Auditori: Mitrovica me 8 rekomandime të përsëritura vazhdimisht

Udhëheqës i departamenti të Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), Shkëlqim Xhema ka potencuar numrin e madh të rekomandimeve të cilat përsëriten vazhdimisht në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

“Këtë vit ne kemi dhënë 16 rekomandime nga këto rekomandime, 5 janë rekomandime të reja, 3 kanë mbetur pjesërisht të pa adresuara nga viti 2017 dhe 8 rekomandime të cilat vazhdojnë të përsëriten”, ka potencuar Xhema.

Rekomandimet që janë përsëritur kanë të bëjnë me keq klasifikim, planifikimin dhe realizimin e buxhetit, marrëveshjet për shërbime të veçanta, kontratat e prokurimit, pranimi jo i rregullt i furnizimeve, sfidat në menaxhimin e pasurive dhe llogarive të arkëtueshme si dhe sfidat në menaxhimin e obligimeve.

“ZKA kërkon nga menaxhmenti i Komunës që të fokusohet te këto rekomandime me të gjitha mekanizmat që i posedon, ku ka vështirësi ne jemi të gatshëm të ofrojmë përkrahje”, është shprehur Xhema.

Sa i përket rekomandimeve të vitit 2018, prej 17 rekomandimeve, 5 janë adresuar, 3 janë adresuar pjesërisht, 1 është konsideruar i mbyllur dhe 8 nuk janë adresuar fare nga Komuna e Mitrovicës së Jugut.

Për shkak se zbatimi i rekomandimeve është i ulët në nivelin lokal Auditori këtë vit ka nxjerrë një rregullore të punës në lidhje me planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve ku është kërkuar nga zyrtarët përgjegjës që të raportojnë dy herë në vit për ecurinë e zbatimit të rekomandimeve.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka realizuar një analizë duke u bazuar në raportet e auditimit të Komunës së Mitrovicës së Jugut në katër vitet e fundit. Gjetjet kryesore të BIRN janë prezantuar nga Visar Prebreza, redaktor i BIRN, në një debat të organizuar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut para asamblistëve, drejtorëve komunalë dhe shoqërisë civile.

KALLXO.com vazhdimisht ka publikuar analiza sa i përket raporteve të auditimit të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Në këto analiza kanë shpërfaqur mangësitë, shkeljet dhe çështjet që janë identifikuar ndër vite nga ZKA.

Debati në Komunën e Mitrovicës së Jugut është organizuar nga BIRN me mbështetjen e Ambasadës britanike.

Analizën për Komunën e Mitrovicës së Jugut mund ta lexoni KËTU

Pas Komunës së Mitrovicës së Jugut, debatet sa i përket raporteve të auditimit do të mbahen edhe në komuna të tjera të Kosovës.

Debati në Komunën e Mitrovicës së Jugut është transmetuar live në platformën e KALLXO.com në Facebook.

Live: Debat për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit në Komunën e Mitrovicës së Jugut

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 10 décembre 2019