Kompania që operon me humbje, ndan afër 7 mijë euro për stimulim të punëtorëve

Kompania Rajonale e Ujësjellësit dhe Kanalizimit “Bifurkacioni”, në Ferizaj, megjithëse e mbylli vitin me humbje, konsideroi se punëtorët duhet të shpërblehen me një “stimulim monetar” për vitin 2019.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin për vitin 2019, për kompaninë Bifurkacioni kishte gjetur se me rastin e festës së Vitit të Ti, të gjithë punonjësve ju kishte ndarë nga 30 euro neto pa obligim kthimi, ndërsa shuma totale e arrinte shumën 6 mijë e 994 euro.

Sipas raportit kjo ndarje e mjeteve ka të bëjë me përpjekjen për krijimin e një atmosfere stimuluese pozitive për performancë më të mirë për vitin vijues.

“Ndarja e mjeteve financiare për punonjësit, në situatën kur kompania operon me humbje,ndikon në thellimin e më tejshëm të humbjeve të Kompanisë dhe është shembull jo adekuat për të stimuluar përmirësimin e performancës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori rekomandoi Bordin e Drejtorëve që të sigurojë se ndarja e mjeteve financiare, në emër të stimulimit të punonjësve, të bëhet vetëm kur kompania ka fuqinë e duhur financiare.