Kamenicasit nuk paguajnë borxhet, Komuna pa mekanizëm për mbledhjen e tyre

Borxhi që kamenicasit e kanë ndaj komunës së tyre vazhdon të jetë i lartë.

Auditori ka deklaruar se borxhi i qytetarëve dhe bizneseve ndaj Komunës së Kamenicës për vitin 2019 kap vlerën prej  1 milion e 978 mijë e 271 euro.

Nga to, 1 milion e 402 mijë e 804 euro janë borxh për tatimin në pronë, taksa komunale për regjistrim biznesi janë 423 mijë e 612€, qiraja 8 mijë e 620€, taksa për leje ndërtimi janë  87mijë e 748 dhe taksa për shfrytëzimin e hapësirave publike 85 mijë 487 euro.

Kjo shifër është më e ulët në krahasim me atë të vitit 2018 në të cilën Auditori kishte gjetur se qytetarët dhe bizneset i kanë borxh komunë së tyre 2milion e 050 mijë e 426 euro.

Sipas të dhënave të Auditorit, borxhi më i madh është tek pagesat e tatimit në pronë, pra 1 milion e 402 mijë 804 euro.

Por që Komuna e Kamenicës nuk ka marrë ndonjë aktivitet për arkëtimin e këtyre fondeve, pavarësisht se sipas Auditori ka theksuar se me Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme ka autoritetin dhe kompetencat për të mbledhur detyrimet tatimore të papaguara që kalojnë shumën e dhjetë (10).

“Komuna për të arkëtueshmet nga tatimi në pronë në vlerë 1,402,804€, nuk kishte ndërmarr ndonjë aktivitet për mbledhjen e tyre siç parashihet me ligjin për tatimin në pronë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit Komuna nuk ka marrë asnjë hap erdhe për arkëtimin e taksave komunale për regjistrimin bizneseve.

“Të arkëtueshmet nga taksa komunale për regjistrim biznesi ishin në vlerë 423,612€, dhe nga Taksa për shfrytëzimin e hapësirave publike 85,487€, për të këto të arkëtueshme Komuna nuk kishte ndërmarr veprime për mbledhjen e tyre siç parashihet me rregullore”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, kjo qasje e Komunës së Kamenicës ndaj borxhlinjve të saj mund të ndikoj që edhe taksapaguesit e rregullt të mos i paguajnë detyrimet e tyre.

“Mos aplikimi i mekanizmave të përcaktuar me ligj ndikon në rritje të vazhdueshme të këtyre llogarive, që rezulton me fonde të pakta për arritjen e synimeve dhe inkurajon debitorët e tjerë që të mos paguajnë detyrimet e tyre”, thuhet në raport.

Auditori po ashtu ka dhënë rekomandimin e tij për kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

“Kryetari duhet të sigurojë zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve për arkëtimin e borxheve nga tatimi në pronë, shitja e shërbimeve, nga taksat e biznesit dhe të forcojë kontrollin e brendshëm për mënjanimin e rritjes së vazhdueshme të tyre”, thuhet në rekomandim.

Me këto të gjetura është pajtuar kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati duke mos dhënë ndonjë koment shtesë.