Çalimi i Rahovecit në prokurim

Prokurimi publik ka qenë një nga fushat në të cilat Komuna e Rahovecit ka çaluar më së shumti në vitet e fundit sipas Auditorit të përgjithshëm.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka analizuar dhe krahasuar gjetjet e Auditorit të përgjithshëm në Komunën e Rahovecit në katër vitet e fundit. Gjetjet kryesore të BIRN janë prezantuar nga Visar Prebreza, redaktor i BIRN, në një debat të organizuar në Kuvendin Komunal të Rahovecit para asamblistëve, drejtorëve komunalë dhe shoqërisë civile në Rahovec.

Sipas Prebrezës, mangësitë dhe shkeljet në prokurim kanë karakterizuar gati të gjitha fazat e prokurimit dhe vetëm në vitin e fundit, prej 21 rekomandimeve 6 kanë qenë në fushën e prokurimit dhe investimeve kapitale.

“Në fushën e prokurimit ka pas gjetje të vazhdueshme, qoftë në fillim të procedurave të prokurimit qoftë në implementim të kontratave, këto probleme nuk janë veç në Rahovec, telashe kemi gjithandej”, ka theksuar Prebreza.

Ndërsa kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se është i vetëdijshëm sa i përket lëshimeve procedurale në projektet e prokurimit publik.

“Mendoj që platforma elektronike ka ndikuar që me u rrit transparenca. Procedurat, vlerësimi i ofertave janë sfida dhe qëllime tona, por konsiderojmë që kemi arritur përmirësim sa i përket lëshimeve procedurale. Ne po përpiqemi me përmirësu kualitetin edhe në bashkëpunim me KRPP-në. Po përpiqemi me qenë korrekt në zbatim të Ligjit të Prokurimit Publik”, ka deklaruar Latifi.

Pjesë e këtij debati ka qenë edhe përfaqësuesi zëvendës auditori i përgjithshëm, Ilir Salihu, i cili u shpreh se monitorimi i implementimit të kontratave është pika më e dobët në krejt sistemin e prokurimit publik.

“Kjo ndoshta buron nga kapacitetet që i kanë komunat. Jam optimist në rritjen e transparencës sa i përket prokurimit publik. Kjo na ka rangu shumë mirë në krahasim me vendet e rajonit”, ka shtuar Salihu.

KALLXO.com vazhdimisht ka publikuar analiza sa i përket raporteve të auditimit të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Në këto analiza kanë shpërfaqur mangësitë, shkeljet dhe çështjet që janë identifikuar ndër vite nga ZKA.

Debati në Komunën e Rahovecit është organizuar nga BIRN me mbështetjen e Ambasadës britanike.

Përveç prokurimit publik, problemet e tjera të cilat janë evidentuar në Komunën e Rahovecit janë edhe borxhet kontingjente, keq klasifikimi i shpenzimeve dhe regjistrimi i pasurisë.

Analizën për Komunën e Rahovecit mund ta lexoni KËTU.

Pas Komunës së Rahovecit, debatet sa i përket raporteve të auditimit do të mbahen edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Debati në Komunën e Rahovecit është transmetuar live në platformën e KALLXO.com në Facebook.

Debat në Komunën e Rahovecit për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 20 septembre 2019