Avancet e paarsyetuara në ministrinë e udhëhequr nga Dardan Gashi

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike gjatë vitit 2019, kur është udhëhequr nga ministri Dardan Gashi, nuk i ka mbyllur avancet në vlerë prej 17,443 euro. Mos-mbyllje të avanceve kishte edhe gjatë viteve 2018 dhe 2017. Një nga këto avance në vlerë 6,014 euro kishte mbetur i hapur që nga viti 2017, 6 avance të pa mbyllura në vlerë prej 7,423 euro i takonin vitit 2018 dhe 5 avance të pambyllura në vlerë prej 4,005 euro i takonin vitit 2019, dhe si të tilla, është dashur të mbyllen para përfundimit të vitit.

Këto të dhëna janë nxjerrë nga raportet e auditimit për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike për katër vitet e fundit.

Nga testimi i 9 mostrave, Auditori ka vërejtur se në një mostër avanci për udhëtime zyrtare në Itali në vlerë prej 1,041 euro, i realizuar me datën 28 tetor 2019, për pjesën e avancit në vlerë prej 370 euro, përfituesi nuk kishte ofruar dëshmi për shpenzimet.

Auditori ka theksuar që kjo vlerë është dashur të kthehet në llogari të MDIS, por deri në përfundim të auditimit, kthimi i këtyre mjeteve nuk është bërë.

“Ministri duhet të sigurojë se të gjitha avancet e mësipërme do të arsyetohen brenda periudhës së përcaktuar me rregulloret financiare. Në të kundërtën, shumat e pa arsyetuara t’u ndalen nga paga personave që kanë pranuar avance. Gjithashtu, menaxhmenti duhet të forcoj kontrollet që barazimet/arsyetimi i shpenzimeve të avanceve të bëhet brenda afateve të përcaktuara ligjore pa asnjë vonesë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për vitin 2019.

Edhe në vitin 2018, Ministria e Diasporës nuk i ka mbyllur avancet sipas afatit të përcaktuar me Udhëzimin Administrativ për Udhëtime Zyrtare.

MDIS kishte paraqitur në vitin 2018 avance të pambyllura me vlerë të përbashkët 25,562 euro. Një nga këto avance në vlerë 6,014 euro kishte mbetur i pambyllur që nga vitit 2017. Pjesa tjetër i takojnë periudhës prill-nëntor 2018 dhe si të tilla është dashur të mbyllen para përfundimit të vitit.

“Ministri duhet të siguroj se në të gjitha rastet kur zyrtarët nuk i kanë arsyetuar shpenzimet e udhëtimit në pajtim me rregullat, shumat e pa arsyetuara t’u ndalen nga pagat. Kjo do të ndikoj në rritjen e përgjegjësisë së stafit në kryerjen e obligimeve ligjore për arsyetimin e shpenzimeve dhe mbylljen e avanceve, në pajtim me rregullat në fuqi”, vazhdon rekomandimi i Auditorit në vitin 2018.

Si në vitin 2018 dhe 2019, edhe në vitin 2017, Ministria e Diasporës ka pasur avance të pambyllura ose të mbyllura me vonesë.

MDIS kishte paraqitur në PFV, 4 avance të pambyllura me vlerë të përbashkët 7,218 euro. Më tutje Auditori ka identifikuar edhe 3 avance të cilat nuk ishin mbyllur brenda afatit të paraparë ligjor me shuma prej 6,220 euro, 1,311 euro, dhe 678 euro. Vonesat ishin nga 15 deri në 200 ditë.

“Ministri duhet të siguroj se i gjithë stafi i cili qëndron për vizita, seminare etj, jashtë vendit, pas kthimit ti kryejnë obligimet ligjore për arsyetimin e shpenzimeve dhe mbylljen e avanceve, në pajtim me rregullat në fuqi”, theksohet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2017.

Zbatimi i ultë i rekomandimeve
Ministria e Diasporës që është udhëhequr nga Dardan Gashi, nuk e ka zbatuar asnjë rekomandim në vitin 2019 prej 4 rekomandimeve që i kishte marrë nga Zyra Kombëtare e Auditimit në vitin 2018.

Vetëm njëri nga rekomandimet ka qenë në proces të zbatimit, kurse 1 rekomandim nuk është zbatuar dhe 2 të tjerë janë mbyllur si të pazbatuar.

Ministria e Diasporës e cila në mandatin e kaluar është drejtuar nga Dardan Gashi, ka marrë më pak rekomandime nga Auditori në dy vitet e fundit, 2018 dhe 2019, se sa kishte marrë në dy vitet paraprake, 2016 dhe 2017.

Në dy vitet e fundit, Ministria e Diasporës ka marrë nga 4 rekomandime përderisa në dy vitet paraprake kishte pranuar më shumë se dyfishin e këtyre rekomandimeve, 11 rekomandime në vitin 2016 dhe 10 rekomandime në vitin 2017.

Edhe pse Ministria e Diasporës ka marrë opinion të pa modifikuar në vitin 2019, Auditori ka gjetur disa shkelje në këtë ministri. Në vitin 2019, Ministria e Diasporës ka pasur probleme me procedurat e rekrutimit. Njëri prej problemeve që është përsëritur vazhdimisht që nga viti 2017, janë avancet e hapura. Në vitin 2019, Auditori ka gjetur avanse të cilat kanë mbetur të hapura që nga viti 2017.

Njëra prej shkeljeve të evidentuara në vitin 2019 ka lidhje me subvencionet. Në vitin 2018, Ministria e Diasporës nuk kishte marrë asnjë rekomandim në këtë fushë por një problem i ngjashëm ishte shfaqur në këtë ministri në vitin 2017. Në vitin 2019, Auditori ka gjetur mos raportim të subvencioneve dhe mos respektim të kritereve për subvencionim në Ministrinë e Diasporës.

Sekretari i Përgjithshëm emëron veten si kryesues i Komisionit për rekrutim

Auditori ka gjetur shkelje në rekrutim në Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në vitin 2017 dhe 2019. Por një problem i tillë nuk është evidentuar në asnjë gjetje në vitin 2018.

Në vitin 2019, Auditori ka gjetur që Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie është vet-emëruar si kryesues i komisionit për rekrutim.

Gjatë testimit të procedurave të rekrutimit të brendshëm, në një rast, Auditori është vërejtur se U.D i Sekretarit të Përgjithshëm përmes një vendimi ka caktuar komisionin përzgjedhës për pozitën Udhëheqës i Divizionit për promovimin e investimeve strategjike, ku si Kryesues të këtij Komisioni kishte caktuar vetveten. Vendimi i tillë ishte bërë për arsye të mungesës së Drejtorit të Departamentit për pozitën në fjalë.

Në Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, thuhet se një nëpunës nuk duhet të përfshihet në një procedurë administrative nëse është pjesë apo shqyrton si organ epror ankesën e një akti të marrë prej vet atij.

Sipas Auditorit, Ushtrimi i detyrës së Kryesuesit të Komisionit përzgjedhës nga vet Zyrtari Kryesor Administrativ, mund të përbëj konflikt interesi, pasi që në rastet e ankesave të mundshme të kandidatëve, mund të ndikoj në epilogun e ankesave për vendimet e marra nga vetë ai.

“Ministri duhet të sigurojë se në të gjitha proceset ku nevojiten formimet e Komisioneve, Kryesues të atyre Komisioneve të mos caktohet zyrtari cili përfshihet në procedurë administrative, dhe në të njëjtën kohë, merr pjesë në shqyrtimin e ankesave si organ epror për një vendim të marrë prej vet atij”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për vitin 2019.

Ndërsa në vitin 2017, Auditori ka gjetur se Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka angazhuar persona me kontrata mbi vepër pa procedura të rekrutimit.

Auditori ka vërejtur se MDIS gjatë vitit 2017 kishte angazhuar 12 persona me kontrata mbi vepër, ku procedurat e rekrutimit për 9 pozita ishin zhvilluar pas kalimit të afatit prej gjashtë muaj. Përmes procedurave të thjeshtësuara të rekrutimit, të njëjtit janë angazhuar me kontrata mbi vepër edhe për 6 muaj të tjerë ndërsa për 3 pozita, nuk ka pasur fare procedura të thjeshtësuara të rekrutimit.

Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se 6 muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

“Ministri duhet të inicioje një rishikim gjithëpërfshirës për të përcaktuar saktë nevojat për staf, me qëllim që të gjitha pozitat e nevojshme të plotësohen me staf të rregullt. Në rast se shfaqet nevoja për të angazhuar staf për kohë të shkurtër, atëherë duhet të zhvillohen procedurat komfor dispozitave ligjore”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2017.

Mos respektimi i kritereve për subvencionim

Në vitin 2018, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike nuk kishte marrë asnjë rekomandim në lidhje me shkeljet në subvencione. Por ky problem është rishfaqur në vitin 2019, madje Auditori ka gjetur mos raportim të subvencioneve dhe mosrespektim të kritereve për subvencionim. Problemi me monitorim të dobët të subvencioneve dhe mungesë të raporteve nga ana e përfituesve kishte qenë problematike për këtë ministri edhe në vitin 2017.

Sipas Rregullores për Subvencione, përfituesit e subvencioneve pas përfundimit të projektit duhet të dorëzojnë raporte, si dëshmi për mënyrën e shfrytëzimit dhe arsyetimit të fondeve.

Në vitin 2019, gjatë testimeve të 7 mostrave Auditori ka vërejtur se në 6 raste përfituesit nuk kishin raportuar komfor kushteve të kontratës. Më tej, MDIS nuk kishte caktuar zyrtarët përgjegjës për monitorimin dhe implementimin e projekteve. Nga 7 raste, 5 projektet e financuara sipas kontratës ishin paraparë të përfundonin në periudhën qershor-shtator, ndërsa në dy raste projektet do të përfundonin në muajin nëntor 2019. Shkaku i mos raportimit nga përfituesit e subvencioneve, ishte mos emërimi i zyrtarëve për monitorim dhe angazhimi i pa mjaftueshëm i sektorit përgjegjës për adresimin e kësaj kërkese te OJQ-të

“Ministri duhet të emëroj zyrtarët përgjegjës për monitorimin dhe implementimin e projekteve, dhe me rastin e lidhjes së marrëveshjeve me përfituesit e subvencioneve, të përcaktohen qartë kushtet dhe afatet e raportimit. Në të kundërtën, të mos alokoj pjesën e mbetur të subvencioneve derisa të dorëzohen raportet për shpenzimet e lejuara më herët”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Gjetja tjetër e Auditorit në vitin 2019 ka qenë që nuk janë respektuar kriteret për subvencionim.

Sipas thirrjeve publike kriteret e përgjithshme për mbështetje financiare të OJQ-ve dhe personave fizik, një aplikant për t’u kualifikuar për mbështetje financiare publike, duhet të ketë vërtetimin që këta të fundit nuk kanë obligime tatimore ndaj ATK-së, dëshminë nga Gjykata Themelore se aplikuesit nuk janë nën hetime, dëshminë së janë të themeluara si OJQ dhe të pajisura me numër fiskal.

Auditori ka testuar 4 mostra të mbështetjes financiare për OJQ, 2 për OJQ të huaja (që ushtrojnë aktivitetin jashtë vendit) dhe dy për OJQ vendore.

Në raportin e auditimit thuhet se mbështetja financiare në vlerë prej 4 mijë euro për projektin “Historia e popullit shqiptarë ndër vite”, përfituesi nuk kishte ofruar si dëshmi nr. Fiskal, përkatësisht dokumentacionin ekuivalent sipas legjislacionit të shtetit përkatës për OJQ-të e huaja.

Mbështetja financiare në vlerë prej 2,100 euro për projektin “Organizimi i garave të kupës në Vjenë” përfituesi nuk kishte ofruar dëshmi se është i regjistruar si OJQ sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asocimit në organizata jo qeveritare në shtetin ku ushtron aktivitetin e saj dhe nuk kishte ofruar dëshminë se posedon nr. fiskal.

Mbështetja financiare në vlerë prej 2,100 euro për projektin “Kampi rinor për diasporën” dhe mbështetja financiare në vlerë prej 2 mijë euro për projektin “Diaspora 2019 – Skenderaj”, në të dy rastet, OJQ–të vendore, para nënshkrimit të kontratës, nuk kishin ofruar vërtetimin e lëshuar nga Gjykata Themelore se menaxherët përgjegjës nuk janë nën hetime për vepër penale, dhe njëra OJQ nuk kishte ofruar dëshmi apo vërtetimin për të dëshmuar se nuk ka borxhe ndaj ATK-së.

Në 3 rastet e ekzaminuara të mbështetjes financiare për projekte për përfituesit individual, Auditori ka gjetur se përfituesit në të tri rastet nuk kanë ofruar vërtetimin apo deklaratën nga Gjykata Themelore se nuk janë nën hetime, ku pas përzgjedhjes se përfituesve, kërkohet origjinali jo më i vjetër se 6 muaj.

Rastet e përmendura nga Auditori janë mbështetja e financiare në vlerë prej 2,100 euro për projektin “Turniri memorial i futbollit 9 nëntori’ vendi i realizimit Roneby-Suedi; mbështetja e financiare në vlerë prej 2,000 euro për projektin “Nxitja dhe informimi i bashkatdhetarëve për investime ne Kosovë” vendi i realizimit Gjermani dhe Çeki; dhe mbështetja e financiare në vlerë prej 2,100 euro për projektin “Çiklizmi malor për t’i njohur vlerat e Kosovës” vendi i realizmit në rajonin e Shalës së Bajgores.

“Ministri duhet të siguroj se komisioni për vlerësim ka parasysh të gjitha kriteret e përcaktuara në thirrje publike dhe në asnjë rast nuk do të subvencionoj OJQ-të apo personat fizik pa i plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara sipas thirrjes publike”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2019.

Në vitin 2017, Auditori kishte gjetur se Ministria e Diasporës ka monitorim të dobët të subvencioneve dhe mungesë të raporteve nga ana e përfituesve.

Në 4 raste përfituesit e subvencioneve nuk kishin raportuar brenda afatit të përcaktuar. Vonesat e raportimeve shkonin deri në 4 muaj, derisa vlera e përbashkët e këtyre projekteve ishte 7,950 euro. Po ashtu, në 5 raste të tjera me vlerë të përbashkët prej 10,100 euro, nuk ishin ofruar dëshmi (raporte) kthyese nga ana e përfituesve për mënyrën e shpenzimit të mjeteve që janë dhënë nga ministria.

Rregullorja për kriteret dhe mënyrën e subvencionimit të projekteve për Diasporën, përcakton që përfituesi i projektit obligohet t’i përmbushë në tërësi obligimet e parapara me marrëveshjen për subvencionim, derisa Marrëveshjet për Subvencionim, obligojnë përfituesit që në afat prej 30 ditësh nga përfundimi i projektit, t’i dorëzojnë zyrtarit monitorues, raportin e detajuar të kryerjes së obligimeve të parapara me marrëveshje së bashku me faturat përcjellëse.

“Ministri duhet të sigurojë se departamentet përkatëse mbikëqyrin dhe raportojnë në formë të detajuar dhe pagesat përcillen me dëshmi të mjaftueshme dhe adekuate, në mënyrë që të sigurohet që subvencioni po shpenzohet sipas qëllimit të dedikuar”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2017.

Përmirësimi i opinionit të auditimit

Opinioni i Auditorit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike në dy vitet e fundit ka marrë opinion të pa modifikuar.

“Opinion i pa modifikuar Pasqyrat Financiare Vjetore paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale”, thuhet në opinionin e Auditorit për vitin 2018 dhe 2019.

Auditori jep opinion të pamodifikuar nëse arrin në përfundimin se Pasqyrat Financiare janë përgatitur në të gjitha aspektet materiale, në pajtim me kornizën e zbatueshme financiare.

Ndërsa në dy vitet paraprake, në 2016 dhe 2017, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka marrë opinion të kualifikuar nga Auditori.

Auditori jep opinion të kualifikuar nëse arrin në përfundimin se keq-deklarimet janë materiale, por nuk janë të paraqitura në Pasqyrat Financiare, ose nëse Auditori nuk ka mundur të marrë dëshmi të mjaftueshme në të cilat të bazojë një opinion, por arrin në përfundimin se efektet e çdo gabimi të pazbuluar kanë mundur të jenë materiale të cilat nuk janë paraqitur në Pasqyrat Financiare.

Në vitin 2016, Ministria ka marrë opinion të kualifikuar për shkak të deklarimit të shpenzimeve për subvencione në vlerë prej 38,456 euro, të cilat janë paguar dhe raportuar në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.

Ndërsa në vitin 2017, Ministria e Diasporës ka marrë opinion të kualifikuar Pasqyrat Financiare Vjetore për shkak të pagesave të pagave për drejtorët e tri Qendrave Kulturore të Kosovës në Diasporë dhe Mërgatë (QKKDM) në shumën prej 65,849 euro, nga mallrat dhe shërbimet, derisa këto shpenzime do të duhej të paguheshin nga pagat dhe mëditjet.