Ilustrim

Komuna e Podujevës kishte blerë kamion të zjarrfikësve me kosto mbi 69 mijë euro pa procedurë prokurimi

Raporti i Auditorit për Komunën e Podujevës për vitin 2020, ka gjetur se kjo komunë kishte blerë një kamion të zjarrfikësve, pa procedurë të prokurimit.

Sipas Raportit të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Komuna e Podujevës kishte lidhur kontratë për blerjen e një kamioni për departamentin e zjarrfikësve, në vlerë prej 69 mijë e 500 eurove, duke anashkaluar procedurat e përcaktuar të prokurimit publik.

“Komuna kishte nënshkruar një marrëveshje me Ambasadën Japoneze, ku financimi ishte nga Qeveria Japoneze, por që në marrëveshje nuk kishte ndonjë kusht që e përjashton aplikimin e procedurave të prokurmit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas marrëveshjes në mes të Komunës dhe donatorit, nuk është parashikuar zbatimi i rregullave ose procedurave të prokurimit, saktëson raporti.

“Mosaplikimi i procedurave të prokurimit, zvogëlon konkurrencën dhe transparencën për shpenzimin e parasë publike dhe komuna mund të marrë produkte me çmime jo të favorshme”, nënvizon raporti i auditues.

Ndërsa si rekomandim, ZKA-ja ka thënë se kryetari i Komunës duhet të sigurohet se blerja e shërbimeve apo produkteve, duhet të bëhet sipas procedurave adekuate të prokurimit. Sipas ZKA-së, në rastet kur financimi është nga donatorët, duhet të definohet me marrëveshje të financimit se çfarë procedura të prokurimit parashikohen të zhvillohen.