Komisioni Qendror i Zgjedhjeve- Foto: Facebook

Keqmenagjimi i evidencave të veturave zyrtare në KQZ, rekomandim i pazbatuar

Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin për pasqyrat financiare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2019, kishte gjetur se ky institucion kishte menaxhim të dobët të evidencave për automjetet zyrtare.

Në raportin e auditimit, thuhet se gjatë testimeve të urdhëresave për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare, kanë identifikuar se tek automjetet 5Z-003-03, 5Z-005-03 dhe 5Z-006-03, nuk kishte formular të plotësuar për përdorimin e automjetit si dhe në fletudhëtim nuk ishte plotësuar koha e nisjes dhe kthimit, destinimi i udhëtimit, kilometrat e kaluara dhe nënshkrimi nga shfrytëzuesi i automjetit.

Sipas auditorit Udhëzimi Administrativ nr.04/2015 për përdorim të automjeteve zyrtare të KQZ-së, përcakton mënyrën e përdorimit të tyre.

“Sipas nenit 2, pikës 7, shfrytëzuesi i automjetit duhet ta plotësoj formularin për përdorimin e automjetit dhe çdo drejtues i automjetit zyrtar, është i obliguar që në urdhrin për shfrytëzimin e automjetit për punë zyrtare të shënoj, numrin rendor të evidencës, emrin dhe mbiemrin e shfrytëzuesit, kohën e nisjes dhe kthimit, numrin e kilometrave të kaluara të automjetit”, thuhet në raport.

Mosrespektimi i procedurave për menaxhimin dhe përdorimin e automjeteve, sipas auditorit rrit rrezikun për shfrytëzimin jo racional të tyre dhe e pamundëson monitorimin sistematik të tyre.

“Kryetarja e KQZ-së duhet të rishikoj shkaqet e mosrespektimit të UA nr.4/2015 dhe të siguroj që të gjithë shfrytëzuesit e automjeteve zyrtare të ju përmbahen udhëzimeve në plotësimin e formularëve dhe fletudhëtimeve për çdo udhëtim”, thuhet në rekomandidm.

ZKA, kishte gjetur edhe dobësi në menaxhimin e pasurisë.

Njëra ndër mangësitë e identifikuara ishte se KQZ-ja kishte themeluar komisionin për inventarizimin e pasurive, por jo edhe komisionin e vlerësimit të pasurisë, siç e kërkon rregullorja. Gjithashtu gjetje tjetër ishte se komisioni për inventarizim kishte kryer me kohë inventarizimin, mirëpo nuk kishte harmonizuar gjendjen e inventarizuar me regjistrat e pasurive jo financiare.

“Sistemi e-pasuria nuk ishte duke e kalkuluar zhvlerësimin sipas normave të rregullores. Nga analiza e regjistrit të pasurive nën 1,000€, kemi vërejtur te disa pasuri se vlera fillestare ishte e barabartë me vlerën neto në libra përkundër që regjistrimi i pasurive ishte bërë para dy apo më shumë viteve që nënkupton që zhvlerësimi nuk ishte kalkuluar saktë. Kjo kishte ndodhur për shkak të problemeve që kishte sistemi i e-pasurisë gjatë bartjes së të dhënave”, thuhet në gjetjen e radhës.

Sipas raportit mos aplikimi i zhvlerësimit të pasurisë përmes sistemit e-pasuria ndikon që këto pasuri të jenë të mbivlerësuar dhe se nuk paraqesin gjendjen e saktë të tyre në PFV. Po ashtu sipas raportit, mos-harmonizimi i regjistrave me gjendjen e dalë nga inventarizimi dhe mungesa e komisionit të vlerësimit të pasurisë, pasqyrojnë dobësi në menaxhimin e pasurive.

ZKA ka rekomanduar kryetaren e KQZ-së që të forcojë kontrollet në menaxhimin e pasurisë, duke siguruar se zhvlerësimi i pasurisë po kalkulohet saktë.

“Po ashtu raporti i inventarizimit duhet të krahasohet me gjendjen e regjistrave të pasurisë dhe përveç inventarizimit ZKA duhet të formoj edhe komisionin për vlerësim të pasurive në mënyrë që të bëjnë vlerësimin e drejtë dhe të plotë të tyre”, thuhet në raport.

Në raportin e Auditimit thuhet se KQZ që nga viti 2018 nuk e kishte të themeluar Komitetin e Auditimit, përderisa në vitin 2019 mos themelimin e kishin arsyetuar me faktin që kishin angazhime me zgjedhje të jashtëzakonshme.

Mungesa e Komitetit të Auditimit sipas ZKA-së rrezikon pavarësinë e Njësisë së Auditimit nga ndërhyrjet e menaxherëve, si dhe mos-adresimin e duhur të rekomandimeve të dhëna nga NJAB.

Deri në fund të auditimit për vitin 2019, ZKA njofton se KQZ-ja dy rekomandime i ka zbatuar plotësisht, një ishte në proces dhe dy nuk janë adresuar ende.