Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Komuna e Gjakovës, Auditori gjen dobësi në menaxhimin e subvencioneve për OJQ-të

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur dobësi në menaxhimin dhe raportimin e subvencioneve, nga ana e Komunës së Gjakovës që udhëhiqet nga Ardian Gjini (AAK).

Në raportin e Auditimit për vitin 2021, thuhet  se komuna në dy raste kishte ndarë subvencione OJQ-ve, pa thirrje publike.

Sipas ZKA-së, të dyja rastet ishin për klub të hendbollit, ku vendimi ishte marrë nga Kuvendi Komunal për ndarjen e mjeteteve. Në rastin e parë shuma ishte 10 mijë euro, ku klubi kishte përfituar nga propozimi i kryetarit.

Ndërsa në rastin e dytë shuma ishte 31 mijë e 451 euro dhe ishte ndarë pa e informuar kryetarin e komunës dhe Drejtorinë për Sport. Sipas Auditorit, kjo pagesë është bërë përmes vendimit gjyqësorë.

Një rast tjetër që ka gjetur Auditori, është edhe mbështetja financiare për një tjetër OJQ, në vlerë 7 mijë euro. Sipas raportit, mbështetja është bërë pa i plotësuar kriteret për thirrje publike.

Ndërsa Auditori gjithashtu thekson se tre OJQ/klube sportive nuk kanë dorëzuar raporte kthyese narrative, se si janë shpenzuar paratë.

“Menaxhimi i subvencioneve në këtë mënyrë, është si pasojë e neglizhencës dhe mos monitorimit të subvencioneve.  Ndarja e subvencioneve pa thirrje publike përjashton konkurrencën, transparencën si dhe ndikon në trajtimin jo të barabartë të OJQ-ve”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Tutje, Auditori thotë se mos raportimi dhe monitorimi ngrit dyshimet nëse fondet janë përdorur për qëllimet e synuara dhe sipas tyre, mund të ndikojë që drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport të mbetet pa mjete dhe të dështoj në realizimin e plan programit për mbështetjen e OJQ-ve.

“Kryetari duhet të sigurojë se, financimi i OJQ-ve behet vetëm me thirrje publike, në përputhje me kriteret e vendosura si dhe për ç’do përfitues të subvencionit të caktojë zyrtar monitorues, po ashtu, të siguroj që OJQ-të dorëzojnë raporte kthyese narrative”, është rekomandimi i ZKA-së, për Komunën e Gjakovës.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021 për Komunën e Gjakovës mund ta gjeni KËTU.