Agim Aliu, Foto:Agim Aliu, Facebook

Komuna e Ferizajt jep tender 1.6 milionë euro për punët që mund t'i kryenin ndërmarrjet publike

Dy ndërmarrje publike lokale i ka Komuna e Ferizajt të cilat merren me çështjen e pastrimit, rregullimit e mirëmbajtjes së hapësirave publike.

Megjithatë kjo Komunë gjatë vitit 2023 nënshkroi kontratë tenderimi me një grup kompanish në vlerë prej 1.6 milionë euro për rregullimin e hapësirave të gjelbra, shesheve, rrugëve e nënkalimeve në qytet si dhe mirëmbajtjen e tyre.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komuna nuk ka ndërmarr veprime apo masa të arsyeshme që me siguru që për këtë çështje nuk do të mund të përmbushin kërkesat nga ndonjë autoritet publik.

ZKA-ja tregon se për shërbimet që i ka blerë më kontratën prej 1.6 milionë euro, Komuna deri në shtator 2023 i kishte blerë prej ndërmarrjeve publike lokale.

Zyrtarët komunal, sipas ZKA-së nuk kanë ofruar ndonjë shpjegim për moszbatimin e kërkesës ligjore.

“Mos kontraktimi i shërbimeve të cilat ofrohen nga ndërmarrjet publike komunale përveç që ndikon në aspektin financiar të kompanisë pronare e të cilës është vet komuna, po ashtu ndikon që komuna të kontraktoj këto shërbime me një çmim më të lartë”– thuhet mes tjerash në raportin e ZKA-së.

ZKA i ka rekomanduar Agim Aliut, kryetar i Komunës së Ferizajt që para inicimit të procedurave të prokurimit, të sigurohet që lënda e prokurimit/shërbimet publike nuk ofrohen nga një ndërmarrje publike.

Komuna e Ferizajt nuk është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së.

Në komentin dërguar ZKA-së nga Komuna e Ferizajt thonë se kanë negociuar me ndërmarrjet publike për këtë çështje, “Gjatë këtyre negocimeve Komuna e Ferizajt ju ka ofruar listën e hapësirave të cilat nevojiten të mirëmbahen dhe gjatë negociatave komisionet e kompanive publike për shkak të kapaciteteve teknike dhe resurseve humane të limituara kanë hyrë në negociata vetëm për hapësirat të cilat mund t’i mbulojnë me shërbim duke ju përmbajtur kapaciteteve të tyre”– thuhet në komentin e Komunës.

Megjithatë ZKA thotë se gjetja qëndron pasi që Komuna nuk ka dërguar kërkesë formale tek ndërmarrjet në të cilat është pronare.

“Praktikisht pa një kërkesë formale komuna, nuk ka pasur mundësi që ta dijë se Ndërmarrjet Publike Lokale nuk kanë kapacitete për t`i kryer shërbimet të cilat janë tenderuar dhe është lidhur kontratë me një OE privat, edhe pse këto shërbime janë blerë nga komuna prej këtyre dy Ndërmarrjeve Publike Lokale”– thuhet mes tjerash në komentin e ZKA-së.

“Sipas procesverbalit të datës 26.04.2023 të takimit të mbajtur midis zyrtarëve të komunës së Ferizajt dhe zyrtarëve të KRM Pastërtia nuk janë diskutuar mundësitë dhe kapacitetet e kompanisë KRM Pastërtia”– thuhet tutje.

Kjo Komunë është vlerësuar me “Opinion të kualifikuar” i cili formulohet kur janë zbuluar keqdeklarime dhe/ose mospajtueshmëri, qoftë një i vetëm apo një grumbull, “që janë të barabartë me ose e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare si tërësi; ose kur keqdeklarimi dhe/ose mospajtueshmëria e zbuluar brenda një klase të caktuar transaksionesh është i barabartë ose e tejkalon nivelin e materialitetit më të ulët të vendosur për këtë klasë të transaksioneve”.

Agim Aliu, kryetari i Ferizajt ka konfirmuar pranimin e raportit dhe i ka thënë ZKA-së se brenda 30 ditësh do e dorëzoj planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve të ZKA-së.

Për vitin 2022, Ferizaj kishte pranuar 19 rekomandime nga ZKA. Sipas raportit, vetëm 6 rekomandime janë zbatuar kurse 13 nuk janë zbatuar.

Raportin e plotë të ZKA-së për Komunën e Ferizajt mund ta qasni në këtë VEGËZ.