Logo, MPMS

Auditori: MPMS punësoi praktikantë me profesione që s'ishin paraparë me kontratë

Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin për vitin 2019 për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka gjetur se ka pasur përfitues (praktikantë) të cilët kanë qenë nga sektorët të cilët nuk ishin paraparë në kontratë, duke qenë në profesione tjera të njëjtin kishin përfituar punë praktike për sigurim ndaj aksidenteve në punë.

Në kontratën ‘Sigurimi ndaj aksidenteve në punë për praktikantë të cilët do të angazhohen për praktikë në Punë në Kompanitë Private’ e nënshkruar ndërmjet Ministrisë dhe kompanisë së sigurimeve, ishin përcaktuar kategoritë dhe profesionet që duhet të jenë përfituese të sigurimeve shëndetësore.

Te pagesa me vlerë prej 36 mijë e 900 euro, për sigurimin e 1,350 praktikantëve të angazhuar në kompanitë private dhe publike, ZKA-ja ka identifikuar se 100 prej tyre nuk i përkasin profesioneve që ishin klasifikuar sipas kategorive të përcaktuara me kontratë.

Projekti për punësimin e praktikantëve ishte marrëveshje ndërmjet ministrisë dhe GIZ-it si bashkëfinancues i këtyre aktiviteteve.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë fakti se marrëveshja ishte me GIZ dhe nuk përmbante kufizime si dhe në mungesë të aplikantëve të profesioneve të kontraktuara, ministria kishte vendosur që t’ju ipet mundësia e përfitimit edhe aplikantëve të profesioneve tjera.

“Futja në listën e përfituesve të profesioneve – kategorive që nuk janë paraparë me kontratë rrezikon mundësinë e kompensimit të sigurimeve shëndetësore në rast të ndonjë fatkeqësie dhe e gjithë kjo rezulton me mosarritje të objektivave të projektit. Për fat të mirë nevojat për përfitimin e sigurimeve shëndetësore si rezultat i lëndimeve në punë nuk kishin ndodhur”, thuhet në raport.

Auditori rekomandon se ministri duhet të siguroj përmes menaxherëve përkatës, që lista e profesioneve të paguar për përfitime shëndetësore të jetë në përputhje me kontratën.

“Po ashtu, në inicimin e kërkesës duhet bërë një analizë e mirëfilltë e profesioneve – punëkërkuesve që do të mbështeten, në mënyrë që mos të ketë devijime nga kushtet e vendosura me kontratë”, vijon raporti.

Në vitin 2019, MPMS udhëhiqej nga ministri Skender Reçica.

Reçica në qeverinë aktuale ka marr mandatin e dytë në këtë ministri, që nga 3 qershori i këtij viti. Ai vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate.