-deklarimi dhe/ose mos-pajtueshmëria e zbuluar brenda një klase të caktuar transaksionesh është i barabartë me ose tejkalon nivelin e materialitetit më të ulët të vendosur për këtë klasë të transaksioneve. Formulohet gjithashtu nëse ka kufizim të fushëveprimit, i cili mund të mos shpie në shmangie të keq-deklarimit(eve) material(e).

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i ka dërguar ZKA-së letër konfirmimi për pranimin e raportit të auditimit me ç’rast është pajtuar me gjetjet dhe i ka thënë ZKA-së që brenda 30 ditëve do të dorëzoj një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

Raporti i auditimit për vitin 2022 përmbante 14 rekomandime për Komunën e Podujevës, nga to pesë janë zbatuar, një është i mbyllur dhe tetë nuk janë zbatuar.

Raporti i plotë i Auditimit për Komunën e Podujevës mund ta qasni në këtë VEGËZ.