Auditori: Ministria e Bujqësisë vonoi pagesat për grante deri në 6 muaj

Zyra e Auditorit ka vërejtur se në 35 raste ka pasur vonesa në realizimin e pagesave të granteve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë në vlerë 1,653,384 euro.

Sipas auditorit, kjo ministri ka vonuar pagesat e granteve deri në gjashtë muaj, përkundër faktit që afati kohor për kryerjen e këtyre pagesave është 20 ditë pas marrjes së vendimit.

“Afatet kohore për kryerjen e pagesave të granteve përcaktohen me udhëzuesit që i nxjerr ministria për zbatimin e programeve vjetore të aprovuara. Në bazë të këtyre udhëzuesve, pagesat duhet të bëhen 20 ditë pas marrjes së vendimit apo 40 ditë nga data e aplikimit për pagesë, përveç nëse tejkalimi i afatit bëhet për ndonjë arsye objektive”, thuhet në raportin e ZKA-së për vitin 2019.

Arsyetimi i ministrisë për këto vonesa ishte mos alokimi i duhur i buxhetit për shpenzim nga ana e ministrisë së Financave.

“Nga 100 mostrat e ekzaminuara, në 35 raste në vlerë totale 1,653,384€, kemi vërejtur se pagesat kishin tejkaluar afatet e përcaktuara për pagesë. Vonesat në rastet e ekzaminuara ishin deri në gjashtë muaj. Sipas shpjegimeve të menaxhmentit të ministrisë, kjo ishte si rezultat i mos alokimeve të duhura të buxhetit për shpenzim nga ana e ministrisë së financave”, thuhet tutje në raport.

Sipas auditorit, praktikat e tilla të ministrisë shkaktojnë probleme serioze për fermerët apo përfituesit e këtyre fondeve, “për shkak se të njëjtit mund të fillojnë aktivitetet dhe të hyjnë në obligime duke u bazuar në pagesat apo kompensimet që do t’i bëj ministria”.

Auditori ka rekomanduar se ministri duhet të siguroj se asnjë ndarje e subvencioneve dhe granteve nga ana e komisioneve përkatëse nuk do të bëhet para se fondet të jenë të sigurta dhe të gatshme për pagesë në përputhje me afatet kohore të përcaktuara me rregullore.

Ndërkaq, sipas tyre problemet me alokimin e fondeve duhet të zgjidhen në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.