Inspektorati i pa fuqishëm karshi 87 shfrytëzuesve pa leje të ujit

Ndonëse me Ligjin nr. 04/L-147 Për Ujërat e Kosovës saktësisht me nenin 97 të tij, janë të rregulluara veprimet dhe kompetencat e inspektoratit lidhur me rastet e aktiviteteve ujore pa leje apo në kundërshtim me të, inspektorati nuk kishte ndërmarr veprime konkrete për ndërprerjen e aktivitetit të 87 shfrytëzuesve të ujit pa leje ujore. Puna me staf të reduktuar dhe fokusi në shqyrtimin e ankesave përmendet si shkaktar.

“Nga regjistri i pranuar prej ministrisë për shfrytëzuesit e ujit kemi vërejtur se, janë mbi 87 shfrytëzues të ujit, të cilëve ju ka skaduar leja ujore dhe sipas ministrisë nuk iu ka vazhduar më për shkak të mos shlyerjes së borxheve të akumuluara. Edhe pse, sipas ministrisë këta shfrytëzues vazhdojnë të shfrytëzojnë ujin pa leje ujore dhe pa e kryer obligimin financiar “, gjen auditori.

Tutje në raport thuhet se inspektorati i ujërave as gjatë vitit 2020 nuk kishte ndërmarrë veprime konkrete për ndërprerjen e aktiviteteve të tyre në bazë të kompetencave që i takojnë.

Ndërsa përmendet se sivjet inspektorati ka realizuar takime me Oden Ekonomike të Kosovës dhe Shoqatën e Ambalazhuesve të ujit dhe pijeve alkoolike dhe jo alkoolike në përpjekje që të rregullohet gjendja.

Sipas auditorit, kjo kishte ndodh për shkak të punës së inspektoratit me staf të reduktuar me fokus shqyrtimin e ankesave.

Çka thotë Ligji për shfrytëzimin pa leje të ujit?

Ligji nr. 04/L-147 Për Ujërat e Kosovës neni 97, parasheh në hollësi veprimet dhe kompetencat që duhet të ndërmarrë Inspektorit i ujërave në rastet kur identifikon kryerje të aktiviteteve pa leje ujore apo në kundërshtim me lejen. Kur konstatohet se janë shkelur dispozitat e këtij ligji dhe dispozitat e nxjerra në bazë të këtij Ligji, inspektori i ujërave i raporton Ministrisë me shkrim për parregullsitë dhe mungesat dhe me aktvendim do t’i caktojë masat dhe afatet për eliminimin e tyre.

Meqenëse mungesa e veprimeve të inspektoratit, ndikon në shfrytëzimin e pa kontrolluar të ujit, nënvlerësimin e borxhit dhe të hyrave duke dëmtuar buxhetin, kreut të ministrisë iu rekomandua të sigurohet për monitorimin e rregullt dhe ndërmarrje të masave për shfrytëzuesit që operojnë pa leje

“Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të sigurojë se po bëhet monitorimi i rregullt i shfrytëzimit të ujërave të Kosovës dhe në rastet kur shfrytëzuesit e ujërave operojnë pa leje ujore apo me leje të skaduar, të merren masa konkrete për ndalimin e veprimeve të jashtëligjshme sipas dispozitave të parapara me kornizën ligjore në fuqi”, rekomandon raporti.

Përmes letër konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Ministri Liburn Aliu, konfirmoj se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2020 të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.