Komuna e Gjilanit, parregullsi në tenderë e ndarje të subvencioneve

Parregullsi të shumta janë evidentuara nga Auditori i Përgjithshëm në prokurim dhe ndarje të subvencioneve në Komunën e Gjilanit.

Në raportin e Auditimit për vitin 2019 për Pasqyrat Financiare, thuhet se komuna e udhëhequr nga Lutfi Haziri ju ka ndarë subvencione fermerëve të njëjtë dy e më shumë herë.

“Gjatë analizës së gjashtë subvencioneve të dhëna nga Komuna e Gjilanit, në tri prej tyre të dhëna për ‘Furnizim të bletarëve me shtëpiza tre-katëshe të tipit L&R’, ‘Ngritjen e 15 hektarëve me kulturën e arrës’ dhe për ‘Mekanizma Bujqësor’, kemi gjetur se një numër i fermerëve ishin përfitues të dy e më shumë subvencioneve”, thuhet në raport.

Sipas auditorit dhënia e shumëfishtë e subvencioneve për përfituesit e njëjtë duke i privuar të tjerët përfitues madje edhe nga përfitimi i njëhershëm, përveç që shfaq dyshime mbi korrektësinë e dhënieve të subvencioneve, gjithashtu ndikon në dëmtimin imazhit të Komunës dhe dekurajon fermerët për të aplikuar për subvencione në të ardhmen.

Drejtoria e Bujqësisë, iu ishte arsyetuar auditorit se personat e njëjtë që kanë përfituar më shumë se një herë subvencione është sepse disa prej tyre janë të vogla për nga vlera, kështu që nuk është parë e arsyeshme të eliminohen përfituesit e njëjtë.

Kryetari sipas auditorit duhet të sigurojë se subvencionet do të jepen në pajtim me Rregulloren e Komunës, ku një fermer nuk mund të jetë përfitues më shumë se një herë brenda vitit.

“Përndryshe të shqyrtohet mundësia e ndryshim-plotësimit të rregullores për dhënie të subvencioneve”, thuhet në raport.

Shkelje janë evidentuar edhe në prokurim. Auditori ka gjetur se komuna e Gjilanit kishte shpërblyer me kontratë biznesin e papërgjegjshëm.

“Tek procedura e prokurimit ‘Vërbicë e Zhegovcit – Sllovi’ në vlerë 1,346,909 euro kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3, si dhe operatori ekonomik duhet të posedojë dy grejder minimum 12 ton. Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Shkelje të ngjashme janë gjetur edhe në tenderin ‘Ndërtimi i rrugës së Kumanovës faza e II’ në vlerë 2,388,853 euro.

“Kërkesë e dosjes së tenderit ishte që operatorët ekonomik të kenë ekskavator të kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3, të kenë çekiç pneumatik, dhe një inxhinier apo bachelor të hidroteknikës me përvojë profesionale minimum 2 vite pas diplomimit në realizimin e projekteve të ngjashme dhe të caktohet me shkresë dhe të jetë nënshkruar nga inxhinieri dhe kompania. Operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dëshmi se i plotëson këto kërkesa të dosjes së tenderit, dhe as dëshmi për kualifikimin dhe përvojën profesionale të inxhinierit të hidroteknikës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Komuna e udhëhequr nga Lufti Haziri kishte bërë shkelje të ngjashme edhe nëpër tender të tjerë, pra duke i shpërblyer me kontratë bizeset nuk i plotësonin kërkesat që dilnin nga dosja e tenderit.

Në tenderin ‘Asfaltimi i rrugëve në Livoçin e Ulët’ në vlerë 466,026 euro biznesin që e kishte fituar kontratës nuk kishte dorëzuar dëshmi se i plotëson kërkesat që dilnin nga dosja e tenderin, sic është posedimi i një ekskavatorit me “kapacitetit 04-1m3 dhe 3-4m3 dhe grejder minimum 12 ton, dhe të kenë çekiç pneumatik”.

Edhe në tenderin për “Hapja e rrugëve sipas planeve rregulluese” në vlerë 377,477 euro kontrata i ishte dhënë biznesit që nuk i plotësonte kriteret e dosjes së tenderit,

“Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve dhe njohurive të kërkesave specifike të dosjes së tenderit nga komisionet e vlerësimit. Nuk na janë dhënë arsye për këto të gjetura nga ana e zyrtarëve komunal”, thuhet në raportin e Auditorit.

Shpërblimi me kontratë i operatorëve ekonomik të cilët mund të mos i plotësojnë kërkesat dosjes së tenderit, sipas auditorit mund të ndikojë që të njëjtit të mos mund t′i përfundojnë punët siç kërkohet pasi që nuk kanë arritur të dëshmojnë se posedojnë pajisjet e kërkuar sipas specifikave të dosjes së tenderëve.

“Kryetari duhet të sigurojë që me rastin e vlerësimit të krijohen kapacitete të mjaftueshme teknike të vlerësimit dhe të shpërblehen operatorët ekonomik të cilët i plotësojnë më së miri kërkesat e dosjes së tenderit”, thuhet në raport.

Mungesa e menaxherëve të projektit

Në tri raste të testuara të procedurave të prokurimit për investimet kapitale, nga ZKA, Komuna e Gjilanit nuk kishte emëruar menaxher të projektit siç kërkohet me Rregullore.

“Sipas zyrtarëve komunal kjo është bërë për arsye se Komuna ka të lidhur një kontratë me një kompani private për mbikëqyrjen e punëve të cilat i ekzekuton Komuna”, thuhet në gjetje të auditorit.

Mos emërimi i menaxherëve të projekteve, sipas auditorit ka si pasojë mungesën e duhur të komunikimit mes komunës dhe operatorëve ekonomik, si dhe mungon siguria se punët e kërkuara janë ekzekutuar sipas kushteve të kontratës.

Auditori rekomandon që kryetari duhet të sigurojë se për çdo kontratë të nënshkruar të emërohet menaxheri i projektit, pavarësisht faktit se Komuna ka organ mbikëqyrës.

Gjithashtu komuna e Gjilanit kishte bërë tejkalim të sasive të kontraktuara. Auditori ka gjetur se për kontratën kornizë “Mirëmbajtja teknike e objekteve në të gjitha njësitë kërkuese në Komunën e Gjilanit”, në 12 pozicione ka tejkaluar sasinë totale indikative të kontratës kornizë.

“Në total për këto pozicione për tre vite maksimumi i pagesave do duhej të ishte 40,095 euro, ndërsa gjatë vitit 2019 janë paguar 191,136 euro, apo 151,041 euro më shumë. Tejkalimi për një pozicion ishte 13,430 njësi, ndërsa pozicionet e tjera kanë tejkalime më numër më të vogël të njësive. Sipas zyrtarëve përgjegjës kjo kishte ndodhur në mungesë të njohurive se tejkalimi i pozicioneve nuk bën të jetë më shumë se 30%”, thuhet në raport.

Komuna inicion projekte pa buxhet të mjaftueshëm

Raporti i auditorit kishte gjetur se kontrata për projektin “Hapja e rrugëve sipas planeve rregulluese” ishte nënshkruar në vlerë 377,477 euro, ndërsa zotimi ishte në vlerë prej 9,180 euro.

“Sipas Ligjit të Buxhetit për këtë projekt në vitin 2019 ishin paraparë për shpenzim 130,000 euro, po ashtu edhe kontrata për projektin “Rregullimi/Asfaltimi i rrugëve në fshatin Livoç i Ulët” ishte nënshkruar në vlerë 466,026 euro, ndërsa zotimi ishte në vlerë 51,000 euro.

Nuk kemi marrë ndonjë sqarim nga zyra e financave pse nuk është bërë zotimi sa ishte paraparë në Ligj të Buxhetit për këtë project”, thuhet në raport.

Sipas auditorit hyrja në obligime pa siguruar fondet e nevojshme e rrit rrezikun e vonesave të zbatimit të kontratës dhe rritjen e obligimeve të papaguara, të cilat do të jenë ngarkesë për buxhetin e vitit vijues.

Auditori ka thënë se kryetari duhet të forcojë kontrollet gjatë zhvillimit të projekteve duke siguruar që para inicimit të procedurave të prokurimit çdo projekt kapital të ketë fonde të mjaftueshme për realizim.