Ferizaj. Pamje nga droni: BIRN

Dhënia e pronave komunale me qira – Komuna e Ferizajt nënvleftëson borxhet e qiramarrësve

Komuna e Ferizajt në disa raste, për pronat e veta që i kishte dhënë në shfrytëzim afatshkurtër nuk kishte siguruar mekanizëm monitorimi të kontratave.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, përkundër shkeljeve të kushteve të kontratës, nuk ishte marrë asnjë veprim për shkëputjen e kontratës.

Për një pronë e cila ishte dhënë në shfrytëzim për 10 vjet, ZKA ka gjet se Komuna nuk kishe evidenca të sakta lidhur me vlerën e obligimit të qirasë. Ky institucion ka gjetur se zyrtari përgjegjës në Komunë deklaronte se qiramarrësi, në fund të muajit shtator 2023 kishte borxh prej 65 mijë e 258 euro e 60 centë, e ZKA përmes dokumenteve që ka analizuar ka gjetur se në atë kohë, borxhi ishte 80 mijë e 746 euro e 80 centë, apo nënvleftësim të borxhit prej 15 mijë e 488 euro e 20 centë.

Një pronë tjetër ishte dhënë po ashtu në shfrytëzim për 10 vjet. Për këtë rast, zyrtari përgjegjës deklaronte për ZKA-në se borxhi i qiramarrësit, në fund të shtatorit 2023, ishte 23 mijë e 936 euro, kurse ZKA ka gjetur se borxhi ishte 46 mijë e 471 euro apo 22 mijë e 535 euro nënvleftësim i borxhit.

Për 15 vjet një pronë në fshatin Varosh të Ferizajt u dha në shfrytëzim. Zyrtari komunal i kishte thënë ZKA-së se borxhi i qiramarrësit ishte 5 mijë e 950 euro e 80 centë. ZKA ka gjetur se borxhi ishte 6 mijë e 874 euro e 20 centë, apo nënvleftësim i borxhit në vlerë prej 923 euro e 40 centë.

10 vjet ishte kohëzgjatja e dhënies në shfrytëzim e një lokali në rrugën “Dëshmorët e Kombit: në Ferizaj. Sipas zyrtarit përgjegjës, në shtator 2023 borxhi ishte 35 mijë e 220 euro kurse ZKA ka gjetur se borxhi ishte 38 mijë e 742 euro apo nënvleftësim në vlerë prej 3 mijë e 522 euro”.

Në një rast tjetër, për një lokal i cili po ashtu ishte dhënë në shfrytëzim për 10 vjet, zyrtari deklaronte se borxhi ishte 10 mijë e 330 euro. ZKA gjeti se borxhi ishte 13 mijë e 429 euro apo 3 mijë e 99 euro nënvleftësim i borxhit.

Për një pronë, të dhënë në shfrytëzim afatshkurtër, qiramarrësi për periudhën korrik 2022-shtator 2023 duhej të paguante 8 mijë e 100 euro. Vetëm 540 euro ishin paguar më 23.02.2023 si pagesë e qirasë për shkurt 2023. ZKA gjeti se në fund të shtatorit 2023, qiramarrësi kishte obligim prej 7 mijë e 560 euro.

Një pronë tjetër e dhënë në shfrytëzim nga Komuna e Ferizajt në rrugën ‘Uran Tinova’, ishte rast i mosrespektimit të afatit për pagesën e qirasë mujore. Gjendja e papaguar deri më 30.09.2023 kishte arritur në 1 mijë e 116 euro.

Të gjitha këto sipas ZKA-së ndodhën për shkak se nuk u përmbushën kriteret e përcaktuara me kontratë si dhe mungoi një mekanizëm efektiv për monitorimin e procesit të pronave të dhëna me qira.

“Komuna nuk ka një pasqyrë të qartë për shumat totale të obligimeve të cilat janë në vonesë dhe të papaguara pasi në të gjitha të rastet ka dallim nga deklarata e zyrtarit komunal dhe ajo që kemi identifikuar nga dokumentet e analizuara” – thuhet mes tjerash në raportin e ZKA-së.

Kjo rrezikon që të mos merren borxhet e po ashtu, sipas ZKA-së mos mbajtja e evidencave të sakta për secilin shfrytëzues rrit rrezikun që borxhet të mos raportohen drejtë dhe saktë dhe të ketë keqpërdorime që të fshihen obligimet ndaj komunës.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu rekomandohet që të vendos kontrolle efektive për monitorimin e pronave të dhëna në shfrytëzim dhe për qiramarrësit që nuk i përmbahen kontratës, të merren veprimet ligjore për mbledhjen e qirasë e po ashtu të shqyrtohet mundësia e ndërprerjes së kontratës.

ZKA po ashtu rekomandon që “të mbahen evidenca të sakta sipas kartelës financiare për çdo shfrytëzues në mënyrë që në çdo kohë të dihet saktë gjendja e obligimeve nga ana e shfrytëzuesve të pronës”.

Më 19.07.2024, Kryetari i Komunës ka konfirmuar se ka pranuar draft-raportin e ZKA-së dhe se Brenda 30 ditëve do të dërgojë planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

Këtë raport të auditimit mund ta qasni në këtë VEGËZ.