Arkiv: Ndertesa e Komunes se Mitrovices

Komuna e Mitrovicës nuk arrin të zbatojë shumicën e rekomandimeve të Auditorit

Komuna e Mitrovicës së Jugut është përballur me moszbatueshmëri të shumicës së rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditorit në raportin e fundit për vitin 2019 për këtë komunë.

Sipas Auditorit, nga raporti për vititn 2018 të Komunës së Mitrovicës së Jugut ka rezultuar në 16 rekomandime.

Por ZKA thekson se edhe pse menaxhmenti kishte dhënë komentet se rekomandimet janë adresuar apo në proces, janë identifikuar që 10 rekomandime nuk ishin zbatuar.

“Deri në fund të auditimit tonë për vitin 2019, katër (4)rekomandime janë zbatuar, dy (2) rekomandime janë konsideruar të mbyllura, ndërsa 10 rekomandime nuk ishin zbatuar ende”, thuhet në raport.

KALLXO.com, vitin e kaluar kishte publikuar një analizë katër vjeçare lidhur me raportet e auditimit për Komunën e Mitrovicës së Jugut, ku mes tjerash ishte theksuar sfida e kësaj komune në adresimin dhe implementin e rekomandimeve.

Gjatë asaj kohe, komuna kishte pranuar një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve dhe pak prej tyre ishin zbatuar.

Institucioni në fjalë kishte  pranuar një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve në vitet 2015 dhe 2016 me 47 sosh, përderisa numri kishte rënë në vitet rendëse 2017 dhe 2018-ën me 33 rekomandime.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në vitin 2015 komunës i kishte dhënë 25 rekomandime, në 2016-ën 22 rekomandime, për 2017-ën 17 rekomandime dhe në vittin 2018, 16  rekomandime.

Disa nga problemet e përsërita për komunën që udhëhiqet nga kryetari Agim Bahtiri, mbetet edhe angazhimi i personave me kontrata mbi vepër.

Në raportin për vitin 2019, Auditori ka bërë të ditur se Nga 23 të angazhuar përmes marrëveshjes për shërbime të veçanta, në katër raste, komuna kishte lidhur marrëveshje për shërbime të veçanta pa procedurë rekrutimi dhe në të katër rastet, të angazhuarit ishin për pozita të rregullta dhe nuk kishin të bënin me punë specifike.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur se në vitin 2015 këshilltarët e Kuvendit Komunal ishin paguar edhe pasi kishin dhënë dorëheqje nga pozita.

Ndërkaq, në 2016-ën Auditori ka gjetur se për kryerjen e aktiviteteve në administratën komunale dhe për shërbime të parkingjeve, komuna kishte angazhuar 15 punëtorë me kontratë për shërbime të veçanta.

Edhe në 2017-ën Komuna e Mitrovicës kishte angazhuar 32 punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta.

Gjithashtu, Komuna kishte angazhuar 46 punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta edhe në vitin 2018.

Ngecjet e përsëritura në prokurim

Parregullsi në procedurat e prokurimit në Komunën e Mitrovicës ka identifikuar Auditorit në raportin për vitin 2019.

Sipas raportit, për dy projekte me vlera të mëdha, kontratat e lidhura mes komunës dhe operatoreve ekonomik ishin nënshkruar nga udhëheqësi i zyrës së prokurimit, mirëpo nuk ishin nënshkruar nga Kryetari i Komunës, duke shpërfillur kërkesën specifike të LPP-së, përkatësisht Nenit 26, që kontratat me vlera të mëdha, përveç menaxherit të prokurimit duhet të nënshkruhen edhe nga Zyrtari Kryesor Administrativ, përkatësisht Kryetari i Komunës.

Nënshkrimet e përcaktuara sipas këtij neni, konfirmojnë dhe pranojnë të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në kontratë, në të kundërtën kontratat janë të pazbatueshme.

“Pas vërejtjes nga ana e jonë kontratat ishin nënshkruar nga ana e Kryetarit”, thekson ZKA-ja.

Gjithashtu, komuna kishte zhvilluar jashtë planit të prokurimit procedurat e tenderimit për projektin “Ndërtimi i monumentit të masakrës së tregut”, duke mos e njoftuar, AQP-në ashtu siç kërkohet me nenin 9.6 të LPP-së për procedurat të cilat nuk janë të përfshira në planin vjetro të prokurimit .

Në një tjetër rast, me datë 04.02.2019 komuna kishte nënshkruar kontratë në vlerë financiare 2,468,275 euro për projektin “Ndërtimi, rregullimi dhe riparimi i rrugëve dhe trotuareve në bashkëfinancim me qytetaret“.

Por, sipas auditorit, kontrata në fjalë nuk ishte prezantuar në raportin vjetor të kontratave publike, ashtu siç kërkohet me nenin 87 të LPP-së, që çdo kontratë e nënshkruar të prezantohet në raportin vjetor të kontratave duke identifikuar me detaje të arsyeshme të gjitha furnizimet, shërbimet dhe punët që autoriteti kontraktues i ka zhvilluar gjatë vitit gjatë vitit.

“E gjithë kjo ka ndodhur si rezultat i kujdesit jo të duhur profesional nga ana e menaxhmentit të lartë dhe zyrtarëve përgjegjës në respektimin e kritereve të përcaktuara në ligj”, thuhet në raport.

Dobësi në prokurim në këtë komunë ishin gjetur edhe në vitet paraprake.

Për 2015-ën, Auditori ka gjetur komuna kishte anashkaluar procedurat e prokurimit.Sipas raportit, Komuna kishte lidhur dy kontrata për shërbime kontraktuese duke mos zhvilluar procedurat e prokurimit.

Edhe për  2016-ën, Auditori kishte gjetur  dobësi në fushën e prokurimit në Komunën e Mitrovicës.

Në vitin 2018 Komuna e Mitrovicës kishte nënshkruar kontrata jashtë planit të prokurimit për nevoja të QKMF-së në këtë qytet.

Edhe në vitin 2018, Komuna e Mitrovicës kishte nënshkruar kontrata jashtë planit të prokurimit.

Ndërkaq, sipas raportit të fundit për vitin 2019, Auditori, mes tjerash ka gjetur se Komuna e Mitrovicës lëshoi leje ndërtimi 8 muaj para pëlqimit nga Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit. Si dhe kjo komunë pagoi mbi 19 mijë euro mësuesit pa kontrata pune.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!