Auditori: Shkelje të shumta nga KRU ‘Prishtina’

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se aspektet financiare në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” janë përkeqësuar në vitin 2018 krahasuar me vitin paraprak.

Në vitin 2017,  Auditori kishte dhënë një opinion të ‘kualifikuar’ për pasqyrat financiare të kësaj ndërmarrjeje publike, kurse në vitin 2018 opinioni i Auditorit ishte i ‘kundërt’.

“Auditori duhet të japë një opinion të kundërt nëse, pasi ka marrë dëshmi auditimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme, auditori arrin në përfundimin se keq-deklarimet, ose individualisht ose së bashku, janë edhe materiale edhe të përhapura në pasqyrat financiare”, thuhet në shpjegimet e bëra nga Auditori për ‘opinionin e kundërt’.

Auditori në raportin e auditimit të ‘KRU Prishtina’ 2018 ka thënë se “pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2018, nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale”.

Zbatim i ulët i rekomandimeve

KRU ‘Prishtina’ i ka pranuar 20 rekomandime në raportin e auditimit për vitin 2017. Madje, Auditori thotë se kishte zbatim të ultë të rekomandimeve që kanë pranuar në raportin e vitit 2016. Auditimi i pasqyrave financiare për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2016 është realizuar nga një auditor i jashtëm i angazhuar me tender nga ana e KRU Prishtinës.

“Për shkak të menaxhimit jo të mirë procesit dhe mungesës së një monitorimi formal për mënyrën e zbatimit të rekomandimeve të auditimit të jashtëm, vetëm një pjesë e rekomandimeve të vitit të kaluar (2016) dhe atyre të bartura më herët janë zbatuar”, thonë Auditorit në raport.

Madje, Auditorit thotë se KRU Prishtina nuk e ka azhurnuar planin e veprimit apo që ka ndërmarr veprime administrative për mos zbatimin e rekomandimeve. Sipas Auditorit, mos zbatimi i rekomandimeve nga vitet paraprake rrit rrezikun e pranisë së vazhdueshme të mangësive të njëjta të cilat ndërlidhen me PFV dhe me menaxhimin financiar dhe kontrollet e brendshme.

Numri i rekomandimeve të Auditorit drejtuar kompanisë në fjalë, në vitin 2018 vetëm sa është rritur. 39 sosh i ka dhënë auditorit KRU “Prishtina” në raportin vjetor për 2018-n, apo gati dyfishin e rekomandimeve të vitit paraprak.

Kishte edhe mos mos-zbatim të rekomandimeve që ka dhënë Njësia e Auditimit të Brendshëm nga menaxhmenti.

“Menaxhmenti i Kompanisë gjatë auditimit nuk ka dëshmuar se në mënyrë sistematike përcjellë progresin e përmbushjes së rekomandimeve të dhëna nga NJAB. Zyrtarët e ndërmarrjes kanë konsideruar se komentet e dhëna për zotimin e përmbushjes së rekomandimeve në raportet e auditimit të brendshëm si dhe iniciativat individuale të menaxherëve përgjegjës për përmbushjen e tyre janë të mjaftueshme”, theksohet në raport.

Në anën tjetër, ka pasur edhe mos përcjellje të zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga NJAB-i.

“NJAB nuk kishte themeluar dhe nuk mirëmban një sistem të monitorimit të rezultateve të komunikuara të angazhimeve, për tu siguruar se rekomandimet janë zbatuar në mënyrë efektive. Kjo ka ndodhur si pasojë se NjAB e arsyeton monitorimin e zbatimit të rekomandimeve me verifikimin e implementimit në auditimin e radhës”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, mos përcjellja e zbatimit të rekomandimeve rrezikon mos informimin me kohë të Komitetit të auditimit dhe vonesa në zbatimin e rekomandimeve, të cilat si rrjedhojë pamundësojnë përmirësimin e proceseve të qeverisjes, administrimit të rrezikut dhe proceseve të kontrollit me kohë.

Shkeljet në prokurim

Auditori ka gjetur shkelje të ndryshme në prokurim që janë bërë nga KRU “Prishtina” në dy vitet. Auditori kishte gjetur se në vitin 2017 kishte shpërputhje të mëdha sa i përket planit të prokurimit dhe aktiviteteve që në fakt kishin ndodhur. Kishte aktivitete të prokurimit që ishin realizuar përkundër që nuk ishin në planin e prokurimit.

“Ishin nënshkruar 14 kontrata që nuk ishin të parapara si aktivitete në planin e prokurimit (vlera e përbashkët e tyre ishte rreth 21,000 euro)”, thuhet në raportin e auditimit.

Ndërkohë ishin edhe 22 tenderë që janë zhvilluar dhe që nuk ishin pjesë e planit të prokurimit.

“Nënshkrimi i kontratave që nuk janë paraparë në planin e prokurimit dhe mos zhvillimi i atyre të planifikuara, reflektojnë planifikim të dobët dhe rrisin rrezikun për mosrealizim efektiv dhe efikas të objektivave të kompanisë”, thekson ZKA.

Auditori i rekomandon kryesuesit të Bordit të ndërmarrjes se ‘duhet të sigurojë se njësitë kërkuese parashtrojnë kërkesat me kohë për t’i lejuar zyrës së prokurimit planifikimin dhe inicimin me kohë të aktiviteteve dhe procedurave të prokurimit’.

Auditori kishte gjetur se një kontratë për servisimin e automjetit ishte nënshkruar pa procedura të prokurimit.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj se blerja e mallrave dhe shërbimeve bëhen sipas kërkesave të Ligjit të prokurimit për të evituar devijimin nga kërkesat ligjore”, thuhet në raportin e Auditorit.

Shkelje në prokurim kishte edhe në vitin 2018. Auditori ka gjetur një rast kur Kompania ishte furnizuar me naftë përkundër që nuk kishte kontratë të nënshkruar me operatorin në fjalë.

“Me rastin e trajtimit nga ana e jonë të procesit të implementimit të kontratës publike ‘Furnizim me Naftë dhe Benzinë’, është vërejtur që Kompania ishte furnizuar me 4,000 litra naftë në vlerë 3,360€, gjashtë ditë para nënshkrimit të kontratës me operatorin ekonomik”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Kompania e kishte arsyetuar këtë furnizim me nevoja urgjente të furnizimit me naftë dhe rrezikut që të pamundësonte funksionimin e njësiteve të operativës.

“Kryesuesi i Bordit duhet sigurojë se janë hartuar politika të brendshme për përcaktimin e kufijve minimal të rezervave të naftës si dhe para skadimit të kontratave, brenda një periudhë të përshtatshme kohore, të fillojnë procedurat e prokurimit për të mundësuar lidhjen e kontratave të reja me kohë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për të adresuar këtë dobësi.

Telashet me menaxhim të kontratave

Përveç shkeljeve në prokurim e sfidave në zbatimin e rekomandimeve, në dy vitet e fundit, KRU “Prishtina” është përballur edhe me telashe të tjera, si me regjistrimin e konsumatorëve apo menaxhimin e kontratave të stafit të tyre.

Në raportin për vitin 2017, në kompaninë në fjalë është evidentuar edhe mbajtja dhe pagesa e menaxherëve pa kontratë.

“Nëntë menaxherëve u kishin skaduar kontratat në fund të dhjetorit 2016, por të njëjtit kishin vazhduar të punojnë dhe të paguhen gjatë gjithë vitit 2017 pa vazhdimin e kontratave. Kontratat e tyre ishin vazhduar nga 01.01.2018. Kjo për shkak të menaxhimit jo efikas dhe funksionimit të dobët të kontrolleve të brendshme”, thekson auditori në raportin vjetor për vitin 2017.

Rreziku nga kjo, sipas ZKA-së, është se vazhdimi i pagesës së menaxherëve me kontrata të skaduara, përveç së është papajtueshmëri ligjore, ndikon në pagesa të pa rregullta dhe keq menaxhimin e parasë publike. Kjo po ashtu, paraqet rrezik për një vendimmarrje efikase.

Vonesa në regjistrimin e ujëmatësve të konsumatorëve individual, ka gjetur Auditori në këtë kompani, në raportin për vitin 2018. Brenda tre viteve të fundit kërkesë për legalizim të ujëmatësve individual kishin paraqitur 83 investitor të banimeve kolektive.

Në 12 mostra të testuara ZKA ka vërejtur që në të gjitha rastet procedurat e legalizimit ishin vonuar dhe variojnë nga një muaj deri në një vit.

“Në dy raste edhe pse kërkesat ishin bërë që nga muaji prill respektivisht shtator të vitit 2018, ende nuk ishte bërë verifikimi i këtyre kërkesave nga komisioni i angazhuar për verifikim të gjendjes në teren. Mos përmirësimi i gjendjes nga vet investitorët pas vërejtjeve të pranuara nga komisioni i verifikimit, ishte shkak kryesor për vonesat në verifikim dhe regjistrim të konsumatorëve”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, vonesat në procesin e legalizimit apo regjistrimit të këtyre konsumatorëve përveç që janë në kundërshtim me rregulloren, shkaktojnë mos-faturim të të hyrave në periudhën kur ofrohet shërbimi dhe rritjen e humbjeve të ujit.

Gjatë 2018-ës ka pasur edhe regjistrimi të konsumatorëve pa i përmbushur kriteret e përcaktuara.

Auditori njofton se brenda tre viteve të fundit kërkesë për legalizim të ujëmatësve individual kishin paraqitur 83 investitor të banimeve kolektive.

Por se gjatë trajtimit të kësaj çështje, kanë vërejtur që menaxhmenti i kompanisë, në janar të vitit 2019 kishte marrë vendim për regjistrim të të gjithë konsumatorëve që janë të pajisur me ujëmatës individual, të cilët kanë aplikuar përmes investitorëve në objekte kolektive.

“Nga gjithsej 25 objekte kolektive, që legalizohen në bazë të këtij vendimi, ne kemi trajtuar pesë raste. Gjatë shqyrtimit të vërejtjeve të dërguara këtyre investitorëve nga komisioni i ndërmarrjes, kemi vërejtur që ujëmatësit kryesorë, nuk i plotësonin standardet e përcaktuara, ndërsa në dy raste vërejtjet ishin dhënë edhe për disa ujëmatës individual. Pavarësisht kësaj, në janar të vitit 2019 ishin regjistruar 245 konsumatorë, që janë pjesë e këtyre objekteve kolektive”, thuhet në raport.

ZKA paralajmëron se legalizimi i konsumatorëve pa i plotësuar të gjitha kriteret, mund të ketë për pasojë keqpërdorimin e ujit nga investitorët dhe konsumatorët duke pasur ndikim në mos faturim të konsumatorëve për shërbimet e ofruara, rrjedhimisht edhe në rritjen e humbjeve të ujit.

Mes tjerash në raport ka gjetje edhe sa i përket mos respektimit të afateve kohore gjatë procesit të rekrutimit të stafit, si dhe angazhim të punonjësve për punë dhe detyra specifike më tepër se sa periudha e përcaktuar me ligj.

“Kryesuesi i Bordit të sigurojë që përmes Akteve të brendshme të ndërmarrjes të fuqizoj kontrollet e brendshme, të cilat do të pamundësonin angazhimin e stafit pa proces konkurrues, pagesën e pagave dhe benefiteve tjera pa dokumente mbështetëse (kontrata të punës), si dhe kontratat për punë dhe detyra specifike të lidhen deri në afatet maksimale të lejuara me ligj”, thuhet në raportin e Auditorit.

Për më tepër, Auditori ka gjetur se punëtorët në këtë ndërmarrje marrin paga të ndryshme prej shumës së përcaktuar në rregulloren për paga të punonjësve.

“Kryesuesi i Bordit të sigurojë se është bërë azhurnimi i Rregullores së pagave të punonjësve, duke përcaktuar koeficientet e pagave bazuar në pozitat, konform strukturës organizative të ndërmarrjes”, rekomandon Auditori.

Gjithashtu, Auditori ka rekomanduar se kryesuesi i Bordit duhet të të sigurojë që përmes Akteve të Brendshme të ndërmarrjes të fuqizojë kontrollet e brendshme, të cilat do të siguronin respektimin e rregulloreve dhe vendimeve të miratuara nga Bordi Drejtues i Ndërmarrjes.

Gjatë këtij viti, mes tjerash ka pasur edhe menaxhimi të dobët të kontratave. Në vitet 2015 dhe 2016 nuk ka pasur auditime për ndërmarrjen KUR “Prishtina”.

Auditimet për ndërmarrjet publike të Kosovës, kanë nisur viteve të fundit.