Trainkos; Fotografi: REL

Gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për raportin financiar të Trainkos

Zyra Kombëtare e Auditmit ka publikuar raportin për pasqyrat financiare vjetore të hekurudhave të Kosovës-Trainkos sh.a. për vitin 2020.

Gjatë auditimit, në raport theksohet se janë vërejtur fusha për përmirësim të mundshëm, përfshirë kontrollin e brendshëm.

 Një nga gjetjet në këtë raport është mungesa e dokumenteve burimore për të pagueshmet.

Llogaritë e pagueshme tregtare janë detyrime që krijohen gjatë kryerjes së aktiviteteve kryesore të njësisë ekonomike. Ato krijohen si pasojë e blerjes së mallrave apo shërbimeve me pagesë të mëvonshme.

 Në gjetjet e auditorit thuhet se, llogaritë e pagueshme tregtare janë mbivlerësuar për 38,949€ për faktin që nuk ka dëshmi që e arsyeton detyrimin ndaj furnitorëve me fatura apo kontrata. 

Kjo shumë i takon disa furnitorëve të cilët ishin evidentuar nga raporti i ndarjes mes Trainkos dhe Infrakos nga viti 2011.

 Shkak i paraqitjes së këtyre detyrimeve ndaj furnitorëve në Pasqyrën financiare për shumë vite me radhë është mungesa e rishikimeve dhe vlerësimeve periodike nga menaxhmenti për t’u siguruar se për këto detyrime ekziston dokumentacion i besueshëm ose për t`i shlyer nëse vërtetohet se nuk ka obligime mbi to. 

 Gjetje tjetër e auditorit është, mungesa e rivlerësimit të pasurive jo qarkulluese.

Sipas Standardit Ndërkombëtar të Kontabilitetit, rivlerësimi i pasurive jo qarkulluese kërkohet të bëhen çdo tre deri në pesë vjet.

Trainkos në Pasqyrën e pozitës financiare ka prezantuar pasuri jo qarkulluese (prona, pajisje dhe impiante) në vlerë neto 3,592,240€. Trainkos, sipas të dhënave në rapport, nuk kishte bërë rivlerësimin e pasurive që nga viti 2007. 

Çështja e rivlerësimit të pasurive jo qarkulluese, ishte trajtuar edhe në raportin e auditimit financiar për vitin 2019. Në vitin 2020 Trainkos kishte filluar një procedurë për të kontraktuar një kompani e cila do të bënte rivlerësimin, mirëpo nuk kishte arritur ta finalizoj këtë procedurë deri në fund të vitit 2020

 Mos pagimi i faturave brenda afatit të kontraktuar është evidentuar po ashtu në gjetjet e auditorit.

Gjatë auditimit është vërtetuar se ndërmarrja nuk kishte paguar brenda afatit kohor prej 30 ditësh klientit/Infrakos sh.a. faturat në vlerë 613,109€ të cilat i kishte pranuar nga muaji janar deri dhjetor 2020.

Sipas zyrtarëve përgjegjës, kjo kishte ndodhur për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm për të shlyer këto detyrime dhe kjo ka bërë që detyrimet ndaj furnitorëve të rriten gjatë viti 2020.

Gjetje tjetër e zyrës së auditorit është edhe shitja e naftës jashtë fushëveprimit dhe aktiviteteve të ndërmarrjes.

Trainkos gjatë vitit 2020, ka realizuar të hyra tjera duke shitur naftë ndërmarrjes publike Infrakos sh.a. në shumë prej 18,854€. 

Këto të hyra, sipas raportit, Trainkos i kishte realizuar jashtë kornizës statutore të saj. 

Trainkos-i naftën ia shet ndërmarrjes publike Infrakos sh.a me çmim të furnizimit pa aplikuar ndonjë tarifë shtesë për kostot e ruajtjes, magazinimit dhe sigurimit në rezervuarët e saj. Shitjen e naftës Trainkos e kishte bërë duke u bazuar në marrëveshjen për shërbime të përbashkëta mes Trainkos dhe Infrakos sh.a të datës 16.04.2019.

Gjatë procesit të auditimit për vitin 2020, poashtu janë vërejtur mangësi në listën e pagave të deklaruara në sistemin elektronik të Administratës Tatimore të Kosovës. 

 Në raport theksohet se në listën e pagave 15 punonjës ishin deklaruar dy herë për 12 muaj të vitit 2020, ku përfshihet tatimi në pagë dhe kontributi pensional. Ndërsa 15 punonjës tjerë të Trainkos-it nuk ishin përfshirë fare në listën e pagave për deklarim të tatimeve dhe kontributeve pensionale. 

 Sipas ZKA-së, Trainkos ka arritur të bëjë korrigjimin e deklarimeve në ATK për tatimet dhe kontributet e punonjësve të vitit 2020. Ky korrigjim ka ndodhur gjatë procesit të auditimit për Pasqyrën Financiare Vjetore të e vitit 2020.

Raportin e plotë të ZKA-së e gjeni këtu