Gazmend Muhaxheri - Kryetar i Pejës

Komuna e Pejës pagoi 552 mijë e 196 euro borxhe pas afatit

Raporti i Auditorit ka gjetur se Komuna e Pejës është treguar borxhli jo i mirë, në 13 raste faturat në vlerë totale 552 mijë e 196 euro janë paguar pas afatit i cili zgjat 286 ditë.

Muhaxheri në debatin për gjetjet e auditorit në komunën e Pejës ka thënë se kjo ka ndodhur për arsye të dështimit të aprovimit të buxhetit nga Qeveria.

“Kur Qeveria dështon në aprovim të buxhetit, në këto 4 vite thuajse tri herë buxheti i Republikës së Kosovës nuk është aprovuar në muajin dhjetor po është aprovuar në shkurt, mars ose prill dhe janë 90 që nuk ka mundësi as me vepru as me i pagu faturat, dëmi më i madh neve si komunë na bëhet kur është buxheti i Qeverisë dhe ai grant më neve nuk na bartet për vitin tjetër, neve ai operator na len në borxhe sepse duhet me pagua prej pozicioneve tjera e jo prej pozicionit të grantit qeveritar. Vitin e kaluar kemi pasur buxhetin në rregull për ti bërë pagesat por në disa raste nuk ka qenë e mundshme për tu ekzekutuar”, ka thënë Muhaxheri në debatin e mbajtur sot.

Përveç kësaj Auditori në këtë komunë ka gjetur ngecje edhe në mbledhjen e borxheve.

“Tek kjo pjesa e borxheve është kryesisht të tatimi në pronë dhe një pjesë e borxhlinjve janë njerëz që kanë vdekur. Borxhlinjtë më të mëdhenj nuk janë qytetarët e thjeshtë por janë kompanitë apo tatim paguesit që ju kanë shmang dhe presin me i ikë pagesave” shpjegoi Muhaxheri.

Në debatin e zhvilluar për rekomandimet dhe gjetjet e Auditorit në Komunën e Pejës përveç kryetarit të Pejës pjesëmarrës ishin edhe asamblistë nga radhët e partive politike, përfaqësues nga BIRN, Arian Haxha nga Zyra Kombëtare e Auditimit, etj.

Në debatin e sotëm për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit në komunën e Pejës, kryetari Gazmend Muhaxheri foli për gjetjet e të paktën dy rrugëve të asfaltuara ku nuk kanë qenë tokat e shprosuara.

Muhaxheri tha se rrugët dhe rrugicat që janë të regjistruara në komunën e Pejës janë të regjistruara në vitin 1930, dhe prej atëherë janë hap rrugë të reja por bartjet nuk janë bërë në kadaster.

“Me nis me i kry na procedurat e shpronsimit kish me qenë procedurë shumë e gjatë, për atë arsye ne shumicën e rrugëve që i kemi asfaltuar është bërë asfaltimi i rrugëve ekzistuese, nuk jemi hi me i qel rrugën e re por janë asfaltuar rrugët ekzistuese në fshatra”, tha Muhaxheri.

Ai tha se që është identifikuar problemi i rrugës të Maja e Zezë,

“ I kemi kryer procedurat e shpronësimit, e kemi dërgua procedurën në asamble, ka kaluar por i kemi paguar vetëm 1 nga 32 shpronsimet e nevojshme sepse tokat që duhet të shpronësohen nuk janë në emër të pronarit të tashëm që duhet me u konpenzu” tha ai.

Muhaxheri tha se personat do të kompenzohen kur të kryhet procesi i shpronësimit.

Në gjetjet e auditorit për asfaltimin e të paktën dy rrugëve ku nuk kanë qenë tokat e shpronsuara thuhet se është rrezik që në të ardhmen me u padit si komunë.