Ilustrim

Auditori: Rreth 1.1 milion euro më tepër shpenzime për biletat e aeroplanit sesa ishin kontraktuar

Në kontratën e parë për shërbimet e transportit ajror, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2016, janë përfshirë 84 institucione të Kosovës, të cilat kanë pasur të drejtë të shfrytëzonin këtë kontratë.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, për 36 muajt e parashikuar të zbatimit të kësaj kontrate, institucionet do të blinin rreth 11,933 bileta me çmim mesatar prej 400 euro për biletë që nënkupton se vlera e kontraktuar ishte 4,773,200 euro.

Ky parashikim rezultoi jo i saktë sepse shfrytëzuesit e kontratës ishin furnizuar me 11,654 bileta ose 279 bileta më pak por që vlera e tyre e kishte kaluar atë të kontraktuar për afër 1,1 milion euro, pra ishte për 23% më e lartë.

Kjo nënkupton që mesatarja e çmimit për biletë nuk ishte 400 euro siç e kishte parashikuar Agjencia Qendrore e Prokurimit, por në fakt ishte 503 euro për biletë. Pra institucionet mesatarisht kanë paguar 103 euro më shumë për çdo biletë të blerë, ose 26% më shtrenjtë se që kanë parashikuar të paguajnë.

Tutje raporti thotë se ndryshimi mes parashikimit dhe realizimit sipas numrit të biletave është relativisht i vogël, -2 %, ndërsa për nga vlera, ndryshimi është 23 % gjë që nënkupton se çmimi i biletës është më i lartë se ai i parashikuar.

Grafika-Burimi ZKA

Shërbimet e transportit ajror për herë të parë janë kontraktuar në mënyrë të centralizuar në vitin 2016. Deri në nëntor 2020, për këtë lloj shërbimi janë lidhur dy kontrata kornizë, njëra tanimë e zbatuar ndërsa e dyta ka afat deri në dhjetor të vitit 2021.

Vlera e realizuar e kontratës së parë ishte afër 5,7 milionë euro ndërsa, me kontratën e dytë deri në janar 2020 ishin shpenzuar afër 3,7 milionë euro nga afërsisht 4,7 milionë euro të parapara të shpenzohen. Përgjegjëse për zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit (që kanë rezultuar me lidhjen e këtyre dy kontratave) është Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Në këto dy kontrata, janë përfshirë organizatat buxhetore të nivelit qendror dhe të nivelit lokal. Fillimisht, në kontratën e parë ishin përfshirë kryesisht organizatat buxhetore të nivelit qendror pastaj në kontratën e dytë ishin përfshirë edhe ato të nivelit lokal.

Për të vlerësuar nëse furnizimi me bileta për shërbimet e transportit ajror është kryer në përputhje me kontratat, ZKA ka audituar një numër të konsiderueshëm të këtyre furnizimeve në organizatat buxhetore në vijim: Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme – përfshirë Policinë e Kosovës si agjenci e saj, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komunën e Gjilanit, Gjakovës, Vushtrrisë dhe Suharekës.

Raportin e plotë të ZKA-së mund ta gjeni KËTU.