Disa komuna të zhytura në borxhe

Borxhi i komunave të Kosovës në fund të vitit 2018 ishte 33.3 milionë euro. Përveç borxhit direkt, Komunat kanë telashe edhe me detyrimet kontingjente, të cilat janë më të mëdha se ato të nivelit qendror. Detyrimet kontigjente janë pretendimeve e bizneseve dhe individëve ndaj komunave për shpronësime, paga apo fatura të tjera kontestuese, e te cilat kanë arritur në vlerën e mbi 112.88 milionë euro për nivein lokal. Ato mund të kthehen në borxhe detyruese nëse ka vendim të Gjykatës.

Auditori ka gjetur se komunat e Kosovës e kanë nënvlerësuar borxhin për 1.2 milion euro, pasi ato kishin deklaruar vetëm 32.1 milionë euro. Komunat që kryesisht kishin nënvlerësuar detyrimet në Pasqyrat Financiare Vjetore janë komuna e Prizrenit, Leposaviqit, Gjilanit dhe Rahovecit.

Auditori gjeti se 23 për qind e gjithsej borxhit të nivelit lokal e ka vetëm Komuna e Gjilanit. Kjo komunë sipas raportit, ka detyrime në vlerë prej 7.57 milionë euro, pas Gjilanit është radhitur Komuna e Prishtinës me mbi 7.54 milionë euro e më pas edhe Komuna e Prizrenit dhe Ferizajt me nga 3 milionë euro.

Shmangia e Ligjit dhe Rregullave Financiare nga komunat

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike, Rregulla Financiare për shpenzimin e parasë publike dhe Rregulla Financiare për raportimin e obligimeve të organizatave buxhetore thotë se organizata buxhetore duhet të paguajnë obligimet brenda 30 ditëve pas pranimit të faturës, dhe se po të njëjtët obligohen të raportojnë çdo muaj në Thesar obligimet e papaguara. Disa komuna nuk i kanë përfillur ligjin dhe rregullat financiare.

Përveç kësaj, asnjë tender nuk mund të iniciohet në rast se nuk e ka deklaratën e disponueshmërisë së mjeteve, pra që projekti të jetë pjesë e buxhetit. Por, Auditori ka gjetur shkelje edhe në këtë rregull.

Bazuar në raportet e Auditorit për vitin 2018, komunat qe kishin rënie apo zvogëlim të detyrimeve të tyre në raport me vitin 2017 ishin: Deçani, Gjakova, Drenasi, Rahoveci, Prizreni, Skenderaj, Shtimja, Vitia, Vushtrria dhe Malisheva.

Në anën tjetër, komunat që kanë rritur borxhet e tyre në raport me një vit më parë janë komunat e Podujevës, Prishtinës, Suharekës, Mamushës, Mitrovicës së Veriut.

Ndërsa për disa komuna të tjera nuk dihen të dhënat për shkak se nuk i kanë paraqitur saktë obligimet në pasqyra financiare.

Podujevës i rritet borxhi 100 për qind

Në raportin e auditimit të vitit 2018 për Komunën e Podujevës vërehet se obligimet janë rritur për 100 për qind.

“Komuna ka deklaruar obligime ndaj furnitorëve në vlerën prej 340 mijë e 307 euro, shumë kjo e rritur për 100% krahasuar me vitin 2017. Derisa në lidhje me pretendimet e palëve tjera ndaj komunës, në bazë të kontesteve aktuale gjyqësore, komuna ka listuar gjithsej 14 raste të mundshme me një shumë të vlerësuar prej 67 mijë e 873 euro”, thuhet në raportin e Auditorit për Komunën e Podujevës për vitin 2018.

Komuna e Podujevës kishte vonuar pagesat e faturave por edhe nuk kishte prezantuar obligimet e plota në pasqyra.

Edhe pse obligimet e Komunës së Podujevës janë rritur për 100 për qind krahasuar me vitin 2017, Komuna e Pejës ka obligime më shumë dyfishin e obligimeve të papaguara të Komunës së Podujevës.

Pasqyra e obligimeve të papaguara ndaj furnitorëve nga Komuna e Pejës, në fund të vitit 2018, ishte 853 mijë e 50 euro. Këto obligime janë bartur për t’u paguar në vitin 2019. Për shkak të neglizhencës së zyrtarit përgjegjës për raportimin e obligimeve të papaguara dhe sipas tij për shkak të disa problemeve softuerike që ka rezultuar me humbjen e shënimeve elektronike për faturat e pranuara.

Sipas Auditorit, as Komuna e Vitisë nuk mban evidencë të saktë të borxheve. Auditori thotë se faturat e paguara, figuronin ende si borxhe në Pasqyrat Financiare të Vitisë.

“Përmes procedurave të auditimit kemi gjetur që shuma e shpalosur në PFV për 2018 nuk jep pasqyrë të drejtë të obligimeve, për shkaqet në vazhdim: Detyrimi ndaj një furnitori, në vlerë prej 4,035 euro u paraqit në raportin financiar si detyrim i papaguar dhe si detyrim kontingjent;  Obligimi kundrejt furnitorit në vlerë prej 9,087 euro, është paguar në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të faturës, ndërsa nuk do të duhej të paraqitej në raportin për MF në lidhje me pagesat e pakryera; dhe Obligimi ndaj një furnitori, në vlerë të përgjithshme prej 7,384 euro, ishte paguar në dhjetor të vitit 2016, ndërsa gjendet në PFV për 2018. Menaxhmenti i komunës nuk mbante evidencën adekuate për faturat e pranuara dhe të paguara”, thuhet në gjetjen e Auditorit.

Sipas Auditorit, as Komuna e Zveçanit nuk mban një libër të protokollit për pranimin e faturave, për shkak të neglizhencës së menaxhmentit.

Tutje, pjesa dërmuese e komunave nuk respektuan afatin ligjor për kryerjen  e pagesave pas pranimit të faturave, duke rrezikuar kështu kosto shtesë buxhetore në rast të padive. Mos realizimi i pagesave nga komunat është arsyetuar me mungesë të mjeteve, hyrje në obligime pa pasur mjete në dispozicion por në disa raste edhe me vendimet nga kontestet gjyqësore.

Auditori ka gjetur se Komuna Deçanit ishte furnizuar me mallra nga një biznes pa pasur kontratë dhe kjo ka bërë që biznesi të dërgojë rastin në përmbarim. Shkaktar i mos pagesës, sipas Auditorit, ishte edhe hyrja në obligime pa mjete të zotuara.

Hyrja në obligime pa mbulesë të mjeteve dhe vonesat në pagesa mund të ndikojë në rritjen e obligimeve të cilat krijojnë implikime buxhetore për vitin vijues. Edhe në Komunën e Klinës, Auditori ka identifikuar se komuna në disa raste ka hyrë në obligime kontraktuale në mungesë të mjeteve të mjaftueshme.

Auditori ka evidentuar që Komuna e Gjakovës ka zvogëluar borxhin për 631 mijë euro në raport me vitin 2017.  Komuna e Gjakovës deri në fund të vitit 2018 kishte 660 mijë euro borxhe, të bartura për pagesë për vitin 2019. Këto borxhe kishin të bënin me të gjitha kategoritë në përjashtim të pagave dhe mëditjeve. Komuna kishte prezantuar edhe obligime për vendimet e shpronësimit si dhe për punët e përfunduara por të pa faturuara. Borxhet e kësaj komune datojnë që nga viti 2012.

Ndryshe, Auditori ka gjetur se Komuna e Leposaviqit ka zbatuar kërkesat e rregullores financiare në lidhje me pranimin dhe pagesat e faturave, duke protokolluar dhe evidentuar faturat e pranuara, gjë që ka rezultuar në krijimin e regjistrit të azhurnuar të faturave të papaguara. Po ashtu, Auditori ka evidentuar se kjo komunë në baza mujore i raporton në Ministrinë e Financave dhe i ka të shpalosura në PFV.

Auditori ka theksuar se obligimet për shpenzime kapitale nga vitet e mëhershme nuk janë të sakta. Dallimi mes shumës së shpalosur dhe asaj që do të duhej të shpalosej është 213 mijë e 095 euro. Obligimet e shpalosura janë në vlerën 1 milion e 324 mijë e 253 euro ndërsa vlera e obligimeve për shpenzime kapitale do të duhej të ishte 1 milion e 537 mijë e 348 euro.

Pjesa më e madhe e komunave në Kosovës, thonë se mos raportimi i rregullit i obligimeve të pa paguara ka ndodhur për shkak të neglizhencës së zyrtarit përgjegjës, mungesa e komunikimit dhe bashkëpunimit me drejtoritë tjera.

Fushë Kosova në borxh me arsimtarët dhe pensionistët

Komuna e Fushë Kosovës kishte prezantuar borxhe në vlerë prej 198 mijë e 785 euro, për t’u paguar në vitin 2019. Krahasuar me vitin e 2018, obligimet kanë shënuar rritje prej 53 mijë e 99 euro, nga 145 mijë e 683 euro në  198 mijë e 785 euro.

Edhe detyrimet kontingjente në Komunën e Fushë Kosovës kanë shënuar rritje prej 266 mijë e 179 euro në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017. Në vitin 2018 këto detyrime kapnin shifrën prej 1 milion e 3 mijë e 840 euro kurse vlera e këtyre detyrimeve në vitin 2017 ishte 737 mijë e 661 euro.

Auditori ka gjetur se Komuna u kishte mbetur borxh arsimtarëve për kompensimin e orëve shtesë si dhe jo të gjithë punëtorët e pensionuar ishin paguar.

“Komuna nuk ka kompensuar arsimtarët për orët e punuara mbi normë dhe obligimet e mbetura nuk janë shpalosur në PFV”, thuhet në gjetjen e vitit 2018 për Komunën e Fushë Kosovës.

Sipas raportit, dështimet e pagesave ndaj arsimtarëve dhe pensionistëve në afatet ligjore, rrisin rrezikun që planet e shpenzimeve aktuale të mos realizohen, për shkak që Komuna duhet t’i shlyej obligimet e vitit paraprak. Kjo, gjithashtu, mund të rezultojë edhe me padi gjyqësore apo pagesa direkte nga thesari.

Kryetarit iu ka rekomanduar se duhet të konsideroj që me rastin e planifikimit të buxhetit, t’i trajtoj obligimet e mbetura me Ministrinë e Financave dhe të vendosë prioritetet buxhetore, në kryerjen e obligimeve. Me tutje të caktojë politika konkrete për t’i kryer obligimet me kohë, sipas afatit të paraparë ligjor, në mënyrë që të parandalojë hyrjen në obligime të reja.

“Obligimet të paguhen brenda afatit kohor prej 30 ditëve nga data e pranimit të faturave. Po ashtu të gjinden zgjidhje për shlyerje të obligimeve të cilat datojnë nga viti 2014”, thuhet në raportin e Auditorit.

Për dallim nga komunat në të cilat Auditori ka dalë me gjetje dhe rekomandime për to, për komunat e Shtërpcës, Ferizajt, Hanit të Elezit, Graçanicës, Ranillugut dhe Parteshit, Auditori nuk ka ndonjë rekomandim sa i përket borxheve.

Detyrimet kontingjente të nivelit lokal më të larta se të nivelit qendror

Përveç kësaj, komunat ballafaqohen edhe me detyrime kontingjente.

Detyrimet kontingjente të nivelit lokal e tejkalojnë atë qendror. Ky lloj i borxhit në nivelin komunal arriti vlerën e mbi 112.88 milionë euro, i cili ishte nënvlerësuar për 4.1 milionë euro.

Më së shumti detyrime kontingjente ka Komuna e Prishtinës me 32.28 milionë euro apo 35 për qind e borxhit të përgjithshëm të nivelit lokal, pastaj Rahoveci me 32.69 milionë euro dhe komuna Gjilanit me 9.83 milionë euro.

“Detyrimet kontingjente, paraqesin pretendime të ndryshme nga ana e paditësve, që kanë gjasa në të ardhmen të shndërrohen në detyrime për organizatat, varësisht prej vendimeve të gjykatës të cilat mund të jenë në favor të palëve paditëse. Këto kanë të bëjnë me kompensime për shpronësime, kompensim të borxhit, dëmit material, pagave dhe implikacioneve tjera financiare në lidhje me to”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në debatin e organizuar nga KALLXO.com për zbatim të rekomandimeve të Auditorit në këtë Komunë, kishte thënë se borxhi dhe pretendimet janë jo-reale.

“32 milionë euro, kur e kam pa jam tmerru, kom pyet se çka janë, janë evidente në 2-3 vitet e fundit, me gjasë jam padi që janë bo prej komunitetit serb, për trazirat, protestat e vitit 2004. Gjykata ka ndërmarrë disa veprime, dhe besoj që më nuk do të jenë. Nëse me të vërtetë kish qenë një borxh prej 32 milionë euro ka gjasa me falimentu edhe Komuna e Prishtinës e jo e Rahovecit, nuk ka bazë juridike dhe nuk do të figurojnë më. Janë të paqena dhe jo ekzistente”, është shprehur Latifi.