Komuna e Prishtinës

Borxhi ndaj Komunës së Prishtinës afër 68 milionë euro

Përkundër rekomandimit nga viti i kaluar, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të krijojë mekanizma për mbledhjen e borxheve.

Në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) thuhet se në fund të vitit 2020 borxhet kishin arritur vlerë rreth 68 milionë euro.

Në raportin e ZKA-së theksohet se sfida kryesore mbetet borxhi i tatimit në pronë në vlerë prej 38,004,400 euro , të hyrat nga lejet e ndërtimit në vlerë 13,433,976 euro, nga mbeturinat në vlerë prej 7,346,818 euro dhe nga llogaritë tjera të pambledhura në vlerë prej 8,533,961€ (taksa rregullative e infrastrukturës, taksat në biznes, borxhet nga shpronësimi, Drejtoria e shërbimeve publike dhe nga qiraja).

Auditori tutje potencon se si rezultat i mosvendosjes së mekanizmave për arkëtimin e këtyre llogarive ka ardhur deri te rritja e tyre.

Sipas opinionit të Auditorit, Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prishtinës prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme.