"Bifurkacioni" me vetëm një ujëmatës për ujin e prodhuar

Kompania Bifurkacioni nga 15 qendra të përpunimit të ujit/rezervuarëve, vetëm në qendrën kryesore ka të vendosur ujëmatës për matjen e ujit të prodhuar.

Këtë gjetje e ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2919, ku ka shpjeguar se qendra kryesore e cila ka të vendosur ujëmatës përbën 66% të zonës së shërbimit.

Ndërsa, pjesa tjetër në shkallën 34 për qind e zonës së shërbimit, uji i prodhuar është i vlerësuar pa ujëmatës të vendosur për matjen e saktë të ujit të prodhuar.

“Sipas Rregullores së ARRU2 Nr.08/2018, Neni 3.3.1 për ndryshim dhe plotësim të Rregullores Nr.02/2016 për Standardet Minimale të Ujit në Kosovë, kërkohet që të vendosen/instalohen pajisjet për matjen e ujit në të gjitha daljet e fabrikës/puseve për përpunimin e ujit të pijshëm”, thuhet në raport.

Auditori tregon se njëra prej arsyeve të mos vendosjes së këtyre ujëmatësve deri tani ishte kostoja e papërballueshme, mirëpo kompania është në procedura me mbështetje prej donatorëve për realizim të këtij projekti.

“Mos vendosja e ujëmatësve në të gjitha qendrat e përpunimit dhe prodhimit të ujit, përveç që është në kundërshtim me kërkesat e rregullores së autoritetit rregullator të ujit, ndikon edhe në prezantim jo të saktë të humbjeve të ujit”, thuhet në raport.

Auditori rekomandon që Bordi i Drejtorëve të sigurojë se janë vendosur ujëmatës në të gjitha qendrat e përpunimit dhe prodhimit të ujit, dhe përmes kësaj të konstatohet humbja e saktë e ujit, në mënyrë që të mundësohet marrja e masave për shkaqet tjera të humbjeve të ujit.

Menaxhmenti sipas këtij raporti është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e auditorit.

Sipas raportit të auditorit të hyrat e realizuara në KRU Bifurkacioni ishin në vlerë 2,402,109 euro.

“Ato kanë të bëjnë me të hyrat nga furnizimi me ujë të pijshëm dhe mbledhje të ujërave të zeza në komunat Ferizaj, Kaçanik dhe Hani i Elezit”, thuhet në raport.