Komuna e Gjilanit me vonesa në vlerësimin e procedurave të prokurimit

Komuna e Gjilanit nuk ka arritur të vlerësoj brenda afatit prej 30 ditësh ofertat për projektin “Renovimi dhe  funksionalizmi i objekteve shkollore në kopshtet për fëmijë” në fshatin Zhegër.

Kështu thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Pasqyrat Financiare të vitit 2020 për Komunën e Gjilanit.

Projekti kishte vlerë prej 81, 508 eurove.

“Sipas udhëzuesit operativ për prokurimin publik, procedura për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve do të kryhet nga Autoriteti Kontraktues brenda periudhës më të shkurtër të mundshme kohore dhe jo më shumë se 30 ditë nga hapja e ofertave. Vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të justifikuara, në veçanti me kontratat e një natyre komplekse, kjo periudhë mund të zgjatet për një afat shtesë prej 20 ditësh shtesë prej 20 ditësh. Vlerësimi duhet të filloj jo më vonë se 5 ditë pas hapjes së ofertave”, thuhet në raport.

Në raportin e auditimit theksohet se, për këto vonesa nuk ka pasur ndonjë shpjegim nga zyrtarët komunal.

Vonesat në vlerësimin e ofertave, mund të ndikojnë që fillimi dhe kryerja e punëve për të cilat është zhvilluar aktiviteti i prokurimit të mos përfundojnë me kohë apo edhe të shtyhen për vitin tjetër.

Sipas ZKA-së, pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Gjilanit, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e pasqyrave financiare të Komunës së Gjilanit për vitin 2020. Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit e gjeni KËTU.