Ilustrim nga Trembelat

Gjetjet e Auditorit: Ministria e Inovacionit ‘borxhli i keq’

Raporti i Auditimit për vitin 2019 ka gjetur se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka pasur vonesa në realizimin e pagesave të detyrimeve.

Sipas raportit, Ligji për Financat Publike e obligon Ministrinë për pagesën e çdo fature brenda 30 ditëve nga data e pranimit të faturës. Sipas Auditorit, Ministria në katër raste detyrimet ndaj furnitorëve në vlerë prej 259 mijë e 834 eurove i kishte paguar pas afatit ligjor prej 30 ditëve.

Auditori thotë se vonesat sillen nga 2 deri në 134 ditë.

“Kjo ka ndodhur pasi që MIN nuk ka zbatuar procedurat e kontrollit të brendshëm për procedimin e pagesave”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, vonesat në pagesa rrisin rrezikun e hyrjes në obligime pa mbulesë buxhetore apo përballje me konteste gjyqësore.

Gjithashtu, Auditori ka gjetur se Ministria e Inovacionit nuk ka përfunduar raportin e inventarizimit, siç e kërkon ligji, së paku një herë në vit për pasurinë jofinanciare. Ministria në fjalë nuk kishte bërë inventarizimin e pasurisë në fund të vitit 2019, por e kishte përfunduar një raport në maj 2019, në kundërshtim me rregulloren e cila e kërkon në fund të vitit, para përgatitjes së pasqyrave financiare vjetore.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shkelje edhe sa i përket regjistrimit të pasurive.  Sipas Raportit, pagesat e realizuara nga investimet kapitale në vlerë prej 944 mijë eurove nuk ishin regjistruar si pasuri apo si investime në sistemin ‘SIMFK’, si dhe nuk ishin të shpalosura në ‘PFV’.