Cilat janë ndryshimet në formën e raportimit të institucioneve te Auditori?

Zëvendës auditori i përgjithshëm i Kosovës, Ilir Salihu ka prezantuar ndryshimet në mënyrën e raportimit nga institucionet e Kosovës që i nënshtrohen auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Salihu ka thënë se përmirësimin do ta fillojnë që nga institucioni i tyre duke marrë këshilla ndërkombëtare për dhënien e rekomandimeve.

“Hapi i parë në këtë drejtim të përmirësimit është që të përcaktojmë saktë diagnozën e çështjeve nëpër institucione”, ka deklaruar Salihu.

Më tej ai ka shpjeguar që është një rregullore e re e cila iu është dorëzuar institucioneve në muajin qershor me të cilën është përcaktuar që kur bëhen Planet Vjetore për adresimin e rekomandime, Auditori t’i vlerësoj nëse janë të përshtatshme dhe të arsyeshme.

“Tash kemi mundësi me bo dialog shtesë me hartues që mos të jenë jo realiste dhe mekanike por që do të zbatohen dhe të implementohen”, ka potencuar Salihu.

Gjithashtu, risia tjetër do të jetë që institucionet të raportojnë në mënyrë periodike te ZKA ndryshe sa është bërë deri tani që institucionet e kanë pasur mundësinë të raportojnë sa herë që janë përgatitur pasqyrat financiare vjetore. Salihu ka thënë se raportimi i parë do të bëhet në fund të shtatorit.

“Është mendu që të bëhet një raportim periodik, se deri tash është raportuar veç kur janë përgatitur pasqyrat financiare. Deri në fund të shtatorit të bëhet raportimi i parë, se është periudhë e rëndësishme dhe pjesa tjetër të bëhet në mars”, ka treguar Salihu.

Për pjesën tjetër, Salihu ka shtuar se auditorët do të jenë në terren dhe do të raportojnë në muajin qershor.

Gjithashtu, zëvendës auditori i përgjithshëm, Ilir Salihu ka njoftuar se do ta krijojnë një bazë të të dhënave online ku do të mund të përcillet se si po ecë implementimi i rekomandimeve nga institucioneve.

Salihu ka thënë se në bashkëpunim edhe me donatorë të ndryshëm e kanë shqyrtuar mundësinë që kriter për përfitimin e granteve të hyj edhe shkalla e zbatimit të rekomandimeve në mënyrë që t’i jap motiv komunave që të punojnë më shumë në zbatim të rekomandimeve të Auditorit.

Këtë njoftim, Salihu e ka dhënë gjatë një debati që është mbajtur në Komunën e Rahovecit nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në lidhje me gjetjet e Auditorit në këtë komunë në katër vitet e fundit.

Këto gjetje janë prezantuar nga redaktori i BIRN, Visar Prebreza para asamblistëve, kryetarit të komunës, drejtorëve komunalë dhe shoqërisë civile në Kuvendin Komunal të Rahovecit.

Debati në Komunën e Rahovecit është organizuar nga BIRN me mbështetjen e Ambasadës britanike.

KALLXO.com vazhdimisht ka publikuar analiza sa i përket raporteve të auditimit të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Në këto analiza kanë shpërfaqur mangësitë, shkeljet dhe çështjet që janë identifikuar ndër vite nga ZKA.

Analizën për Komunën e Rahovecit mund ta lexoni KËTU.

Pas Komunës së Rahovecit, debatet sa i përket raporteve të auditimit do të mbahen edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Debati në Komunën e Rahovecit është transmetuar live në platformën e KALLXO.com në Facebook.

Debat në Komunën e Rahovecit për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 20 septembre 2019