Komuna e Klinës në 9 raste pranoi fillimisht mallrat dhe faturat, pastaj bëri kërkesën për blerje

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Klinës në nëntë raste nuk ka ndjekur hapat për procedimin e pagesave pasi fillimisht është bërë pranimi i mallit dhe i shërbimeve/furnizimeve dhe faturave e pastaj është lëshuar zotimi dhe urdhërblerja.

Në raportin e auditimit të vitit 2023, kjo ishte si pasojë e dështimit të kontrolleve nga zyra e financave dhe prokurimit pasi që zyrtari zotues dhe zyra e prokurimit nuk i kishin respektuar hapat për procedim të pagesave sipas rregullës financiare.

Neni 22 i Rregullës Financiare Nr.01/2013/MF – Shpenzimi i parave publike, përcakton hapat për procedimin e pagesave, sipas të cilave fillimisht bëhet Kërkesa për blerje, lëshohet urdhërblerja, bëhet pranimi i mallit/shërbimit, pastaj Operatori Ekonomik sjellë faturën për pagesë.

ZKA ka potencuar se mosrespektimi i hapave për procedimin e pagesave mund të shkaktojë rritjen e obligimeve komunale ndaj operatorëve ekonomikë.

“Kryetari duhet të sigurojë se janë forcuar kontrollet e brendshme në procesin e ekzekutimit të pagesave. Procedimi i pagesave duhet të bëhet sipas kronologjisë se ngjarjeve dhe në pajtim të plotë me hapat e përcaktuar me rregullën financiare për shpenzimin e parave publike” – thuhet në rekomandimin e ZKA-së për të parin e Komunës së Klinës.

Komuna e Klinës është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së.

Kjo komunë ka pranuar Opinion të pamodifikuar. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë hartuar në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Në raportin e vitit 2023, Komuna e Klinës ka marrë tetë rekomandime, prej tyre, dy të reja, pesë të përsëritura dhe një pjesërisht të përsëritur. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitin 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.

Ndërsa në raportin e vitit 2022, Komuna e Klinës kishte marrë 12 rekomandime nga ZKA. Deri në përfundim të procesit të auditimit për vitin 2023 nga ZKA, pesë rekomandime janë zbatuar, një është mbyllur, një ishte në zbatim dhe pesë nuk janë zbatuar.

Raportin e plotë të ZKA-së për vitin 2023 me të gjitha rekomandimet dhe gjetjet për Komunën e Klinës mund ta gjeni KËTU.

Komuna e Klinës përdori kritere të dyfishta për subvencionimin e fermerëve