Kamenica - ARKIV

Gjetjet e Auditorit - Komuna e Kamenicës asfaltoi rrugë pa projekt ekzekutiv

Asfaltimi i disa rrugëve lokale në fshatrat e Komunës së Kamenicës në vlerë prej 161,804 eurove është bërë pa projekt ekzekutiv.

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se deri tek mungesa e projektit ekzekutiv kishte ardhur për shkak që zyrtari komunal nuk ka pasur njohuri se duhet një gjë e tillë.

“Gjatë testimit të dosjes së tenderit Asfaltimi i Rrugëve lokale në Qytet dhe Fshatra në vlerë 161,804€, komuna nuk kishte projekt ekzekutiv në dosje të tenderit. Kjo kishte ndodhur për shkak se zyrtarët nuk kishin pasur njohuri se një gjë e tillë duhet bërë”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2019.

Sipas Auditorit, Ligji për Prokurimit Publik, neni 28.10, Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për hartimin e Projektit Ekzekutiv, dhe i cili në mënyrë mandatorë duhet t`i bashkëngjitet Specifikave Teknike, të cilat janë pjesë të dosjes se tenderit. Asnjë Autoriteti Kontraktues nuk i lejohet që të lëshojë dokumentacionin e tenderit pa bashkëngjitur përshkrimin e hollësishëm të projektit.

Mungesa e projektit ekzekutiv sipas Auditorit mund të ndikoj që këto rrugë të asfaltohen në mënyrë të dobët si dhe të ketë shpenzime të paparashikuara.

“Fillimi i procedurës së prokurimit në mungesë të projektit ekzekutiv përveç që është anashkalim i kërkesës ligjore, paraqet rrezik për realizim të dobët të punëve si dhe mund të rezultojë në shpenzime të paparashikuara gjatë kryerjes së punëve”, thuhet tutje në raport.

Lidhur më këto gjetje, Auditori po ashtu ka dhënë rekomandimin e tij për kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

“Kryetari duhet të sigurojë se me rastin e kontraktimit të punëve duhet të sigurohen paraprakisht se nivelet kompetente kanë hartuar projektin në përputhje me nevojat dhe kërkesat e parashikuara”, thuhet në rekomandim.

Me këto të gjetje është pajtuar kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati duke mos dhënë ndonjë koment shtesë.