Institucionet e Kosovës pa strategji të teknologjisë së informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se institucionet publike të Kosovës nuk kanë arritur të sigurojnë qeverisje të mirë të teknologjisë së informacionit.

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, sipas Auditorit, nuk ka arritur të miratoj strategjinë e qeverisjes elektronike. Në mungesë të kësaj strategjie, Qeveria e Kosovës nuk ka një plan të prioriteteve për investime në fushën e teknologjisë së informacionit.

Këto gjetje janë publikuar në raportin e auditimit të performancës “Organizimi dhe menaxhimi i investimeve të teknologjisë së informacionit në institucionet publike” për vitin 2019.

“Kjo situatë ka mundësuar që institucionet publike të zhvillojnë projekte paralele për nevojat e tyre, duke krijuar kështu shpenzime të panevojshme dhe investime të dyfishta”, thuhet në raportin e auditimit.

Përveç kësaj, Auditorit ka gjetur se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit nuk ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e saj, ndonëse ka pasur vështirësi në plotësimin e pozitave profesionale të teknologjisë së informacionit.

Madje, Auditori thotë nuk kishte monitorim nëse ishin duke u zbatuar standardet dhe politikat e teknologjisë së informacionit, gjë që e rrezikon nivelin e cilësisë së shërbimeve të sistemeve elektronike.

Auditori ka gjetur se asnjë nga institucionet e audituara si, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Financave me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme me Agjencinë e Regjistrit Civil, si dhe komunat – Peja dhe Prizreni, nuk kanë strategji të aprovuar për teknologji të informacionit.

“Kjo ka ndikuar që shërbimet e TI-së dhe sistemet informative të jenë të fragmentuara, si dhe të mos përcaktohet qartë se si teknologjia e informacionit do të ndihmoj në arritjen e objektivave strategjike të institucioneve. Në përgjithësi, menaxhimi i shërbimeve të teknologjisë së informacionit në sektorin publik është i decentralizuar, si nëpër institucione ashtu edhe brenda departamenteve/ekipeve në një institucion. Ka dyfishim të roleve për shkak të fragmentimit të menaxhimit të TI-së dhe këto ekipe nuk kanë bashkëpunim mes tyre”, theksohet në raportin e auditimit.

Auditori ka evidentuar edhe një mangësi tjetër. Ministritë me departamentet e tyre dhe agjencitë nuk bashkëpunojnë për shfrytëzim më optimal të infrastrukturës së teknologjisë së informacionit.

“Kjo shpie në shfrytëzim jo-optimal të pajisjeve të TI-së, menaxhim jo të mirë të shërbimeve, si dhe rritje të shpenzimeve financiare”, vazhdon raporti i ZKA-së.

49 milionë për 4 vjet në teknologji të informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se brenda periudhës 4 vjeçare, 2015-2018, institucionet e Republikës së Kosovës kanë shpenzuar në fushën e teknologjisë informative 49 milionë euro. Niveli qendror ka shpenzuar rreth 45,741,413 euro ndërsa niveli lokal rreth 3,826,465 euro.

Ndërsa vetëm institucionet e audituara nga ZKA, që janë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Financave me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme me Agjencinë e Regjistrit Civil, si dhe komunat-Peja dhe Prizreni, kanë shpenzuar 21.5 milionë euro.

Për të arritur te këto të dhëna, janë analizuar tri kode ekonomike nga mallrat dhe shërbimet dhe katër kode ekonomike nga kategoria e investimeve kapitale. Nga kategoria “mallra dhe shërbime” – kompjuterë (me pak se 1,000 euro), harduer për teknologji të informacionit (me pak se 1,000 euro) dhe mirëmbajtja e teknologjisë së informacionit. Ndërsa nga kategoria “investime kapitale” – pajisje të teknologjisë së informacionit, kompjuter, Softuer dhe pajisje harduer.

Shoenzimet 2015-2018, Foto: ZKA

Mungesa e strategjisë dhe bashkëpunimit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se institucionet brenda një organizate qeveritare nuk bashkëpunojnë mes vete për ndarjen e pasurive dhe investimeve. Si rezultat, krijohen shpenzime të panevojshme në investime.

Në raportin e auditimit thuhet se agjencitë dhe departamentet në kuadër të Ministrisë së Financave nuk bashkëpunojnë sa duhet për shfrytëzimin sa më optimal të pajisjeve të teknologjisë së informacionit.

Në Ministrinë e Financave, Departamenti i Teknologjisë dhe Menaxhimit të Sistemeve Informative (DTMSI) dhe Thesari, nuk koordinohen/bashkëpunojnë në nivelin e duhur në menaxhimin e investimeve dhe shërbimeve të TI-së.

Mungesë e bashkëpunimit dhe e koordinimit është vërejtur edhe në mes MF-së, Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës. Bazuar në listën e investimeve në fushën e TI-së dhe hulumtimeve të realizuara, Auditorit ka vërejtur se investimet në infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të nevojshme për operimin e sistemeve informative, bëhen pa ndonjë koordinim.

“Mungesa e bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të departamenteve dhe Agjencive në MF lidhur me investimet në fushën e TI-së mund të shpie në shfrytëzim jo-optimal të pajisjeve të TI-së, si dhe krijon rritje të shpenzimeve financiare për MF-në”, thuhet në raport.

Asnjë nga Institucionet e Kosovës të audituara nuk kanë strategji të aprovuar për teknologji të informacionit. Po ashtu, nuk kanë hartuar politika dhe procedura të teknologjisë së informacionit të cilat janë të nevojshme për menaxhimin e operacioneve të përditshme për administrimin e sistemeve dhe komunikimeve.

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe Ministria e Financave sipas Auditorit e kanë të pa aprovuar strategjinë e teknologjisë së informacionit, Dogana e Kosovës, ATK, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Regjistrit Civil, Komuna e Pejës dhe Prizrenit nuk kanë strategji të teknologjisë së informacionit.

Në Ministrinë e Financave, përgjegjëse për hartimin e strategjisë së teknologjisë së informacionit është Departamenti për Menaxhimin e Sistemeve të Teknologjisë Informative (DMSTI). Komiteti teknik i teknologjisë së informacionit brenda MF-së, në mars të vitit 2016 ka hartuar planin strategjik të teknologjisë së informacionit, mirëpo ky plan deri më tani nuk është miratuar.

“Po ashtu, ky departament nuk ka ndërmarr veprime për ta rishikuar apo përditësuar këtë strategji dhe ta dërgoj për miratim te Komiteti Drejtues i TI-së. Në mars të vitit 2019, është bërë një analizë e departamenteve të TI-së brenda MF-së për zbatimin e ITIL22, e cila mund të ketë ndikim në planin strategjik dhe për këtë ky plan duhet të rishikohet edhe njëherë para kërkesës për miratim”, thuhet në raportin e auditimit.

Administrata Tatimore e Kosovës, nuk ka dokument strategjik për teknologjinë e informacionit, e cila do të përcaktonte objektivat dhe mbi të cilin duhej të hartohej plani i punës. Edhe pse në mungesë të dokumentit strategjik, Departamenti i Teknologjisë Informative, aktivitetet i kryen në përputhje me planin vjetor të punës së ATK-së.

Shkak për mos hartimin e dokumentit strategjik sipas zyrtarëve të ATK-së janë ndryshimet që pritej të ndodhnin në rimodelimin e ATK-së dhe në sistemet dhe teknologjinë në përgjithësi si dhe pritjes se aprovimit të strategjisë së teknologjisë së informacionit të MF-së nga Komiteti Drejtues. Mirëpo, këto nuk kanë ndodhur ende.

Po ashtu, Dogana e Kosovës nuk ka hartuar dokument strategjik për teknologjinë e informacionit, e cila do të përcaktonte objektivat në funksion të arritjes së prioriteteve strategjike të Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Kosovës, si dhe standardet që kërkohen të plotësohen sipas udhërrëfyesit të Bashkimit Evropian (BE) për Doganën “Blueprint i BE-së“.

Auditorit ka theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka bërë përpjekje për të hartuar strategjinë për teknologjinë e informacionit. MPB-ja ka hartuar vetëm Strategjinë Shtetërore për Sigurinë Kibernetike dhe Planin e Veprimit 2016–2019.

Gjendje e njëjtë është evidentuar edhe në Komunën e Prizrenit dhe të Pejës. Auditori ka evidentuar që këto komuna nuk kanë dokument strategjik apo plan strategjik të veçantë për teknologji të informacionit.

“Kështu, komunat nuk kanë arritur të kenë një pasqyre të qartë të nevojave për zhvillimet në fushën e teknologjisë së informacionit”, vazhdon raporti.

Foto: ZKA

AShI-ja nuk ka strategji të miratuar për qeverisje elektronike për sektorin publik

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit është përgjegjëse për hartimin dhe sigurimin e zbatimit të strategjisë së qeverisjes elektronike dhe të planit të veprimit për institucionet e Republikës së Kosovës.

AShI-ja kishte hartuar Strategjinë e Qeverisjes Elektronike 2009-2015. Ndërsa, Auditori ka gjetur se prej vitit 2016 e deri më tani AShI-ja nuk ka strategji të miratuar për qeverisje elektronike.

Në fund të vitit 2016, AShI-ja kishte hartuar draft Strategjinë për Qeverisje Elektronike 2016 – 2020 dhe planin e veprimit për zbatimin e saj, e cila është dërguar për aprovim në Zyrën e Kryeministrit përkatësisht në Zyrën për Planifikim Strategjik (ZPS).

Sipas opinionit të ZPS-së, Strategjia për Qeverisje Elektronike dhe Plani i veprimit nuk plotësojnë kriteret e kërkuara dhe ka rekomanduar që të shtyhet miratimi i kësaj strategjie.

Po ashtu, ZPS-ja ka rekomanduar që kjo strategji të shërbej vetëm si plan në funksion të plotësimit dhe zbatimit të Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike dhe të strategjive të tjera sektoriale.

“AShI-ja nuk ka bërë përpjekje të tjera të mjaftueshme për përmirësimin e vërejtjeve të pranuara nga ZPS-ja për draft strategjinë e e-qeverisjes 2016-2020 dhe miratimin e saj”, theksohet në raportin e auditimit.

AShI-ja në bashkëpunim me institucionet relevante ka finalizuar strategjinë dhe planin e veprimit të qeverisjes elektronike 2020-2025. Rezultatet e auditimit kanë treguar se mungesa strategjisë ka kontribuar në mos bashkëpunimin e duhur ndërmjet institucioneve dhe se raportimi i tyre për investimet në teknologji të informacionit ka munguar.

“Si rrjedhojë, institucionet kanë zhvilluar projekte paralele për nevojat të tyre. Strategjia për qeverisje elektronike do të shërbente si mjet për zvogëlimin e shpenzimeve, përmirësimin e shërbimeve, kursimin e kohës dhe resurseve si dhe përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetin në sektorin publik”, ka shkruar Auditorit.

Mungesa e kësaj strategjie vlerësohet se ndikon në mos arritjen e cilësisë së shërbimit, rritjen e resurseve, ndikon në kohë si dhe shkakton ngecje në rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit me qytetarë dhe ndërmjet Institucioneve Publike.