Gjashtë institucione pa Komitet të Auditimit

Pesë nga 70 institucionet publike nuk e kanë themeluar njësinë për auditim të brendshëm përkundër që një gjë të tillë e kanë obligim. Këto institucione janë arsyetuar se nuk kanë buxhet, mirëpo Auditori i Përgjithshëm në raportin e vitit 2019 ka konstatuar se mos-formimi i këtyre njësive lidhet edhe me neglizhencë por edhe me dështime në proceset e rekrutimit.

nenin 5 i rregullores 01/2019 thuhet se subjekti sektorit publik i cili ka buxhet prej 3 deri 7 milionë euro buxhet duhet t’i ketë së paku dy auditorë të brendshëm, ndërsa për subjektin publik i cili ka mbi 7 milionë euro buxhet duhet t’i ketë së paku tre auditorë.

Por, Auditori i Jashtëm thotë se është ato institucione të cilat e kanë të themeluar njësinë audituese të brendshëm, më shumë se gjysma e tyre kanë numër më të vogël të auditorëve se sa parashihet me rregullore.

Më tej, raporti përmend edhe si sfidë themelimin e Komitetin të Auditimit të Brendshëm, ku janë 6 organizata buxhetore të cilat nuk e kanë themeluar këtë komitet auditimi nga 65 sosh. Komiteti i Auditimit të Brendshëm në vete ka edhe persona që janë jashtë institucionit dhe një format i tillë bëhet me qëllim që të rritet zbatimi i rekomandimeve të auditorit të brendshëm.

“Sfidë mbetet mos themelimi i Komiteteve të Auditimit (KA) në të gjitha organizatat. Nga 65 OB, në gjashtë (6) prej tyre nuk ishin të themeluara KA në vitin 2019. Këto janë: Mitrovica Jugore, Ranillug, Agjencia për Verifikimin e Pronave, KQZ, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe MASHT.”, thuhet në raportin e Auditorit.

Më tej, thuhet se nga 57 Organizata Buxhetore ku funksiononte Komiteti i Auditimit, është vërejtur se në 15 prej tyre këto komitete kishin mbajtur me pak se katër takime, siç kërkohet me udhëzimin administrativ përkatës. Po ashtu, janë 28 Komitete të Auditimi të cilat nuk e kishin dorëzuar raportin vjetore siç kërkohet me udhëzim. Sipas Auditorit, kjo tregon se Komitetet e Auditimit ende nuk janë efektive për të mbështetur plotësisht punën e Njësive të Auditimit të Brendshëm.

Sistemi i kontrollit të brendshëm përkundër përmirësimit në raport me vitin paraprak ende nuk është në nivelin e kënaqshëm, ndërsa puna e tyre më shumë është e orientuara kah pajtueshmëria, ndërsa më pak në auditimet e perfomancës së sistemeve.

Për infrastrukturën ligjore ku përcaktohen kriteret për themelimi i njësive të auditimit të brendshëm e flet edhe udhëheqësja e auditimit në departamentin e komunave në ZKA, Luljeta Morina.

Përveç atyre organizatave buxhetore për të cilat kërkohet të themelohet kjo njësi auditimit sipas buxhetit, Morina tregon se si i marrin shërbimet e auditimit të brendshëm organizatat buxhetore të cilat kanë buxhet më të vogël se 3 milionë euro.

“Ndërsa këto institucione që kanë buxhet më të vogël se 3 milionë nuk e themelojnë njësinë e auditimit të brendshëm, mirëpo shërbimet e auditimit i marrin nëpërmes një institucioni tjetër që e ka të themeluar njësinë e auditimit të brendshëm. Opsion është edhe me kontraktu një auditor privat. Por, cdo vendim duhet të miratohet nga Ministria e Financave”, tha ajo.

Llogaridhënia dhe sfidat e auditorëve të brendshëm

Morina thotë se auditorët e brendshëm i raportojnë direkt kreut të institucionit.

“Tek niveli lokal, auditorët direkt i japin llogari kryetarit. Kryetari gjithashtu e miraton planin e auditimit, ndërsa parashihet që të ketë edhe auditim të veçantë e të jashtëzakonshëm. Njëjtë është edhe në ministri apo ndërmarrje publike, pra i raporton ministrin apo kryeshefit. Pra, Auditorët e brendshëm të gjitha planet, plani strategjik i japin para këtyre organeve”, tregon Morina.

Morina më tej tregon se me Ligjin e ri të Pagave, pagat e auditorëve të brendshëm kanë qenë ekuivalente me Zyrën Kombëtare të Auditimit, por për shkak të shfuqizimit të këtij ligji pagat e auditorëve të brendshëm kanë mbet me ligjin e vjetër.

“Meqenëse ligji për pagat nuk është në fuqi, pagat janë mbet qysh kanë qenë me ligjin e vjetër. Në nivelin qendror ose ministrit, paga e drejtorit të njësisë së auditimit është përcaktu ekuivalent me pagën e sekretarit permanent ndërsa zyrtarëve tjerë është marr një koeficient prej rreth 700 euro. Ndërsa tek kompanitë publike është pak më ndryshe diçka tjetër në bazë të buxhetit të tyre eventualisht përcaktohet paga, nuk e kanë të uniformuar”, thotë ajo.

Zyra kombëtare e Auditimit më rastin e auditimit të institucioneve i shqyrton edhe raportet e auditorit të brendshëm, duke përfshirë kualitetin e raporteve të tyre. Ajo thotë se zyrtarët e auditimit të brendshëm zakonisht nuk ankohen për mungesë të pavarësisë në punën e tyre.

“Në deklarate e tyre zyrtarëve të auditimit që na i marrim me rastin e intervistave që na i zhvillojmë asnjani nga njësia e auditimit të brendshëm ose zyrtar nuk deklarohen që nuk kanë pavarësi, madje i gëzohen pavarësisë së tyre”, tregon Morina, duke shtuar se ka raste kur raportet e hartuara nga auditorët e brendshëm nuk janë profesionale.

Ajo tha se pjesa më e madhe e zyrtarëve të Auditimit janë të përgatitur, mirëpo ka edhe të tillë që nuk kanë njohuri të mjaftueshme edhe për shkak se nuk e kanë ndjekë trajnimin.

Ajo thotë se nuk ka informacione që auditorët e brendshëm kanë presione.

“Unë nuk kam informatë që ka pengesa të tillë. Por, nëse ka ato duhet të ngritën tek komiteti të auditimit, sepse ky komitet formohet në bazë të rregullores dhe është i obliguar me mbikqyrë kualitetin e punës së tyre edhe me i bë presion menaxhmentit për me i zbatu rekomandimet”, thotë ajo.

Pozita boshe e shkarkime në Ndërmarrjet Publike

Ndërmarrjet Publike vazhdojnë të kenë mangësi të mëdha në sistemin e menaxhimit financiarë dhe të kontrollit, gjë që reflektohet edhe në zbatimin e rekomandimeve të Auduitorëve të Brendshëm.

Për shkak të cilësisë jo të mirë të sistemeve financiare te prezantuara në Pasqyrat Vjetore Financiare nga Ndërmarrjet Publike nga 14 ndërmarrje sa janë audituara nga Auditori Përgjithshëm në vitin e kaluar për 13 prej tyre kishte dhënë opinion të pa modifikuar.

Në ndërmarrjen publike “Stacioni i Autobusëve” Sh.A, në Prishtinë, auditori kishte gjet se pozita për zyrtar të auditimit të brendshëm ishte e pa plotësuar deri në muajin prill të vitit 2020. Përkundër se ndërmarrja kishte zhvilluar aktivitetin e rekrutimit, mirëpo nuk ishte përzgjedhur kandidati i suksesshëm për shkak të mos interesimit të kandidatëve për aplikim ku ndërmarrjes lokale iu është dashtë ta përsërisë konkursin.

Se kjo ndërmarrje publike në fjalë nuk e ka pas njësinë e auditimit të themeluar e konfirmon edhe auditorja e ZKA-së, Luljeta Morina.

Për ndërmarrjen publike KRM “Uniteti” në Mitrovicë, auditorja Morina thotë që nuk e ka njësinë e auditimit të brendshëm.

Në ndërmarrjet publike kishte pozita të pa plotësuar për auditorë. KALLXO.com kishte raportuar se Bordi i kompanisë Rajonale e Ujësjellësit KRU “Prishtina” kishte shkarkuar auditorin e brendshëm. Këtë e kishte konfirmuar edhe kreu i këtij bordi Mentor Hyseni. Arsyeja e shkarkimi sipas kreut të këtij bordi ishte se nuk ishin audituar fushat me rrezikshmëri të lartë

“Arsyeja është se nuk i ka audituar fushat me rrezikshmëri të lartë ashtu siç më ka njoftuar edhe komiteti. Unë si drejtor i bordit, i vetmi organ që ka autoritet mbi ta është komiteti i auditimit”, citohet të ketë thënë Hyseni.

Të njëjtin fat e pati edhe auditori i brendshëm i “Postës”, Blerim Krasniqi. Për të cilin u bë e ditur përmes njoftimit për media se është shkarkuar duke mos dhënë shumë detaje, ndërsa si ushtruese e detyrës e zyrtarit të auditimit të brendshëm ishte emëruar Mimoza Vila.

“Komisioni Auditimit të NP “Posta e Kosovës”, sot ka mbajtur takimin e radhës dhe ka marrë këto vendime: Shkarkohet nga detyra z. Blerim Krasniqi nga pozita e Zyrtarit të Auditimit të Brendshëm të NP “Posta e Kosovës” Sh.A. Është emëruar në pozitën e Zyrtarit të Auditimit të Brendshëm si ushtruese e detyrës znj. Mimoza Vila”, thuhej në njoftim.

Ndonëse nuk kishte çështje për rekomandim për sistemin e auditimit të brendshëm për ndërmarrjen publike “Hekurudhat e Kosovës” Sh.A në vitin e kaluar, mirëpo problem të ngjashme me konkurse në punësimin e auditorëve është shfaq në vitet 2017 dhe 2018.

Ndryshe, Auditorin Brendshëm i Kompanisë “Bifurkacioni” nuk e realizon në tërësi planin, kjo kishte ndodhur si shkak i mos funksionimit efektiv të NjAB-së dhe mungesës së mbikëqyrjes nga Komitetit i Auditimit.

Çorganizim i organizuar në auditimin e brendshëm në komuna

Nëpër raportet veç e veç të auditorit për një numër të konsiderueshme të komunave janë shpërfaq arsye të ndryshme në mangësitë e dobësitë në funksionet e auditimit të brendshëm.

Komuna e Drenasi, Kaçanik dhe ajo e Skenderaj nuk e kishte të kompletuar njësi e auditimi të brendshëm sipas kritereve por edhe disa komuna të tjera nën arsyetimin mos aprovimit të pozitave për rekrutim.

Në Komunën e Gjakovës, kryesuesi i Komitetit të auditimit mban pozitën e udhëheqësit të sektorit për ekonomi, gjë e cila nuk është e lejuar me këtë udhëzim, si rezultat i kësaj Komiteti i auditimit nuk ishte funksional. Kjo gjendje ka ndodhur si rezultat i kujdesit jo të duhur të menaxhmentit në zëvendësimin e kryesuesit të komitetit të auditimit.

Për shkak të vëmendjes së pamjaftueshme nga ana e kreut të komunës, një rast i tillë ku pjesë komiteti kanë qenë vetëm anëtarët e brendshëm ishte edhe në Komunës së Shtimes.

Për shkak se nuk ka qenë në gjendje të sigurojë staf të jashtëm për pjesëmarrje në Komitetin e Auditimit, Komuna Mitrovicë nuk e kishte themeluar këtë komitet.

Ndonëse për shkak të mos auditimit të fushave me rrezikshmëri të lartë, Ndërmarrja Publike “KRU Prishtina” e kishte shkarkuar auditorin e brendshëm, një veprim të tillë nuk e kishte marrë komuna e Fushë Kosovës pasi raporti e auditorit bën të ditur se auditimi i brendshëm nuk kishte mbuluar fushat me rrezik të lartë: si të hyrat vetjake, shpenzimet përmes prokurimit, subvencionet etj.

Ndërsa, pamundësia që komuna ti kompensojë anëtarët e Komitetit për takimet dhe angazhimin e tyre, për vitin 2019 Komitetit i Auditimit të Brendshëm në Komunën e Ferizajt nuk e kishte mbajtur asnjë takim/mbledhje duke pamundësuar ndihmën për ZKA-në.

Udhëheqësja e auditimit në departamentin e komunave në ZKA, Luljeta Morina tregon se cilat prej komunave veriore janë të obliguara të kenë njësinë auditimit të brendshëm

“Komunat Zubin Putoku, Mitrovica Veriut, Leposaviqi Zveqani Kllokoti dhe Partesh nuk kanë njësi të auditimit të brendshëm, ndërsa janë të obliguara vetëm Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi sepse e kalojnë mbi 3 milionë buxheti”, tregon auditorja Morina.

Sipas Morinës, Mitrovica e Veriut që nuk e ka themelu njësinë e auditimit të brendshme kanë tentu me hap konkursin, por ishte veç një aplikant dhe është anulu konkursi.

Morina më tej shtoi se në bazë të informatave që ka, Komuna Zveçanit, vitin e kaluar e kanë shfrytëzu shërbimin e auditimit të brendshëm nga Ministria e Financave. Por, Komuna Mamushës ishte vonuar me bërjen e kërkesës, prandaj nuk e ka gëzuar këtë shërbim nga Ministria e Financave.

Ministritë vazhdojnë të injorojnë auditorin e brendshëm. Një pjesë e ministrive nuk kanë kompletuar Njësitë e Auditimit dhe Komitete e Auditimit.

Për dallim Nga Ministria e Pushteti Lokal dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të cilat e kanë funksionale Njësinë e Auditimit të Brendshëm dhe i zbatojnë në mënyrë të kënaqshme rekomandimet që u jepen, disa ministri të tjera nuk i kanë kompletuar këto njësi dhe komitete audituese ndërsa disa të tjera nuk i marrin parasysh rekomandimet që dalin nga auditorët e brendshëm.

Ministria e Administratë Publike dhe Ministri e Drejtësisë kishte realizuar zbatim të ulët të rekomandimeve të auditorëve të brendshëm më pak se gjysmën apo shprehur në përqindje mbi 48 për qind. Probleme janë evidentuar edhe në dikasteret qeveritare si: të arsimit, zhvillimit rajonal dhe të punëve të brendshme.

Historiku i ligjit

Në muajin prill të vitit 2018, pas dekretimit nga ish Presidenti Hashim Thaçi, hyri në fuqi Ligji për Kontrollimin e Brendshëm të Financave Publike, për të vazhduar më pas edhe zbatimi i Udhëzimit Administrativ për Themelimin e Komitetit të Auditimit si dhe Rregullorja për Themelimin dhe Zbatimin e Auditimit të Brendshëm, të cilat filluan së zbatuari në nismën e vitit 2019.

Ligjin i ri, përbehet prej gjashtë kapitujve nga dispozitat e përgjithshme deri tek ato kalimtare dhe përmban në vete 36 nene që për qëllim ka të rregulloj sistemin e kontrollit të brendshëm të financave publike, ku përfshihet menaxhimi financiar dhe kontrolli, auditimin e brendshëm si dhe harmonizimin e tyre në pajtim me standardet.

Lidhur me auditimin e brendshëm i cili është edhe fokusi i kësaj analize, flitet në kapitullin e tretë me gjithsej nëntë nene ku përmes së cilëve rregullohet funksionimi dhe parimet e auditimit të brendshëm, përbërja e rekrutimi, të drejtat dhe përgjegjësitë si dhe kufizimet dhe konflikti i interesit.

Tutje, avancimi i Auditimit të Brendshëm është edhe njëra ndër objektivat e Strategjisë së Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike për vitet 2015-2019, me synim zbatimin e programit për zhvillim profesional, cilësi dhe në pajtim me kornizën ligjore në mënyrë që auditorët e brendshëm të kenë përgatitjen e nevojshme profesionale.

Për t’u rikthyer në retrospektivë, përpara se ky Ligj të hynte në fuqi në kuadër të strategjisë së lartpërmendur, pati debate të shumta. Në muajin tetor të vitit 2016, para Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike të udhëhequr nga ish deputetit Faton Topalli ishte prezantuar Projektligji për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike. Në diskutimet e këtij komisioni nga anëtarët, Ish deputeti Ali Sadriu kishte identifikuar si mangësi mos përfshirjen e Ndërmarrjeve Publike në këtë ligj ndërsa anëtarja e atëhershme e këtij komisioni, Synaver Rysha kishte deklaruar se korrupsioni nuk mund të luftohet me degradim e auditorëve.