Foto: KALLXO.com

Borxhet e paguara të qytetarëve, ujësjellësi i regjistroi si pagesa të pa identifikuara

Borxhet në shumë 672,890 euro, nuk u janë zbritur konsumatorëve për obligimet e paguara ndaj ndërmarrjes KRU Prishtina.

Këto mjete ishin regjistruar në zërin kontabël me përshkrimin “Pagesat e pa identifikuara dhe të jashtëzakonshme”.

Kështu thuhet në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për pasqyrat financiare të kësaj kompanie.

Në raportin e ZKA-së potencohet se, sipas zyrtarëve të ndërmarrjes, kjo ka ndodhur si pasojë e vështirësive në identifikimin e konsumatorëve me rastin e shkarkimit të pagesave nga llogaria bankare.

Sipas tyre, ky është një problem i bartur që nga fillimi i vitit 2003, kur ka filluar të mbahet në analitikë gjendja e konsumatorëve.

Sipas auditorit, mos zbritja e pagesave të konsumatorëve përkatës për obligimet e paguara ndikon në mos prezantim të saktë të obligimeve të konsumatorëve ndaj Kompanisë.

Auditori potencon se, Pasqyrat Financiare të kësaj kompanie nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” SH.A. deri me 31 dhjetor 2020, të performancës së saj financiare, si dhe rrjedhës së parasë së gatshme për vitin 2020, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF).